Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si një figurë vizionare që projektoi Kosovën e pavarur dhe të lirë mbi parimet e urtësisë, durimit dhe mençurisë politike.

Në një postim në rrjetin social X, Kreu i Shtetit thekson se Presidenti Rugova e konceptoi të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me vlerat evropiane, si demokracia, të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe shteti i së drejtës.

Presidenti Begaj nënvizon se vizioni politik i Rugovës është sot një realitet i prekshëm për Kosovën, ndërsa trashëgimia e tij mbetet një referencë e rëndësishme për rrugën që vendi ka ndjekur ndër vite.

Ibrahim Rugova konsiderohet figura kyçe e rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90. Ai është presidenti i parë i zgjedhur i vendit, që ndërtoi themelet politike dhe institucionale të shtetit të ri të Kosovës.

Sipas Presidentit Begaj, trashëgimia e Rugovës është dëshmi se paqja, dialogu dhe orientimi drejt Evropës janë gurthemeli i shtetndërtimit dhe i një të ardhmeje të qëndrueshme për Kosovën.