Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të Donald Trump, duke i cilësuar ato shpifje dhe duke pretenduar prej tij ndaljen e sulmeve personale.

Në një postim të gjatë në rrjetin social X, Petro i është drejtuar Trump dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke u kërkuar atyre të ndalojnë, sipas tij, shpifjet ndaj figurës së tij publike.

“Nuk jam një president i paligjshëm dhe as një narkotrafikant. Emri im nuk figuron në asnjë çështje të trafikut të drogës,” shkroi Petro.

Kreu i shtetit kolumbian ka kujtuar gjithashtu arritjet e tij në luftën kundër drogës duke pretenduar se në cilësinë e komandantit suprem të forcave të armatosura, ka urdhëruar atë që e cilësoi si sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë botërore.

Në reagimin e tij, Petro ka deklaruar se ka besim të plotë te populli kolumbian dhe se për këtë arsye ka kërkuar nga qytetarët të mbrojnë institucionin e presidentit nga çdo akt, sipas tij, i paligjshëm apo i dhunshëm kundër tij. Petro tha se ndonëse është betuar se nuk do të prekte më armë me dorë, do të ishte gati të armatosej për hir të atdheut. 

Akuzat e Trump ndaj Petros përfshijnë pretendimin se presidenti kolumbian ka “fabrika dhe impiante të kokainës”, një deklaratë për të cilën Petro nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por që e ka cilësuar si të pavërtetë dhe fyese.

Përplasja verbale vjen në një klimë të tensionuar politike në rajon dhe pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë që kanë rritur përplasjet diplomatike mes vendeve të Amerikës Latine dhe Shteteve të Bashkuara.


Lajmi kryesor:

Maduro del para gjykatës amerikane: Jam i pafajshëm! SHBA në Këshillin e Sigurimit në OKB: Nuk ishte pushtim në Venezuelë, arrestuam një terrorist