Presidenti, Berisha: Unë e kam
kandidatin, PS ta propozojë

Presidenti, Berisha: Unë e kam<br />kandidatin, PS ta propozojë
TIRANE- Të mërkurën, më 30 maj Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posacme për votimin e parë për Presidentin e ri. Vendimi u mor me konsensus sot në Konferencën e Kryetarëve. Zbardhet debati me dyerve të mbyllura. Topalli: "Datën ta caktojë opozita". Gramoz Ruçi: "Duhen negociata PD- PS". Patozi: Presidentin shpresojmë ta zgjidhim që në raundin e parë. Zgjedhja e Presidentit u bë objekt debatesh edhe në Parlament mes opozitës dhe mazhorancës.

BERISHA NE PARLAMENT: UNE KAM KANDIDATIN TIM, PS TE BEJE PROPOZIMIN E VET
Ora 12: 11 Kryeministri Berisha deklaroi në seancën e sotme se procesi për zgjedhjen e presidentit do të jetë i negociueshëm dhe kushtetues. “Sot është hapur procedura. Nuk jam për shoë. Jam për një proces të negociueshëm dhe kushtetues. Ju garantoj se procesi do të jetë i tillë. Nuk eci me klishenë e armikut e demonit. Nuk eci me parime klasiste. Por kam deklaruar dhe e deklaroj se në bindjen time në PD ka personalitete të shquara që janë të afta ti shërbejnë vendit. Detyra juaj është të propozoni një kandidat të PS, jo unë. Them se procesi është i negociueshëm."

RUÇI: AS NGA PD E AS NGA PS
Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka akuzuar Berishën se po j'u shmanget diskutimeve, duke sjellë një kandidaturë politike nga Partia Demokratike. Ruçi ka nënvizuar se figura e Presidentit nuk mund të vijë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, por një njëri që ti shërbejë vendit. Ndaj në këtë prizëm, Ruçi shprehur hapur kandidaturën kundër një kandidati politik të ardhur nga PD.
"Sot ishte kufiri i fundit me Kushtetutë, sot ishte kufiri i fundit me procedurë parlamentare dhe kësaj procedure parlamentare dhe kushtetutese, ne nuk i kemi paraprirë me një proces politik.Opozita ju ka drejtuar një letër, ju ka bërë një apel, ju vazhdoni të jepni përgjigjen që Presidenti do të jetë një drejtues i lartë i Partisë Demokratike. Pra, me pak fjalë ose s'jeni dakord as me konsultime, as me proces, ose do ta bëni atë formalisht, sa për të kaluar radhën. Ja pse, kryetari i opozitës ju ka ftuar. Shumica e partive, qoftë edhe ato të maxhorancës janë takuar me të dhe ato kanë pritur që ju t'i thërrisni dhe t'i dëgjoni. Mos bëni demagogjinë dhe diversionin e radhës të deputetëve të opozitës, që ne shikokemi njëri-tjetrin president, apo nuk votokemi njëri-tjetrin. Ne jo, se nuk kemi kapacitete që e bëjnë shumë mirë atë punë, por kemi një filozofi dhe pozicion politik. Ne kemi deklaruar që duam të zgjedhim Presidentin e vendit, jo Presidentin as të Partisë Demokratike, as të Partisë Socialiste."

TOPALLI: VENDIMI U MOR ME KONSENSUS
Kryetarja e Kuvendit informoi në seancë për vendimin e konferencës së kryetarëve. Sipas Topallit vendimi u mor në unanimitet dhe të mërkurën në orën 10:00 do të zhvillohet raundi i parë i zgjedhjes së presidentit

PAZOTI: SHPRESOJME QE PRESIDENTI TE ZGJIDHET NE RAUNDIN E PARE
Konferenca e kryetarëve përcaktoi sot procedurat e zgjedhjes së presidentit si dhe përcaktoi datën e raundit të parë që i bie të jetë e mërkura, 30 maj . Konferenca vendosi gjithashtu që të mos cenohet axhenda normale e parlamentit e cila nuk do të interferohet me procedurat e zgjedhjes së presidentit. Kalendari i parashikuar nga konferenca për Kuvendin do të vazhdojë normalisht.  Shpresojmë që presidenti të zgjidhet që në raundin e parë. Nëse nuk ndodh do mblidhet sërish konferenca dhe do caktojë raundin e dytë", tha kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi,

KONFERENCA E KRYETARE: TË MËRKURËN RAUNDI I PARË, JA DEBATI
Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo i propozoi Konfernecës së Kryetarëve që raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet të mërkurën ose të hënën, sic e përcakton dhe afati kushtetues.

Kryetarja e Parlamentit është shprehur se: I takon opozitës të caktojë datën.

Nga ana e tij kreu i gurpit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi deklaroi “se duhen negociata PD- PS për të përcaktuar datën.
Deputeti Tavo është shprehur se afati kushtetues është të hënën ose të mërkurën dhe në fund është lënë që raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet të mërkurën.


BERISHA MBLEDH PASDITE KRYESINE
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të mbledhë sot pasdite kryesinë e partisë për të diskutuar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Siç kishte paralajmëruar se menjëherë pas kthimit nga Samiti i NATO-s në Çikago,do të fillonte me procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, pasditen e sotme në orën 19.00, Berisha do të mbledhë anëtarët e kryesisë së PD me të cilët do të diskutojë tërë procesin, përpara se të thërrasë në takim partitë aleate në qeverisje, për të ndarë dhe me këtë proces të vështirë që kërkon një mbështetje të fortë nga të gjitha palët, për shkak të ekuilibreve të brishta në Kuvend. Lajmin për mbledhjen e sotme të kryesisë e konfirmoi nënkryetari i PD, njëherësh dhe kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, Astrit Patozi. I cili ka qënë i rezervuar të shprehej më tej, përpos faktit kjo mbledhje do të zhvillohet në këtë orë të pasdites së vonë dhe që do të ketë si objekt kryesor diskutimin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nga ana tjetër mësohet se në këtë mbledhje kryesie do të diskutohet dhe qëndrimi i aleatëve, ku do të merret mandati për të diskutuar me ta për emrin e kandidatit që do të mbështetet për president. Ekziston mundësia që Berisha të mandatohet dhe për të zhvilluar një takim me kreun e PS, Edi Rama, pas kërkesës së këtij të fundit që të diskutohej për kriteret e presidentit të ri. Por sipas burimeve brenda PD, rëndësinë më të madhe në këtë proces të vështirë të zgjedhjes së kreut të shtetit e zënë bisedimet me kreun e LSI Meta, votat e të cilit janë determinante për zgjedhjen e presidentit të ri.

DJE U MBLODH GRUPI PS
Grupi kuvendor socialist u mblodh dje nën drejtimin e kryetarit Gramor Ruçi. Burimet brenda takimit thanë për Shqiptarja.com dhe A1 REPORT se ka patur diskutime mes të tjerash për mënyrën e votimit për kandidatët pë president. Prej kohësh socialistët kanë shprehur qëndrimin e tyre për të votuar me zarf të mbyllur për Presidentit e Ri. Por, kjo pikë, sikundër edhe “raundet” presidenciale pritet të shkaktojnë jo pak debate në konferencën e kryetarëve. Mbledhja e konferencës do të bëhet përpara seancës së zakonshme të së enjtes në Kuvend.

PROCEDURAT NË KUVEND
Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë. Sekretariati për Procedurat dhe Votimet është komisioni i votimit, i cili në këtë rast organizon dhe shpall publikisht rezultatin e votimit. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve shqyrton nëse kandidatët për president i plotësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë dhe i paraqet raportin seancës plenare, sipas afatit të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve.

ÇFARE THOTE NENI 87
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.
Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Neni 88
1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
2/1.Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.”.

(aq/jm/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Aksioni i SPAK në Elbasan/ Bardhi: Banda ishte në shtabin e PS për vota, SPAK të hetojë ndikimin politik! Kush e emëroi motrën e 2 anëtarëve të grupit drejtoreshë të AZHT?

Aksioni i SPAK në Elbasan/ Bardhi: Banda ishte në shtabin e PS për vota, SPAK të hetojë ndikimin politik! Kush e emëroi motrën e 2 anëtarëve të grupit drejtoreshë të AZHT?