Vendimi për Hashim Thaçin dhe ish krerët e tjerë të UÇK pritet të jepet brenda muajit Maj. Një zëdhënës i Gjykatës Speciale në përgjigje për mediat lokale të Kosovës, thotë se trupi gjykues ka miratuar një urdhër të ri procedural.

Trupi Gjykues caktoi gjithashtu 19 janarin 2026 si afat për Prokurorinë dhe Mbrojtjen për të paraqitur dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre, dhe për Mbrojtjen e Viktimave për dorëzimin e deklaratës mbi pasojat e krimeve të pretenduara për 155 viktima pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore, thuhet në deklaratën e Michael Doyle zëdhënësit të dhomave speciale.

Deklaratat përfundimtare të palëve, sipas zëdhënësit Doyle janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, duke shënuar fundin e pjesës publike të gjykimit dhe 90 ditë pas këtyre datave pritet të jepet vendimi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i cilësojnë të pabazuara. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, por të katër I kanë mohuar ato para gjykatës.