Nisja e negociatave mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri ka qenë temë e diskutimit në emisionin 'Repolitix' në Report Tv të gazetarit Denis Minga.
Më 10 maj do të mbahet mbledhja e Konferencës së kryetarëve, ku do të vendoset edhe data për raundin e parë të votimeve për presidentin e ri. Aulon Kalaja, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD tha se është dakord për të marrë pjesë në këtë proces pasi do të tregohet qartë nëse Rama e ka pasur gati emrin apo po pret kandidaturat.
"Ata kanë qenë kategorik për të mos hyrë në këtë proces sepse sipas tyre është i paracaktuar. Mund të jetë edhe Rama vetë. Unë jam për tu respektuar procesi, duhet ti ikim problemeve të së kaluarës. Në rast se Edi Rama e ka seriozisht zgjedhjen e presidentit, duhet të merret pjesë dhe nëse e ka bërë gati, kjo do e nxirrte zbuluar mbretin lakuriq", tha Kalaja.
Ndërsa avokati Idajet Beqiri u shpreh se është e rëndësishme që të ruhet procesi, ndërsa ngre dyshime për fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do e mbështesin 100% opozitën nëse propozojnë një kandidaturë të mirë.
"Është ndryshe nga proceset e tjera që janë zhvilluar. Më duket në normalitet se nuk kemi më paragjykimin dhe frymën e bojkotit. Ne dimë si zgjidhet presidenti. Kjo ka qenë bojkot në fund të fundit dhe këtë radhë nuk e kemi këtë. Duhet ruajtur ky proces që as mazhoranca, as opozita të mos bëjë rolin e mistrecit. Pastaj varet çfarë quan Rama kandidaturë të mirë", tha Beqiri.
Ish kreu i KQZ, Kristaq Kume tha se shoqëria civile ka dërguar një propozim për një kandidat të mundshëm për president pas takimit me PS në kuadër të procesit të Konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
"Shoqëria civile nuk është zhdukur. Një grup kanë dërguar dhe një propozim për një kandidat të mundshëm për president. Unë do thoja që është veprimi i fundit dhe për së mbari. Opozita të marrë pjesë në proces duke vënë në tavolinë kandidatura", tha Kume.
Ndërsa ish deputeti Halit Valteri e cilësoi si "progresiv" hapin e Alibeajt për të gjetur një rrugë të mesme për zgjedhjen e presidentit.
"Unë shikoj deklaratën korrekte të kryeministrit që thotë jemi të hapur për bashkëpunim, thotë të ulemi të diskutojmë e të mbështesim propozimet tuaja. Nëse nuk jeni me këmbë në tokë, i kemi kushtet për t'i dhënë Shqipërisë një president. PD zyrtare, Alibeaj e shoh si një hap progresiv ndaj uljes në tryeza për të gjetur rrugë të mesme në zgjedhjen e një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Kemi parë cic-mice në shumë zgjedhje. Sot jemi në kushtet kur PD do të propozojë disa emra, flitet për Visar Zhitin, Dritan Demiraj, dhe shpresojmë që t'i jepet Shqipërisë një president që të përfaqësojë unitetin e popullit", tha Valteri.