TIRANË- Në një kohë kur të gjithë po diskutojnë se si mund të realizohet transporti falas për Tiranën,  hartuesi i programit ekonomik të kandidatit Këlliçi, Klodian Muço tregon se e kanë gjetur zgjidhjen. Në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, Muço tha se një nga mënyrat është heqja e njerëzve nga puna që marrin rrogën kot.

“Veliaj nga taksa në infrastrukturë ka marrë 400 mln euro ka investuar vetëm 2.4%, Bashkia arkëton të ardhura, por ku i çon pjesën tjetër të parave? Po bëhen ndërtime, po rrugët janë ato që janë, trotuarët po. Tirana është qyteti më i ndotur i Europës. Kush është zgjidhja? Ne duam të reduktojmë ndotjen, dhe kush është zgjidhja, jep shërbim cilësor të transportit publik. Shiten 100 mijë bileta në vit, 12 mln euro në vit. Buxheti i Bashkisë së Tiranës, shkon për pagat dhe shpenzime të administratës, janë patronazhist. Janë njerëz që marrin një rrugë të kot. Si do e financojmë, do shkurtojmë shpenzimet administrative, do ketë reformë, zgjidhet me reduktimin e korrupsionit, nuk them që do e bëjmë zero, nuk jam optimist. Do reduktojmë barrën fiskale që të zgjerojmë bazën e tatueshme. Kohë më parë u reduktua taksa e sheshtë dhe dolën 16.4% më shumë të ardhura dhe numri i bizneseve u rrit me 12.4%. Të gjitha premtimet janë të realizueshme, janë gjetur dhe financimet. Kemi bërë me laps dhe me letër, kaq na kushton, tani, kaq më vonë dhe ku do të dalin paratë”, tha Muço.

Mirëpo, nga ana tjetër, eksperti Fator Çoçoli tha se një premtim i tillë, është i pamundur për t’u mbajtur.

“Kush nuk do e donte transportin falas, apo të uleshin taksat, do ishte rasti më i mirë, por mua më duket arakiri i ekonomisë. Se po t’i heqësh këto taksa, 18 mln euro mbledhim nga autobusët në vit dhe nuk janë pak për një buxhet, nuk janë pak. Tirana me transport publik falas, ta zëmë se ndodhi Tirana do ishte qyteti i 10 në botë, e ka Australia, ku kanë të ardhura të larta për frymë, Luksemburgu, vendi më i pasur në botë, shtet i vogël, një qytet tjetër në Britani, në Suedi me të ardhura për frymë prap të larta, Kanadaja. Është e pamundur në gjykimin tim. Në ëndrrën më të bukur do të bëhen, por po të zgjohemi nga gjumi jo. I ke bërë petullat me ujë, hiq ujin dhe bëji me vaj”, tha ai.

Një studim i bërë nga  i kryer në vitin 2022 nga ekspertët gjermanë të GIZ-it - agjencia gjermane për zhvillim vuri në dukje kostoja që duhet për të realizuar transport publik falas, duke përfshirë edhe përmirësimet e nevojshme, varion nga 91.5 milion euro deri në 114.1 mln euro. Një shifër e cila është e papërballueshme sot nga financat e Bashkisë së Tiranës. Ekspertët gjermanë vënë në dukje se edhe ato pak vende, të cilat e kanë falas transportin publik, si Lukemburgu apo qyteti Dunkirk, shërbimi ka qenë i subvencionuar më herët në 90% të kostos së tij; që do të thotë se ato kanë financuar vetëm 10% të kostos për ta bërë falas.