Presidenti kthehet në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Harris vazhdon fushatën

Presidenti kthehet në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Harris vazhdon fushatën

Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti Joe Biden u rikthye në Shtëpinë e Bardhë të martën pas një jave të mbushur me ngjarje që ai e kaloi krejtësisht larg vëmendjes së publikut. Megjithatë, ai u bë lajmi kryesor pas vendimit për të hequr dorë nga gara për t’u rizgjedhur.

Ndërkaq, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell nënpresidentja Harris e vazhdoi fushatën duke mbetur e vetmja kandidate e pritshme e demokratëve që kërkon emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale.

Në Shtëpinë e Bardhë ka rënë qetësia që pas vendimit të Presidentit Biden për t’u tërhequr nga gara.

Presidenti u rikthye në Shtëpinë e Bardhë të martën, pasi qëndroi gati një javë i izoluar për shkak të prekjes nga Covidi. Nënpresidentja Kamala Harris ndërkohë filloi fushatën e saj në Uiskonsin.

Senatori JD Vance, kandidati i republikanëve për nënpresident, po atë ditë vendosi të sulmojë të dy demokratët.

“Historia do ta mbajë mend Joe Biden-in si një nga presidentët më të këqij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, Kamala Harris është një milion herë më e keqe. Ajo mbështeti çdo dështim të Joe Biden-it dhe gënjeu për aftësinë e tij mendore për të shërbyer si president”, tha zoti Vance.

Në Uashington, Sekretari i Shtetit Antony Blinken vlerësoi rolin e zonjës Harris në politikën e jashtme amerikane.

Por ai e vuri theksin tek punët e shumta që Presidenti Biden ka përpara tij, edhe pse zonja Harris po bën fushatë për t’u bërë Presidente.

“Ai është i përqëndruar intensivisht tek puna që mbetet gjatë këtyre gjashtë muajve të ardhshëm për të vazhduar përpjekjet, punën që ne kemi bërë, veçanërisht për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme, duke i dhënë fund luftës në Gazë”, tha zoti Blinken.

Analistët kanë qëndrim të njejtë

“Këtij mandati presidencial i kanë mbetur edhe gjashtë muaj dhe ka ende sfida reale, si në vend, për sa i përket uljes së kostos së jetesës si dhe sfidat jashtë shtetit. Ende vazhdojnë përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe paqe në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për të kundërshtuar luftën e Rusisë në Ukrainë”, thotë Navin Nayak, President i Qendrës për Fondin e Veprimit të Progresit Amerikan.

Kjo situatë gjithashtu i vë udhëheqësit e huaj në një pozicion të pazakontë, siç është rasti me Kryeministrin e Izraelit i cili këtë javë do të takohet me Presidentin Biden, nënpresidenten Harris dhe ish Presidentin Trump.

“Unë mendoj se Biden-i ka një problem pasi udhëheqësit e huaj e dinë se ai nuk do të jetë President pas disa muajsh. Ata do të hezitojnë të bëjnë marrëveshje me të, sepse e dinë se kushdo që vjen pas edhe nëse fiton zonja Harris, ajo ka të ngjarë të ketë ekipin e saj të politikës së jashtme dhe qëllimet e saj. Nga ana tjetër, mendoj se disa udhëheqës të huaj do të duan t'i realizojnë gjërat që mund t'i arrijnë shpejt me Presidentin Biden, sepse nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas”, thotë Jeremi Suri nga Universiteti i Teksasit në Austin.

Për herë të dytë këtë muaj, Presidenti Biden do t’i drejtohet kombit nga Zyra Ovale. Sonte në mbrëmje, ai do të japë më shumë sqarime pse mori vendimin për t'u tërhequr./ VOA

 

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'PD ka më shumë frikë nga të vetët', Bamir Topi: Mazhoranca ka strukturë të qëndrueshme elektorale! Rama luan në fushë të madhe

'PD ka më shumë frikë nga të vetët', Bamir Topi: Mazhoranca ka strukturë të qëndrueshme elektorale! Rama luan në fushë të madhe