Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët myslimanë për nisjen e muajit të bekuar të Ramazanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka uruar agjërim të lehtë e të pranuar për të gjithë besimtarët.

“Besimtarët myslimanë fillojnë nesër agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit. Duke dëshiruar agjërim të lehtë dhe të pranuar për gjithë besimtarët myslimanë, uroj që ky muaj i shenjtë të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin! Qoftë sa më i mbarë për të gjithë dhe ardhtë me të gjitha begatitë!”, ka shkruar Begaj në postimin e tij në rrjetet sociale.

Kujtojmë se ditën e nesërme nis muaji i Shenjtë i Ramazanit, që fton besimtarët myslimanë në mbarë botën në reflektim të thellë dhe pastrim shpirtëror.

Agjërimi përfaqëson një nga pesë shtyllat e islamit, dhe sipas fesë, konsiderohet obligim për të gjithë të rriturit që nuk kanë probleme shëndetësore. Nga agimi deri në perëndim nuk konsumohet asnjë ushqim dhe shmangen marrëdhëniet intime.


Lajmi kryesor:

Nesër nis muaji i Ramazanit, Spahiu: Të forcojmë solidaritetin dhe bashkëjetesën! Uron politika