Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një takim me përfaqësinë e studentëve protestues të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, të cilët kundërshtojnë tarifën diskriminuese të shkollimit në Universitetin publik, pas transferimit nga Institucionet Arsimore të mbyllura jo-publike.

Gjatë takimit, studentët denoncuan dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj tyre dhe nxjerrjen me forcë nga greva e urisë në orët e vona të natës, përfshirë dëmtimet fizike, kërcënimet, ofendimet dhe zhvendosjen e qëllimtë në komisariate të ndryshme të policisë së Tiranës. Studentët, pasi dhanë dëshmitë individuale dhe kërkuan ndihmën e Presidentit, ripërsëritën edhe një herë pretendimet e bëra tashmë publike, ndaj diskriminimit financiar që po u bëhet nga ana e Ministrisë së Arsimit në raport me studentët e tjerë. Ata informuan Presidentin e Republikës se kërkojnë siguri fizike dhe ligjore, mos penalizimin e tyre nga fakultetet përkatëse, dhe trajtim të barabartë financiar me studentët e tjerë që studiojnë në Universitetet publike në vend. “Përkundër kërkesave tona racionale dhe plotësisht legjitime, të pranuara edhe nga zyrtarë të MAS, përgjigja që marrim nga Ministrja dhe Policia e Shtetit është diskriminimi dhe dhuna”, - sqaruan studentët. Ata bënë me dije se do të vazhdojnë përpjekjet me të gjitha format demokratike në mbrojtje të së drejtës për t’u trajtuar njësoj jo vetëm me studentët e regjistruar në Universitetet publike të vendit, por edhe me studentë të tjerë të transferuar nga Institucione Arsimore private të caktuara në Universitetet Publike.

Pasi dëgjoi shqetësimet dhe dëshmitë e studentëve, Presidenti Nishani u shpreh se solidarizohet plotësisht me të drejtën për trajtim të barabartë përpara çdo shërbimi publik që ofrohet ndaj çdo qytetari të këtij vendi. Presidenti Nishani theksoi se ndërhyrja brutale dhe përdorimi i dhunës ndaj studentëve është një akt i papranueshëm, plotësisht i dënueshëm, dhe se këtë çështje do ta trajtojë me seriozitetin maksimal me institucionet e shtetit, përfshirë Prokurorinë, Ministrinë e Brendshme, etj.


Duke u ndalur në thelbin e protestës së studentëve, Kreu i Shtetit nënvizoi se e mbështet në parim reformën në arsimin e lartë, e po kështu vlerëson se Ministria e Arsimit, dhe në përgjithësi institucionet shtetërore kanë përgjegjësinë dhe detyrimin që të sigurojnë një proces tranzitimi që nuk cenon të drejtat e asnjë studenti.

Presidenti Nishani konsideroi se zgjidhja e ofruar nga përfaqësia e studentëve qëndron mbi baza të arsyeshme e ligjore, dhe se do ta mbështesë dialogun për arritjen e një marrëveshjeje mes studentëve dhe MAS-it, por se kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet dhunës dhe intimidimit ndaj studentëve.