TIRANE- Ish-kryeprokurori i Pukës, Pëllumb Prençi i akuzuar për korrupsion ka lënë pa fjalë anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, ku teksa dëshmonte në mbledhjen që ishte programuar për shkarkimin e tij, ka surprizuar ish-kolegët, duke pohuar se kishte shkelur ligjin për lirimin e një të arrestuari, pasi një veprim të tillë ia kishte kërkuar shefi i auditit Thoma Janko.

Emri i këtij të fundit ka dalë gjatë dëshmisë së Prençit dhe se është mbajtur shënim në procesverbalin e mbledhjen, ndërkohë që menjëherë është njoftuar për situatën e pazakontë të krijuar kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky i fundit pasi është njohur me dëshminë e ish-prokurorit Pëllumb Prençi, ka vendosur të pezullojë nga posti i Shefit të Auditit në Prokurorinë së Përgjithshme Thoma Janko, duke urdhëruar njëherësh fillimin e hetimeve për akuzën e korrupsionit.

Pendesa e Prençit
Prokurori që momentalisht po gjykohet në gjykatën e Shkodrës për akuzën e korrupsionit, megjithëse nuk ka pranuar akuzën e ngritur, gjatë dëshmisë së tij dhënë para anëtarëve të këshillit, ka shfaqur pendesë. Sipas Prençit, ai kishte rënë “viktimë” e një kërkese të bërë në formën e nderit, dhe që i ishte kërkuar nga një zyrtar i lartë në Prokurorinë e Përgjithshme. Pyetjes së njërit prej anëtarëve se kush nga zyrtarët i kishte kërkuar lirimin duke shkelur ligjin e personit të arrestuar, ish-prokurori i Pukës është shprehur se emri i këtij zyrtari të lartë është Thoma Janko. Sipas Prençit, ishte ky i fundit që i kishte kërkuar të shmangte ligjin dhe të vendoste lirimin e një personi të arrestuar, pasi ishte mik me familjen e tij. Për pasojë, sipas prokurorit ai kishte pranuar ti bënte nder, pa ditur se rasti në fjalë po ndiqej nga prokuroria dhe emisioni investigative “Fiks-Fare”.

Mbledhja sot
Dëshmia e Pëllumb Prençit ka “groposur” pozicionin e Thoma Jankos, ndërkohë që ndaj këtij të fundit tashmë ka nisur një hetim për akuzën e korrupsionit ndërkohë që verifikimet kanë nisur dhe për pasurinë e Jankos. Lidhur me këtë çështje sot në ambjentet e prokurorisë pritet të zhvillohet një mbledhje urgjente, ku do të diskutohet fati përfundimtar i Thoma Janko. Ndërkohë që ditën e hënë në një takim që kryeprokurori Llalla ka zhvilluar me drejtuesit e prokurorive u ka kërkuar këtyre të fundit që të kallëzojnë çdo prokuror që u kërkon ndere dhe favore personale. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)