Presidenti, djegia e raundeve 
skenar për zgjedhje të parakohshme?

Presidenti, djegia e raundeve <br />skenar për zgjedhje të parakohshme?
Sikundërse pritej, Kuvendi konsumoi dje raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pa propozuar asnjë emër. Edhe pse kanë më shumë se 84 vota dhe mund ta zgjidhnin vetëm kreun e ri të shtetit, PS dhe LSI nuk e kanë përdorur shumicën e tyre dhe fuqinë e kartonëve për të zgjedhur numrin një të shtetit.

Ajo që nuk pritej nga seanca e djeshme parlamentare, ishte data e raundit të dytë. Teksa Rama dhe Meta thanë se raundi i konsumua pa asnjë emër me qëllim që të pritej opozita dhe konsensusi me të, praktikisht PS dhe LSI nuk po i japin kohë opozitës.

Edhe pse rregullorja parashikon se raundi i dytë duhet të mbahet brenda 7 ditëve nga raundi i parë, pra deri të mërkurën tjetër, mazhoranca nuk humbi kohë dhe në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, vendosi që raundi i dytë të konsumohet sot, në orën 15:00.

Ky nxitim nuk ngjan fare me linjën e dhënies kohë opozitës, teksa pritet që dialogu të nisë javën tjetër kur mbërrijnë në datën 24 negociatorët evropianë. Pra, nuk ka gjasë që paraditja e sotme të prodhojë çudi që opozita të bëhet pjesë e zgjedhjes së presidentit.

Në këto kushte, ajo që lihet për tu dyshuar, është skenari i mundshëm i konsumimit të të pesë raundeve kushtetuese pa asnjë emër, dhe me gjasë, shpërndarjen para kohe të parlamentit. Një gjë e tillë do të dërgonte vendin në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit në dështimin e mundshëm të raundit të fundit presidencial.

Në këto kushte, zgjedhjet do të zhvilloheshin në afate të reja dhe do të rrëzoheshin të gjitha barrierat procedurale të këtyre ditëve, që do t’i jepnin mundësi edhe opozitës të bëhet pjesë e zgjedhjeve (edhe pas presionit apo negocimit ndërkombëtar), e po ashtu edhe koalicioni i majtë do të regjistrohej normalisht në një proces të rregullt afatesh të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Nëse do të ndodhë ndonjë nga këto, ngelet për tu parë, por në këtë kontekst të paparashikueshëm politik, të gjitha kartat janë të hapura.   

Rama
”Sot ishte një tjetër shprehje, shumë kuptimplotë, besoj, e vullnetit tonë të mirë. Në sallë janë numrat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ju e dini këtë. Megjithatë, ne, sikundër e kemi thënë më parë, për t’i dhënë të gjithë hapësirën e mundshme brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike, Partisë Demokratike dhe atyre që bashkë me të janë ngujuar në çadrën e frikës nga drejtësia, nuk paraqitëm një kandidat, sepse duam të krijojmë mundësinë që të mund të gjemë së bashku me atë pjesë që na mungon në Parlament, mundësisht konsensus rreth një figure që të jetë sa më përfaqësuese, sa më gjithëpërfshirëse. Ndërkohë që përsa i përket Presidentit të Republikës, e përsëris, ne duam t’i rikthejmë atij institucioni dinjitetin. Duam t’i japim atij institucioni mundësinë që të ngihet mbi palët. Duam një figurë që të mund të ketë një paanshmëri, qoftë edhe relative, por sidoqoftë paanshmëri, jo një figurë të anshme si kjo që kemi. Ne do presim. Nuk na nxiton asgjë. Më mirë një president i duhur dhe i pranuar nga sa më shumë, sesa një president i zgjedhur në një sallë ku opozita që duhet të vinte në punë, nuk vjen të punojë. Opozita e parlamentit të ri do jetë shumë më e larmishme. Jam i bindur edhe shumë më sfiduese, sesa kjo opozita që është një mikrobotë opozitare, për fat të keq, e mbyllur në një çadër, që edhe pse e madhe është mikroskopike në raport me botën opozitare. Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe nuk kemi asnjë kufi të paravendosur. Ne duam që t’i japim Shqipërisë një president dinjitoz, që të mund të qëndrojë sa më mbi palët, për aq sa Shqipëria, sigurisht, e bën të mundur këtë gjë, sepse të gjithë këtu jetojmë. Presidentin nuk po e presim të na vijë nga materniteti, po e presim ta gjejmë midis nesh. Ama është shumë e rëndësishme që të kemi një president që, kur jemi në situata si kjo, të ketë minimalisht autoritetin që t’iu bëjë një telefon të gjithëve dhe t’iu thotë “ejani të flasim njëherë se çfarë ndodh’, jo një president që nuk e bën dot këtë gjë, sepse është i njëanshëm. Mos kini merak! Vendi nuk do ngelet asnjë ditë pa president. Presidentin ne e duam për vendin, nuk e duam për vete. Po ta donim për vete, sot do ishit duke intervistuar këtu presidentin, jo mua”,-tha Kryeministri Rama pas konsumimit të raundit të parë presidencial.

Meta
“Natyrisht jemi duke zhvilluar procedurat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe natyrisht edhe ezaurimi i raundit të sotëm pa kandidat ishte një tregues i vullnetit dhe për të respektuar këto procedura.  Por njëkohësisht edhe i durimit dhe vullnetit për të patur mundësinë për biseduar edhe me opozitën, që të kemi një proces sa më bashkëpunues dhe mundësisht sa më konsensual për zgjedhjen e Presidentit të ri së bashku edhe me opozitën. Pasi dihet që kjo mazhorancë i ka numrat për të bërë një zgjedhje të plotë dhe legjitime të Presidentit të ri. Por besojmë se ky është një proces shumë i rëndësishëm që padyshim kërkon edhe meriton dhe bashkëpunimin e opozitës. Ishte një kërkesë e grupit parlamentar të shumicës dhe natyrisht dhe fakti që ky raund do të bëhet nesër nuk e përjashton mundësinë për të patur një kohë më të gjatë për tre raundet e tjera. Pra, janë 5 raunde. Ne do ta presim brenda të gjitha mundësive, por natyrisht nuk mjafton vetëm që ne ta presim, duhet edhe opozita të vijë. Kërkojmë që vendi të fitojë normalitetin që i duhet, që e ka të domosdoshëm, jo thjesht dhe vetëm për Presidentin, por edhe për procesin zgjedhor që kemi përpara. Për një klimë sa më të qetë dhe qytetare, sepse përndryshe kjo nuk është në të mirë as të kredibilitetit të institucioneve aktuale dhe të ardhshme të vendit. Njëkohësisht nuk është mirë as për situatën ekonomike, sociale, për biznesin vendas, për investitorët e huaj. Kështu që shpresojmë në përgjegjshmërinë dhe në reflektimin e të gjithëve”,-tha Kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
 
Procedura, si mund të konsumohen pesë raundet presidenciale

Si shpërndahet parlamenti në rast se PS dhe LSI nuk zgjedhin një emër  

Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me një shumicë prej jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në votimin e parë, votimin e dytë ose votimin e tretë. Në votimin e katërt dhe në votimin e pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Në rast se në votimin e parë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të dytë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të parë. Për votimin e dytë mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë është tërhequr. Në rast se në votimin e dytë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e kryerjes së votimit të tretë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të dytë. Për votimin e tretë mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimin e parë ose të dytë, ose kur kandidati që ata propozuan në votimin e parë ose të dytë është tërhequr. Në rast se në votimin e tretë nuk arrihet shumica prej tri të pestave të votave, Konferenca e Kryetarëve menjëherë cakton datën e votimit të katërt, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të tretë. Për votimin e katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj nga jo më pak se 20 deputetë, që s’kanë marrë pjesë në asnjë grup propozues në votimet pararendëse, ose kur kandidati që ata propozuan në votimet pararendëse është tërhequr. Në rast se në votimin e katërt nuk arrihet shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Konferenca e Kryetarëve cakton menjëherë datën e votimit të pestë, i cili zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të katërt. Votimi i pestë zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votimin e pestë caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat për konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi i pestë zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të madh të deputetëve propozues. Në rast se edhe në votimin  e pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kryetari i Kuvendit shpall shpërndarjen e Kuvendit. Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Te Nazua' kafeneja e vogël e Progës, nën kërcënimet e gjobëvënësve

VIDEO/ 'Te Nazua' kafeneja e vogël e Progës, nën kërcënimet e gjobëvënësve