Premtimi i madh i PD për anulimin e koncesioneve, ekspertët: Thuajse i pamundur, mund të përfundojmë në arbitrazh

Nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit, PD do anulojë koncesionet që i ka cilësuar si korruptive, prej vitesh. Proces që sipas demokratëve do të realizohet nëpërmjet ligjit antimafia.

Por teksa ky premtim vijon të artikulohet thuajse në çdo dalje mediatike, ekspertët e ekonomisë, e konsiderojnë thuajse të pamundur anulimin e një kontrate koncesionare, dhe sjellin në vëmendje që vendime të tilla kanë përfunduar në arbitrazh.

“Unë e shikoj si të vështirë anulimin e kontratave koncesionare me faktin që nga sa është parë deri më tani sa herë që është tentuar për të anuluar koncesionet kemi përfunduar në arbitrazh”, shprehet Klodian Muço ekspert ekonomie.

“Jam i mendimit, që është një deklaratë politike, respektoj mendimin e Z. Basha por janë për tu parë sipas rastit, nuk mund të flasim apriori. Praktika ka treguar që sa herë kemi vajtur në arbitrazh kjo është kthyer në një kosto ekonomike për vendin”, pohon kontabilisti Enkelejd Dermyshi.

“Vitet e fundit ka një rritje të kontratave koncesionare të miratuara nga Kuvendi dhe për rrjedhojë mendoj se është vështirësish e mundshme që të anulohen. Ajo që ka rëndësi është që njerëzit duhet të mësojmë më shumë, pra duhet të rritet transparenca ndaj këtyre kontratave”, sqaron eksperti për ekonominë Zef Preçi.

Ekspertët e ekonomisë Zef Preçi, Enkelejd Dermyshi dhe Klodian Muço thonë se zgjidhja më ekonomike dhe pa kosto për qytetarët është rishikimi i koncesioneve rast pas rasti.

“Duhet të shikohen studimet e fizibilitetit, për të përmirësuar cilësinë e investimeve dhe për të ulur kostot, sepse në fund të fundit nuk i intereson nëse është privat apo shtetëror që ofron një shërbim, rëndësi ka cilësia dhe kostoja e shërbimit. Nëse janë shkelur këto parametra ecet paralelisht si me nënshkrimin e trupave vendimmarrëse të tyre për korrupsionin e dyshuar, mosrespektimin e kritereve të vendosura në kontratat koncesionare për një kontratë të tillë, dhe nga ana tjetër negocimi dhe eventualisht edhe anulimi i atyre kontratave që konkludohet që janë në dëm të interesave publike”, thotë Preçi.

“Do të sugjeroja një taksë luksi për koncesionet më tepër se anulimet, sepse do të rriste të ardhurat fiskale për buxhetin e shtetit, do të ktheheshin paratë në arkën e shtetit dhe do të vazhdoja edhe me rishikimin e tyre”, propozon Muço.

“Në kontekst ekonomik mund të ketë koncesione që edhe duhen ri-parë pasi nuk kanë pasur ndikimin e duhur ekonomik. Koncesionet që kanë impakt negativ në ekonomi, ndoshta mund të bëhen objekt rishikimi, për formën si janë tenderuar dhe si janë menaxhuar”, shprehet Dermyshi.

Studimi i çdo kontrate koncesionare dhe jo anulimi, sipas Preçit do shmangte edhe përkeqësimin e klimës së biznesit.

“Është e rëndësishme të respektohet kuadri ligjor, të shmanget krijimi i konflikteve të reja pasi e bën vendin më pak tërheqës për investimet e huaja. Të shmanget koncepti për një luftë që i shpallet një kategori biznesi”, tha eksperti i ekonomisë Preçi.

Ndërsa për Dermyshin, nuk duhet që borxhet e krijuara nga këto kontrata të paguhen nga qytetarët nëse janë abuzive por nga firmëtarët e tyre.

“Duhet të kuptojmë që ka ardhur koha që ai që firmos dhe merr vendime për të dhënë të drejtën për të ushtruar aktivitet ekonomik qoftë koncesion, qoftë PPP, apo një formë tjetër është e rëndësishme të marrë përgjegjësitë e veta, sepse kjo kthehet në kosto për qytetarët, këtu duhet të përqendrohemi”, u shpreh Dermyshi.

Aktualisht për këtë vit qeveria ka parashikuar të paguaj 14.5 miliardë lekë për 13 kontrata koncesionare aktive.

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki