Prej disa ditësh 8 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e një programi të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Mes ligjvënësve shqiptarë të përzgjedhur për të ndjekur këtë program është edhe Marjana Koçeku, e cila në një intervistë për emisionin “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, theksoi se bëhet fjalë për një program prestigjioz, që ka në fokus strategjitë e qeverisë amerikane dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe përfshin takime të nivelit të lartë me zyrtarë të DASH dhe në Kongresin amerikan.
“Ky është një program i iniciuar prej Departamentit Amerikan të Shtetit, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Është ndër programet më prestigjioze që ka Departamenti në të gjithë botën. Ndryshe quhet Programi për Liderët e Rinj, që mbledh politikanë të rinj prej vendeve të ndryshme të botës, por në këtë moment është fokusuar vetëm te Shqipëria, ku jemi 8 deputetë, 4 nga PS dhe 4 nga PD. Jemi prej disa ditësh në Uashington. Përpos Uashingtonit do të jemi dhe në Arizona dhe në Florida. Kemi pasur një sërë takimesh si në Departamentin e Shtetit, ashtu dhe në zyrat e Kongresit, Capitol Hill. Kanë qenë takime që janë fokusuar mbi strategjitë e qeverisë amerikane dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me fokus Kosovën dhe Shqipërinë, dhe se si marrëdhëniet midis vendeve tona mund të përforcohen dhe të ndiqen më mirë parimet demokratike”,- tha Koçeku.
Komente






