Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot në një konferencë për mediat se nisma e PS-së për shkarkimin e tij nga detyra është shantazh dhe presion, ndërsa shtoi se vetëm ai mund të vendosë se kur do të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri dhe askush tjetër.

Kreu i shtetit u shpreh se vendimin për anulimin e zgjedhjeve e mori pas informacioneve nga partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese se grupe të të caktuara jashtë dhe brenda vendit mund të shfrytëzonin situatën për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit. Ai tregoi se kishte informuar vetëm kryetarin e PD-së, Basha para protestës për anulimin e zgjedhjeve dhe se bisedën e kishte regjistruar.

Përsa i përket komunikimit me kryeministrin Edi Rama, ai tha se nuk ka pasur asnjë tentativë për ta lajmëruar, por se kishte zhvilluar një drekë sekrete 10 ditë më parë për situatën politike. Gjatë fjalës së tij, Meta sulmoi edhe ndërkombëtarët kur deklaroi se 'këtu vendos unë. Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre deri tani" tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
Thirrja e Brukselit, Meta: Këtu vendos unë! Mjaft na kanë ngatërruar

Brukseli dhe OSBE përmes kreut aktual që drejton misionin Miroslav Lajcak bënë thirrje dje që të respektohet Kushtetuta dhe se shqiptarët duhet të votojnë brenda afateve ligjore që janë përcaktuar. Por në përgjigjen e tij për ndërkombëtarët, Presidenti Meta ishte mjaft i ashpër.  "Unë me zotin Lajcak kam folur edhe pak më parë, nëse ka ndonjë nga Brukseli që mund të nxjerrë ndonjë dekret për zgjedhjet le ta nxjerrë, për të gjithë duhet të jetë e qartë, presidenti jam unë, përgjegjësinë për stabilitetin e vendit e kam unë. Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre deri tani, eurojuristë. Krizën do ta zgjidhim, nuk kanë mbaruar as shqiptarët e përgjegjëshëm dhe as europianët e përgjegjshëm" tha Meta.

Ora 16:53
'Zgjedhje nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin tim! Çojeni dhe në Skrapar po të doni, por gjykimin e bën vetëm Kushtetuesja'

Njëjtë si kryeministri Edi Rama këmbëngul se 30 qershori është i padiskutueshëm, edhe presidenti Ilir Meta në konferencën për mediat tha se nuk do të ketë zgjedhje në atë datë, pa pasur dekret të presidentit.

I pyetur a ka konflikt interesi, përsakohë përfituese direkt është bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, Meta ju drejtua qytetarëve duke  u thënë të mos bëhen qesharak. Referuar institucionit që mund të gjykojë dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, vendim i paparashikuar në asnjë pikë të kushtetutës, Meta tha se këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë një vendim i Kushtetueses në 2017-ën kur presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani shtyu me një javë zgjedhjet pas marrëveshjes politike të 17 majit Rama-Basha, thoshte se dekretin mund ta gjykonte Gjykata Administrative ose Kolegji Zgjedhor, dhe se kjo nuk ishte në kompetencë të tyre, pra të Kushtetueses.

"Mos u bëni qesharakë, në Shqipëri ka vetëm një institucion që shpall zgjedhjet dhe ky është Presidenti. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione, vendimet e tij i gjykon vetëm Kushtetuesja. Mund t'i çoni në Administrative apo Kolegj, apo po të doni edhe në Skrapar. Por zgjedhje nuk ka dhe nuk do të ketë pa dekretin e Presidentit", tha Meta.

Ora 16:40
Meta si opozita: Zgjedhje pa garë! Ndërkombëtarët të shkojnë të monitorojnë në Korenë e Veriut

Me të njëjtën gjuhë si opozita, kreu i shtetit tha se zgjedhjet e 30 qershorit janë pa garë dhe se ndërkombëtarët as nuk duhet t'i monitorojnë ato por lë të shkojnë në Korenë e Veriut. Meta tha se në këto kushte Shqipëria nuk do të hyjë në BE, njëjtë siç opozita joparlamentare shprehet.

"Pluralizëm zgjedhje të lira dhe unitet. A ka ndonjë që beson se zgjedhjet e 30 qershorit do të ishin të lira dhe demokratike dhe shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre? Ju jeni të rinj, por ka një dallim mes zgjedhjeve dhe votimeve, shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje jo votime, se ashtu kanë pasur 45 vite. Nëse ka ndonjë europian dhe amerikan që do të monitorojë zgjedhje të tilla, le të shkojë në Korenë e Veriut, këtu jo se ka ardhur pluralizimi politik. Zero janë mundësitë pa e zgjidhur këtë krizë, jo për të çelur negociatat tani, por as në shtator dhe shumë vite integrimi nuk do të duket në horizont", tha Meta.

Ora 16:35
Meta: Reagimi i Ramës shantazh dhe presion...Çfarë të pres, që të shënohet një viktimë?!

Sipas Presidentit, kryeministri Edi Rama me përgjegjësinë e detyrës që ka duhej të tregohej më fleksibël dhe të mos shprehte atë vendosmëri se 30 qershori nuk lëviz. Ai tha se anulimi i zgjedhjeve është një vendim mjaft kurajoz për të ulur palët në dialog. Ai tha se nuk dëshiron që në rast të mundshëm të shënoheshin edhe viktima nga përplasje më 30 qershor, dhe përgjegjësia të binte mbi të se përse nuk e parandaloi situatën. Kreu i shtetit e quajti shantazh reagimin e mazhorancës pas vendimit të tij për të anuluar 30 qershorin.

"Kemi kohë për t'i konsumuar të gjitha hap pas hapi. Unë dua tu siguroj që ky akt është bazuar edhe ky në një konsensus, jo si të mëparshmit ku zhvillohej një dialog pastaj zgjidhej kriza, por përsëri mbi një konsensusin e dy palëve për të mos dialoguar, pretendimi i Ramës se 30 qershori nuk lëviz dhe pretendimi i Bashës se me Ramën si kryeministër nuk ka zgjedhje. Mendoj se Rama duhet të tregonte më shumë fleksibilitet. Kryeministri është përgjegjësi shumë e madhe. Edhe ata mijëra shqiptarë që protestojnë janë të Shqipërisë, ku ai është kryeministër, paguajnë taksa dhe kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen dhe jo të fyhen dhe denigrohen. Përpjekja ime ishte jo vetëm për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, por edhe për një dialog. A do ta zgjidhë? Është një përpjekje mjaft kurajoze, por e kam bërë me bindje që tu japë të gjithë palëve një mundësi që Shqipëria të vijojë në rrugën e integrimit. Në rast se do të kishte ndodhur diçka në datë 8 të gjithë do të thoshin, shumë vonë zoti President, çfarë bërë pritej që të shënohej edhe një viktimë?! Pa një vullnet serioz të dy palëve në radhë të parë të qeverisë se duhet të japë garanci për zgjedhjet dhe për fat të keq me mënyrën që ka reaguar edhe iniciativa e fundit kundër presidentit është shantazh dhe presion që i bëhet institucionit më të lartë, kryetarit të shtetit sepse bën një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat e republikës së Shqipërisë të mos tronditen dhe të mos rrëzohen", u shpreh Presidenti.

Ora 16:33
Meta: Rama e di që unë nuk kam frikë nga asgjë

Presidenti Ilir Meta tha se nuk i trembet drejtësisë. I pyetur nga gazetarët nëse lëvizja e tij lidhet me frikën e mundshme nga SPAK, Meta u përgjigj:

"Kam unë frikë? Rama e di që unë nuk kam frikë nga asgjë, pastaj e di ambasada amerikane. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia që kam para popullit në detyrat që unë kam. Populli duhet ta dijë që reforma në drejtësi nëse u miratua me konsensus dhe nëse ka rekomandimin për negociatat e ka nga lufta që unë kam bërë për ta miratuar reformën", tha Meta.

Ora 16:27
Kolla nuk e 'lë rehat', çfarë i ka ndodhur presidentit Meta? 'Më falni se kam qenë pak sëmurë...'


Presidenti i vendit, Ilir Meta gjatë fjalës së tij në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pikërisht nga institucioni që vetë ai përfaqëson për disa momente e ka patur të vështirë që të flasë. Ai është kollitur disa herë duke lënë të kuptohet se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Vetë Meta u është drejtuar gazetarëve duke u kërkuar ndjesë dhe duke thënë se kohët e fundit nuk ka qenë mirë. "Më falni se kemi qenë edhe pa qejf. Kam qenë pak sëmurë këto javë me thënë të drejtën, por sikur po bëhem pak më mirë" është shprehur Meta.  

Kujtojmë se edhe në konferencën e mbajtur një ditë më parë nga presidenti Meta, u vu re se ai ai pinte shumë ujë, gjë që mund ta ketë sjellë gjendja jo e mirë shëndetësore e tij.

Ora 16:25
Meta zbulon drekën sekrete me Edi Ramën

A ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama vendimin për anulimin e zgjedhjeve. Në konferencën për mediat, presidenti Ilir Meta zbuloi se ka pasur një drekë sekrete me kreun e qeverisë. Meta tha se kryeministri e ka parë shqetësimin e tij, dhe se duhej të ishte vetë Rama sipas tij, që të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve. Presidenti tha se është suprizuar nga reagimi që shefi i mazhorancës bëri direkt pas vendimit të tij nga Berati ku ishte për fushatë, kur tha se 30 qershori nuk do të vihet në diskutim dhe se zgjedhjet do të mbahen në atë datë. Meta po ashtu foli edhe për një tentativë që ka bërë për të komunikuar me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.

"Nga e dinte zoti Rama. Kemi pasur një drektë sekrete para 10 ditësh ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sesa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe sigurisht i takonte atij që të kërkonte një shtyrje të arsyeshme për zgjedhjet vendore. Që në 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t'i shërbyer një zgjidhje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar 30 qershorin dhe për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër. Kjo nxitje e imja për dialog nuk ka funksionuar dhe 2-3 përpara se të merrej ky vendim, Rama ka qenë në një emision dhe ka thënë se nuk e vendos në diskutim 30 qershorin. Nuk kam bërë tentativë për të komunikuar me Ramën atë ditë sepse më ka nderuar, ka vizituar Skraparin dhe Beratin për të marrë pjesë në miting. Kam bërë një përpjekje për të komunikuar me Zotin Ruci për ta takuar, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është e gjithë historia pse Rama nuk ka qenë i surprizuar. Unë jam i surprizuar nga reagimi i tij, ka kohë të reagojë", tha kreu i shtetit.

Ora 16:16
A u ndikua nga opozita (dhe Kryemadhi)?! Përgjigjet Meta dhe zbulon bisedën e regjistuar me Bashën

Zoti President a ka qenë vendimi për të anuluar zgjedhjet i dakordësuar me përfaqësuesit e opozitës? Presidenti Meta tha se kjo nuk është e vërtetë, dhe se lideri demokrat Lulzim Basha e ka marrë vesh vendimin e tij, pak para nisjes së protestës së tetë kombëtare kundër qeverisë, të shtunën, ku i është thënë për vendimin e anulimit të zgjedhjeve. Meta tha se i është kërkuar kryedemorkatit që protesta të ndalet në momentin e parë që do të kishte dhunë. AI tha se nuk ka pasur asnjë ndikim as nga ish-kryeministri Berisha, as Basha dhe as bashkëshortja e tij, kryetare e LSI-së Monika Kryemadhi. Meta tha se nuk është në atë detyrë për të plotësuar tekat e opozitës, por për të mos lejuar që 30 qershori të jetë një datë problematike në histori, duke ju referuar rrezikut real sipas tij për përplasje.

Meta tha se vendimin për anulimin e zgjedhjeve e mori pas bisedave me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri.

"Unë rri herë pas here me zotin Berisha ky nuk është ndonjë sekret i madh.

Përsa i takon nëse vendimi është influencuar nga Basha, Berisha, ja po e shtoj edhe nga Monika...Absolutisht. Madje dëgjova edhe një politikan me përvojë që thoshte se Presidenti e ka bërë këtë vendim për t'i shërbyer opozitës, kur vetë është në opozitë. Nëse kjo i shërben, i shërben pikërisht atij. Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 7:10-15 të fillimit të mitingut, përmes një telefonate zyrtare dhe Basha nuk e ka ditur, e cila është e regjistruar përmes sekretarisë telefonike. Ku i është kërkuar që të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë manifestim dhune, edhe që do të bëhej publik vendimi për anulimin e zgjedhjeve për të çtensionuar manifestimin dhe që të përfundonte sa më shpejt. Ky vendim nuk bëhet për të plotësuar tekat e opozitës përkundrazi opozita ka çështje mjaft të drejta që i ngre dhe unë i kam përkrahur edhe nga pozita të drejta. Por opozita ka edhe tekat e saj në kushte të caktuara dhe unë nuk jam këtu për të ndihmuar tekat e opozitës, por as kurrsesi për të toleruar që Shqipëria përveç datave mjaft problematike që ka me historinë e saj që nga 2 Prilli, 26 Maji apo më pas 28 Maji, 14 shtatori, 21 Janari të kishte edhe 30 Qershorin apo diçka e tillë më para. Në bazë të gjithë ta dhënave jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit. Në bazë të gjithë ta dhënave jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit dhe që faji të mbetet jetim. Vendimi u mor pas bisedave me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese këtu.", tha Meta.

Pse e regjistruat bisedën me Bashën? - u pyet Meta. "Ajo ishte për përgjegjësitë e mia dhe të Bashës nëse do të kishte probleme në miting", sqaroi Meta.

Presidenti tha se dreka me ish-kryeministrin Sali Berisha pak javë më parë nuk ishte sekrete, "por momente relaksi - siç u shpreh ai -  madje Meta tha se e ftuan gazetarët dhe jo Berisha.

Ora 16:13
Meta: Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti. Nuk e kuptoj pse duan t'më shkarkojnë

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se nuk e kupton arsyen pse mazhoranca kërkon të nisë procedurat për shkarkimin e tij, pas dekretit të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ai tha se mund të ikë nga presidenca pasi palët politike të zgjidhin krizën me dialog.

"Unë nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë, unë jam vetëofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti", u shpreh Meta.

Ora 16:10
Meta - qytetarëve: Zgjedhjet vendore do të mbahen në datë tjetër, ta caktojnë palët politike me dialog

Presidenti Ilir Meta ju drejtua qytetarëve shqiptarë duke thënë se zgjedhjet do të mbahen në një datë tjetër pas 30 qershorit brenda një afati të caktuar. Meta po ashtu ju drejtua palëve politike të gjejnë dakordësi për të caktuar datën e re të zgjedhjeve vendore. Ai kërkoi që palët të ulen në dialog për zgjidhjen e kësaj krize. 

"Zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme në një afat të arsyeshëm në respekt dhe në frymën e Kushtetutës. Ndërkohë që Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë Kushtetutën, të thellohen dhe të shfrytëzojnë hapësirën për të gjetur zgjidhjen për krizën përfshirë datën e re. Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe gati të marrë vendime të rëndësishme në përputhje me kompetencat për t'i shërbyer interesit kombëtar. Bëj thirrje për dialog, pasi do të ndihmonte në çeljen e negociatave", tha Meta

 

Ora 16:05
"Ndërkombëtarët kanë lexuar gabim Kushtetutën?! Meta: Vendimin për anulimin e zgjedhjeve e mora me përgjegjshmëri të plotë

Kreu i shtetit Ilir Meta ka këmbëngulur se vendimi i tij për të anuluar zgjedhjet është marrë me përgjegjshmëri të plotë, dhe se ka rrezik real për përshkallëzim të situatës ditën e zgjedhjeve, të dekretuar për herë të parë prej tij më 30 qershor. Ai tha se nuk e ka shkelur kushtetutën. Meta tha se ka modele kushtetuese të përkthyera gabim, edhe në gjuhë të ndryshme. Duke ju drejtuar në mënyrë indirekte ndërkobmëtarëve, që mund ta kenë lexuar gabim kushtetutën shqiptare nga përkthimet sipas tij jo të sakta, Meta ka cituar disa pjesë nga Kushtetuta.

"Me përgjegjësi të lartë në datën 8 qershor para zhvillimit të protestës bëra publik vendimin për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve. Vendimi u mor me përgjegjësi të plotë nisur nga faktet dhe informacionet se në datë 8 qershor mund të kishte destabilitet për jetën e qytetarëve dhe rendin Kushtetues. Dje bëra të ditur argumentet. Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re për fat të keq disa reagime të ndryshme se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke krijuar qëllimisht një gjendje emullie. Duke e ditur fort mirë që në Tiranë qarkullojnë edhe disa modele të ndryshme të Kushtetutës edhe disa të përkthyera gabim. Jam i detyruar që të dal para jush për ata që kanë lexuar një tekst të lexuar keq. Ju bëj me dije se Kushtetuta zyrtare është kjo këtu që po iu tregoj unë. Kushtetuta që nga neni 1 dhe deri në fund nuk përcakton afatin kur zhvillon zgjedhjet, nuk thotë që zhvillon në datë 30 të këtij muaji apo tij, këto i ka Kodi Zgjedhor. Edhe partitë e dinë mirë sa e kanë respektuar. Në disa raste kanë ndryshuar jo Kodin por edhe Kushtetutën brenda një nate. Si shpjegohet se ish-presidentët që kanë shtyrë zgjedhjet nuk janë akuzuar se kanë shkelur Kushtetutën, por kanë bërë zgjedhjen më të mirë për vendin referuar rrethanave", tha Presidenti.

Ora 16:59
Deklarata e jashtëzakonshme e Presidentit Meta