Bëhet fjalë për një shkresë zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd që mban datën 3 prill 2011 e nënshkruar nga vetë ish ambasadori shqiptar Shpëtim Çaushi.
Dokumenti u bë publik gjatë një bisede në studion e A1 Report me Galip Beqirin, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe Prof.Dr.Sulejman Abazi të ftuar për të folur mbi protestat e ditëve të fundit në Luginë.
Mijëra shqiptarë dolën në protest në 28 nëntor duke kërkuar të respektohet e drejta e tyre për të përdorur simbolet kombëtare.
Shkresa i drejtohet Këshillit Nacional të pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës, Milan Markoviç, ministër për të drejtat e pakicave në administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen locale si dhe shefit të atëhershëm të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kyprios.
“Kemi nderin të tju lajmërojmë se organet kompetente shqiptare janë dakord me vërejtjet e shprehura se Abetarja dhe Fletorja e Punës do reprodukohen (modifikohen), duke mënjanuar simbolet nacionale-shtetërore”-thuhet në këtë document që disponon A1 Report.
Gjatë bisedës në studio profesor Abazi tha se pikërisht ky vendim për të cilin ka dhënë pëlqimin edhe Tirana zyrtare përmes ambasadorit Çaushi, i jep mundësinë Beogradit të ndalojë hyrjen e teksteve shqipe në Luginë. Në fillim të tetorit të këtij viti 6 mijë tekste shkollore në gjuhën shqip u bllokuan nga autoritetet serve në fshatin Raincë të Preshevës, çka nxiti edhe reagimin e banorëve të Luginës.
"Ne përshembull një grup nga këta të këshillit na kanë sjellë dhe një dokument. Pra nëqoftë se një funksionar i shtetit shqiptar, përfaqësues bie dakord me gjëra të tilla kjo për mua është e dhimbshme. Ajo që do të thosha për këtë dokument, le ta verifikojnë është problemi i tyre, andej nga ka dalë e dinë ata që e kanë sjellë por ajo që do të thosha është çeshtja e transparencës sepse në shumë raste zyrtarë të shtëtit shqiptar larg vëmendjes së opinionit bëjnë gjëra të tilla duke shfrytëzuar dhe elementët e lëkundur që janë dhe në insitucionet drejtuese të luginës. Prandaj dhe ndodh që sekuestrohen libra, kush e ka bërë atë le të dalë dhe të mbaj vetë përgjegjsi ose të dalë të jetë transparent përballë popullit në Preshevë." - deklaron Prof.Dok.Sulejman Abazi nga studio e A1Report.
Por ndërkaq i ftuar në studion e A1 Report, z. Galip Beqiri i cili rezulton se ka qënë pikërisht ai që ka pranuar këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e pranoi ekzistencën e dokumentit por duke thënë se bëhet fjalë për modifikim të simboleve kombëtare dhe jo heqjen e tyre.
"Unë e ka kam këtë dokument dhe nuk shoh ndonjë dokument që të ndalon simbolet kombëtare sepse ne kemi tekste të tëra që kemi marrë nga Shqipëria që lejohen nëpërmjetë Ministisë së Arsimit, prandaj nuk qendron ajo që ndalohet përdorimi i simbolit kombëtar në tekste shkollore sepse shumica e teksteve shkollore e kanë flamurin shqiptar. Çeshtja ka qënë për një faqe ku ka qënë flamuri dhe shkronja F. Modifikimi është bërë për shkak se shqiptarët s'kanë patur fare abetare dhe rezultatet e zotit Çaushi duhet t'i konsiderojmë si shumë pozitive, për herë të parë ka arritur që ta kemi një abetare nga shqipëria në Luginë të Preshevës." - u shpreh në studion e A1Report, Galip Beqiri, Kryetari i Këshillit Shqiptar në Luginën e Preshevës
Në tetor të vitit 2011, mediat në Luginën e Preshevës raportuan lajmin se ambasadori i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, kishte dhënë pëlqimin që "Abeterja dhe fletorja punuese të modifikoheshin, duke larguar simbolet kombëtare çka ngjalli protesta nga shqiptarët në Luginë. Por dokumenti që e vërteton këtë publikohet për herë të parë nga A1 Report dhe tregon se Tirana zyrtare jo vetëm ka qënë në dijeni por dhe ka pranuar ashtu si disa prej liderëve lokal në Preshevë për të mos lejuar përdorimin e simboleve kombëtare nga shqiptarët atje.
(Në foto Ambasadori Çaushi dhe dokumentat e publikuar nga A1 Report)
Preshevë, Ambasadori Çaushi pro heqjes së simboleve shqiptare