Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e dy ambasadorëve të rinj në misione të rëndësishme diplomatike.

Konkretisht bëhet fjalë për emërimin e Jeta Kreka dhe ish-deputetit socialist Bardhyl Kollçaku si ambasadorë fuqiplotë të Shqipërisë e para në shtetin e Katarit ndërsa i dyti në NATO.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme të zhvilluar me 26 shkurt socialistët dhe demokratët ishin kundër emërimit të 26-vjeçare për ambasadore të Shqipërisë në Katar.

Një pjesë e deputetëve vlerësuan faktin që Kreka ka studiuar dhe jeton prej vitesh në Katar, të cilën e konsideruan si avantazh për njohjen e terrenit, gjuhës dhe kulturës lokale. Ndërkohë të tjerë ngritën pikëpyetje mbi mungesën e eksperiencës së saj në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe mbi faktin që nuk ka ndjekur një karrierë të brendshme diplomatike në Shqipëri.

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh se roli i ambasadorit nuk lidhet thjesht me formimin akademik, por mbi të gjitha me pjekurinë profesionale dhe kontributin në përfaqësimin e shtetit, duke kërkuar më shumë detaje mbi eksperiencën e saj para vitit 2019.

Në përgjigjet e saj, Kreka theksoi se jetesa dhe puna në Katar i kanë dhënë një kuptim më të thellë të kulturës dhe mentalitetit vendas, duke e konsideruar këtë një avantazh në ushtrimin e detyrës.

Ajo u shpreh se është e vetëdijshme për moshën dhe eksperiencën e kufizuar, por beson se brezi i ri mund të sjellë energji dhe qasje të reja, në bashkëpunim me diplomatët me përvojë.

Njoftimi i plotë i Presidencës

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 138, datë 12.3.2026, dekretoi sot emërimin e znj. Jeta Kreka në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës se Shqipërisë në Shtetin e Katarit, rezident. 

 Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 139, datë 12.3.2026, dekretoi sot emërimin e z. Bardhyl Kollçaku në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës se Shqipërisë në NATO, rezident.