Presidenti, palët arrijnë dakordësinë! Opozita propozon emër për 2 raundet e ardhshme, pastaj PS! Alibeaj dorëzohet para qëndrimit të të gjitha grupeve! 'Rithemelimi': Tallje e Ramës

TIRANË-“Nuk duam President të opozitës, por President të të gjithë shqiptarëve”. Me këtë fjali Kryetari i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj vijonte të insistonte për konsensus për zgjedhjen e Presidentit të ri, por se si kjo mund të bëhet pa propozuar asnjë emër opozita ai nuk jepte asnjë përgjigje. Alibeaj insistonte se opozita duhet të marrë garanci nga mazhoranca se propozimi i opozitës do të miratohet dhe e raund të katërt dhe të pestë nuk do të ketë.

Por për këtë qëndrim insistues këtë herë Alibeaj është kundërshtuar edhe nga palët e tjera të opozitës. Fatmir Mediu, Mesila Doda dhe Agron Duka u shprehën se avancimi i procesit pa propozim konkret kandidatësh është absurd. Mediu tha se nëse sillet në këtë mënyrë opozita do të bëjë gabimet e së kaluarës duke i dhuruar pushtet Partisë Socialiste.

Alibeaj ka bërë një prapakthehu dhe mbledhja e sotme ka dalë me një vendim. Palët kanë rënë dakord që opozita të japë emër në 2 raundet e ardhshme, ndërsa nëse do jetë e nevojshme do të ketë të drejtë edhe PS të japë emra në raund të katërt dhe të pestë. 

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj duke iu drejtuar përfaqësuesve të mazhorancës kërkoi qëndrimin nëse ata janë dakord me dokumentin e dorëzuar nga opozita që të jetë kjo e fundit që të bëjë propozimet konkrete. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla shprehu dakordësinë që deri në raundin e tretë propozimet janë të opozitës.

“Sillni propozime. Deri në raundin e tretë keni të drejtën e propozimeve. Ne nuk po propozojmë deri në raundin e tretë. Sillni propozimet, bëjeni si ta doni. Nëse doni të konsultoni për emrin me ne na thoni. Ramë dakord, pranohet dokumenti juaj deri në raundin e tretë”, tha Balla

Tashmë opozitës do t’i duhet të ulet brenda vetvetes dhe të shprehë brenda ditës së diel kandidaturat për emrin e kreut të shtetit. Pavarësisht se ende nuk janë ulur, deputetët e opozitës kanë hedhur mediatikisht ide për emra si ai i Visar Zhitit dhe Neritan Cekës, por dhe Halim Kosovës si kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar kreun e shtetit.

Dakordësia e arritur sot është kundërshtuar nga Komisioni i Rithemelimti të Berishës. Luçiano Boçi, i cili sipas 'Rithemelimit' është mandatuar për negociatat për presidentin me opozitën, i konsideron false bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeajt. Sipas tij Balla dhe Alibeaj procesi është një tallje.

Për herë të parë sot u zhvilluan negociata mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, për emrin e ri të presidentit të vendit. Negociatat, me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, u zhvilluan në prani të kamerave. Palët e 4 grupeve parlamentare u mbledhën Kryesinë e Kuvendit.  

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, ku nuk munguar akuzat dhe kundër akuzat mes palëve. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk kishte asnjë kandidat për t’u votuar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ia lënë vendin katër raundeve të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:36
Boçi: Rama do të jetë ai që do të ngrejë kupën e presidentit, i ka lënë topin për momentin Alibeajt

 

Për Luçiano Boçin, kryeministri Edi Rama do të jetë ai që do të zgjedhë presidentin dhe se tallet me Enkelejd Alibeajn.

‘Rama e zgjedh vetë kundërshtarin. Zgjedh disa kokrra, propozoni por unë kam të drejtë t’iu rrëzoj., Jam unë ai që vendos se kush do të ngrejë kupën e presidentit. Tryeza nuk ka vlerë në nivelin parlamentar, por politik. Në vazhdimësia në rastin, kur i jepet opozitës e drejta propozuese mund të konvergojmë ndonjë emër. Ne do të vazhdojmë në drejtimin për të bashkuar PD-së. Po keqpërdoret grupi parlamentar i PD-së.. Me anëtarët e grupit parlamentar komunikon me email- me tjerët me Ballën preferon që të përqafohet. Kandidatët e opozitës do të rrëzohen. Topin do ta mbaj një aktor siç është Alibeaj, në momentin që afrohet për të gjuajtur topin, e merr vetë Rama dhe e gjuan vetë.’- tha Boçi.

Ora 12:28
Konsensusi për Presidentin, ‘Rithemelimi’ kundërshton: Zgjidhja është tallje! Alibeaj nuk është mandatur nga askush

 

Luçiano Boçi, i cili sipas Komisionit të Rithemelimit të Berishës është mandatuar për negociatat për presidentin me opozitën, i konsideron false bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Enkelejd Alibeajt. Sipas tij Balla dhe Alibeaj procesi është një tallje.

“Zgjidhja është ‘sui generis’. Dikush nga mazhoranca ka propozuar se opozita mund të ketë kandidat në tre raundet e para, ndërsa në raundet e tjera nuk mund të ketë. Mazhoranca që I ka votat e ruan propozimin e saj për raundet e katërt dhe të pestë. Pse duhet të ndërtojmë një proces të tillë tallës?”, tha ai teksa e vë theksin edhe te fakti që Alibeaj nuk është mandatuar nga asnjë institucion i Partisë Demokratike.

“Nga ana tjetër Kushtetuta e thotë qartë se negociatat janë tërësisht politike, jo të gruvepe parlamentare. Balla, Gjiknuri dhe Spiropali janë të mandatuar nga partia ndërsa Alibeaj nuk ka asnjë mandate të dhënë nga partia apo grupi parlamentar”, tha Boçi.

Ora 12:14
Zgjedhja e Presidentit, ironia e Patozit: Bëjini një sfilatë kandidatët

1652868888_2806625105523549896178745992677018602567723n1.jpg

Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, përmes një postimi në Facebook ka komentuar procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke ironizuar bisedimet mes palëve. Ai ka propozuar që kandidatët për president të bëjnë edhe një sfilatë.

“Meqë negociatat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës po bëhen para kamerave, futini edhe një sfilatë të kandidatëve, që ta bëni tamam dhe të plotë transparencën.  Dhe pasi të parakalojnë ata përballë jurisë kompetente, shpallni pastaj të hapur televotimin për publikun, që fituesi të jetë sa më i mbështetur dhe gjithëpërfshirës”, ka shkruar Patozi.

Ora 11:29
Arrihet konsensusi i parë për zgjedhjen e presidentit të ri: Dy raundet e ardhshme, propozon opozita!

 

Palët kanë arritur dakordësinë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri. Pas diskutimeve, opozita ra dakord që në dy raundet e ardhshme të propozojë për zgjedhjen e presidentit. Ndryshimi i vetëm i dokumentit të Alibeajt është që opozita do të ketë ekskluzivitetin për zgjedhjen e presidentit në raundin e dytë dhe të tretë ndërsa PS nuk do të bëjë propozime. Nëse nuk miratohet asnjë kandidat deri në përfundim të raundit të tretë, më pas PS ka të drejtën të propozojë në raundin e katërt dhe të pestë.

"Si më the a keni besim tek ju? Jo. Ju deshët të merrnit presidentin e federatës, le më këtë. Nuk jeni fare për t'ju testuar në këtë pikë. Ne flasim për një gjë tjetër, 3 raundet e para, propozimi të jetë i opozitës, pikë", tha Alibeaj.

Ndërsa Balla iu përgjigj: "Po e zgjidhëm, ramë dakord. Deri raundin e tjerë, propozimet i keni ju. Ne të tre thamë të njëjtën gjë sa herë  folëm. Sillni propozimet, bëjeni si të doni ju. Nëse doni të konsultoni një emër, thoni kur. Ramë dakord, pranohet dokumenti juaj deri raundin e tretë."

Ora 11:19
Gjiknuri: Sillni emra sipas kritereve që keni vendosur! Lini një orar sot pasdite dhe hajdeni të dialogojmë

 

Damian Gjiknuri i bëri kërkesë Enkelejd Alibeajt dhe opozitës që të mblidhen në tavolinë negociatash për të folur me emra konkret për presidentin e ri. Gjiknuri i thotë se nuk mund t'i paragjykojnë se po i përdorin raundet e para për të arritur në raundet e fundit që ta zgjedhin vetë presidentin, ndaj i fton të dialogojnë.

"Ne jemi dakord, sillni një emër që përmbledh kriteret! Një, 2, 3, 4 emra, hajdeni në tavolinë negociatash! Nuk ka nevojë për shfaqje, na jepni shansin dhe ne e mos na paragjykoni. Nuk keni të drejtë të na paragjykoni. Ne nuk do ta lëmë vendin pa president nëse raundet do të digjen. Jam dakord me Alibeajn, sillni emrat sipas kritereve që keni vendosur dhe hajdeni ti negociojmë, që sot pasdite lini një orar dhe hajde të dialogojmë, gjithçka tjetër është politikë. Nuk jemi studio politike", tha Gjiknuri.

Ora 11:09
Mediu: Nëse opozita nuk shkon me kandidatë bën sërish gabimin fatal dhe i dhuron pushtet mazhorancës

 

Kryetari i Partisë Republikani, Fatmir Mediu, edhe një herë bëri thirrje që opozita të propozojë kandidatë.

“Opozita duhet të shkojë patjetër me kandidatura ose do të vijojë të bëjë gabimin fatal që i dhuron pushtet mazhorancës. Kjo u bë e papranueshme për vetë opozitën. Duhet të kërkojmë atë që është më e lehtë. Të ulemi me njëri-tjetrin dhe të themi që kemi 2-3 kandidatura serioze. Nëse ata nuk pranojnë përgjegjësia pastaj është e tyre. Përgjegjësia na obligon të marrim pjesë në proces. S’kam asnjë problem me sjelljen e mazhorancës, diferencën e bën qëndrimi ynë si opozitë”, tha Mediu.

Ora 11:09
Presidenti i ri, Duka: Të provojmë të propozojmë kandidatë, nuk ma kap truri të jetë e vështirë kjo punë

 

Agron Duka ishte i qartë në fjalën e tij për opozitën dhe mazhorancën teksa diskutojnë për zgjedhjen e presidentit të ri. Duka tha se duhet të provojnë të flasin me emra për kreun e ri të shtetit dhe do ia lënë në dorë mazhorancës që të tregojë nëse i bënë raundet vetëm për të arritur ku donin vetë apo jo. Nuk mungoi dhe batuta e tij me shifrat duke shkaktuar shumë të qeshura.

"Të gjejmë nja 20 firma. Të kemi sy e faqe para publikut që të themi raundet e tjera bëjini vetë se nuk vijmë fare se e keni bërë si proces për të shkuar mulliri që doni vetë. Por duhet ta provojmë. Unë hyj tek njerëzit e thjeshtë, nuk ma kap truri që të jetë e vështirë kjo punë. Nëse pranojnë një nga kandidaturat tona, ta provojmë një herë. Ama kur thuhet ne bëjmë 84, për mua nuk shkon. Edhe unë e bëj. E keni 76 ju. Po sa i bie 7 dhe 6 se mos bëj gabime në matematikë. 8 veta i bëj dhe unë.  Nuk mund të shprehesh kështu. Nëse do ta bësh konsensual, nuk thua dot 84, konsiderohemi të gjithë bashkë. Të tregohemi pak më pragmatist, të mos i lodhim njerëzit. Duhet të gjejmë një njeri që na duket përfaqësues, këto ta ndjekin dhe vijojmë rrugën tonë. Pastaj i ndjekim nga televizori", tha Duka.  

Ora 11:02
Alibeaj: Garantoni se President të zgjedhur njëanshëm nuk do të ketë! Nuk bëhemi pjesë e lojës

 

Enkelejd Alibeaj përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se mazhoranca duhet të garantojë se nuk do të ketë një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme.

“Raundi i katërt dhe i pestë mund të eksplorohet vetëm në një rast, kur opozita e bojkoton procesin. Në këtë rast do të zgjidhej një President i mazhorancës, vetëm në rastin kur opozita nuk do të marrë pjesë në proces.  E para që ju duhet të thoni është që raund të katërt dhe të pestë nuk ka. Ndërkohë që ju e thoni gjithmonë ‘po të doni hajde negocioni, por ne kemi edhe raundin e katërt dhe të pestë’.  

Nëse thua që ju do të propozoni por do të propozojmë edhe ne s’po thua asgjë’. Po bëni lojë me propozime konsensuale, sepse thoni që sillini ndërsa ne i votojmë ose jo. Opozita nuk bëhet pjesë e kësaj loje. Askush s’mund të futet në një proces që të bëhet ‘mish për top’. Do të ishte sikur të luajmë ‘presidentësh’”, tha Alibeaj.

Ora 10:45
Negociatat për presidentin e ri, Balla-opozitës: Propozoni ju në 2 raundet e ardhshme, pastaj PS! Nuk pranojmë kandidatë nga 'katrani me bojë'

 

Në negociatat për presidentin e ri, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i bëri të qartë opozitës se ka të drejtë të propozojë në 2 raundet e tjera dhe kandidati të votohet. Më pas thekson se do ta ketë mazhoranca të drejën e propozimit të kandidatëve, por do ta bëjnë pasi opozitës të çojë emra konkret por nuk pranojnë asnjë kandidaturë nga "katrani me bojë" duke iu referuar Rithemelimit të drejtuar nga Berisha.

 "Nga sot deri në fund të këtij procesi kanë ngelur 4 raunde. 2 prej tyre i takojnë opozitës, 2 shumicës. Natyrshëm që 2 të mbeturat i takojnë opozitës sepse ne nuk i kemi 84 vota dhe i takon që të jetë bashkëpunuese, si dhe neve që të jemi shumë më shumë bashkëpunues. Nuk e di nëse do të kthehesha që në 28 mars kur kemi filluar procesin për të përgatitur propozimet tona për procesin dhe më pas për të inicuar procesin. Kemi pasur gjithmonë dëshirën të ulemi të gjithë bashkë si sot. Atë që tha Mediu këtu, e ka thënë edhe pa mediat. Edhe Doda pak a shumë në të njëjtën linjë. Shumë mirë që jemi 4 grupet sot në një sallë. Ju Alibeaj thoni opozita të ketë të drejtën e propozimit , unë jam dakord por jo të keni monopolin apo ekskluzivitet. Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. 

Unë mendoj që kështu jemi të barabartë. Natyrshëm që nuk propozojmë kandidatë pa e propozuar ju. Ju propozoni, ne do ta mendojmë dhe më pas kemi edhe ne të drejtën e propozimit. Për t'iu përgjigjur pse nuk propozon emra PS, nuk ka një proces që PS nuk e përgatit në kohë. Kemi 2 muaj që jemi përgatitru, kemi bërë seanca, kemi bërë takime, kemi bërë shumë konsultime me kolegët këtu dhe kemi gati një short listë tonën. Jua thashë, ku i dihet, në ato që propozoni ju mund të gjeni kandidatin për të qenë president i republikës. Sikur ne të biem dakord për një person që bie në rrjetin e dekriminalizimit, shkarkohet menjëherë. Prandaj propozimi ynë që ngjan sado pak me idenë që u hodhën këtu, ju keni të drejtë të propozoni, por jo deri në fund

Të mos vëmë kusht që procesi duhet të zgjedhë me çdo kusht një president me shumicë të cilësuar, kjo e tejkalon Kushtetutën. Procesi duhet të synojë zgjedhjen me shumicë të cilësuar, jo me çdo kusht. Edhe pjesë e kandidaturave që duhet t’i propozojë vetëm opozita, ta ndryshojmë ‘në raundet e para’ propozon opozita, ndërsa raundet e tjera propozojmë edhe ne. Që presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë të drejtën e 20 firmave. I keni ju 20 firmat? Silleni kandidatin, opozita mund të sjellë 3 kandidatë. Ne kemi vendosur një kusht që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. ", tha Balla.

Ora 10:36
Mediu: Absurde të hyjmë në parlament pa pasur një kandidaturë! S’kemi pse jemi pjesë e procesit për sa kohë nuk kemi një rezultat konkret

 

Kryetari i i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu tha se është absurde që opozita të hyjë në parlament pa pasur një kandidaturë. Mediu tha se nuk kanë pse të jenë pjesë e diskutimit për sa kohë asnjë palë nuk ka një rezultat konkret.

‘Unë mendoj se është absurde nëse hyjmë në parlament pa pasur kandidaturë. Hyrja në proces pa kandidaturë në raundit tjetër i jep shan justifikimit të një farse që është bërë pjesë edhe opozita. Ne si opozitë ose duhet të dalim me një kandidaturë të përbashkët, ose duhet të marrim qëndrim për të mos u bërë pjesë e këtij procesi. Nuk kemi kohë më, para se të ulemi me ju duhet të ulemi mes vetes sonë. E drejta është e çdo deputeti të opozitës për të propozuar. Nuk kam pse të jem pjesë e diskutimit me asnjë palë për sa kohë që nuk kemi një rezultat konkret dhe i jep frymë një procesi anormal.’- tha Mediu.

Ora 10:31
Mesila Doda: Çdo raund që ikën pa kandidat është një mundësi e humbur

 

Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda tha se Kuvendi po humb kohë dhe mundësi duke mos biseduar me kandidaturat.

“Ky parlament ka një histori, ka një memorie të veten. Ju e mbani mend kur disa njerëz uleshin me orë të tëra për të kaluar kandidaturat përkatëse. Çdo raund që ikën pa kandidat është një mundësi e humbur. Nuk besoj se politika shqiptare nuk e ka këtë mundësi që të debatojmë për një President. A ka mundësi të futemi në një proces real? Kemi momentin që të japim një rezultat të mirë për shqiptarët! Historia botërore njeh edhe konklavat për zgjedhjen e një pape. Për sa kohë jemi duke bërë politikë këtu, nuk do kemi mundësi për proces real”, tha Doda.

Ora 10:24
Negociatat për presidentin, Alibeaj: Morëm pjesë në proces që mazhoranca të mos këndonte 'ata s'erdhën, e zgjedhim ne'! Të propozojë opozita në raundet e para

 

Në diskutimet për presidentin e ri të vendit, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka treguar se kanë marrë pjesë në këtë proces vetëm që të mos vinte raudni i katërt dhe i pestë e mazhoranca të bënte zgjedhjen duke fajësuar opozitën se braktisi procesin.

"Opozita mori pjesë në këtë proces për të mos krijuar alibi, arsye të paqena që pjesa tjetër e Kuvendit të shkojë në raundin e katërt dhe të pestë e të këndojnë "Ata s'erdhën, por e zgjedhim ne". Kjo nuk do ti shërbente askujt, thjesht do ishte zgjatim i mazhorancës. Kjo është arsyeja pse kemi marrë pjesë në këtë proces. Pavarësisht ndryshimeve të 2008, thelbi mbetet, 3 raundet e para presidenti duhet të zgjidhet me jo më pak se 84 vota.

Ajo që sot konsiderohet mazhorancë nuk e ka legjitimitetin real, atë që buron nga zgjedhjet. Kriteret nuk janë ndonjë habi, përveç kritereve, legjislacioni përmbante një sërë kriteresh të tjera të shpërndara andej-këtej që i referohen institucioneve të tjera dhe ka ardhur e gjitha si nevojë për deformimin për të implementuar edhe për presidentin. Pjesa e dytë i përket procesit. Është legjitime, e justifikuar, shkon drejt frymës së kushtetutës. Në 3 raundet e para, e drejta për të propozuar t'i përkasë opozitës", tha Alibeaj.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Endri: 18/05/2022 14:47

    Visar Zhiti eshte kandidature e mire nese vendosin

    Përgjigju
  • Sala: 18/05/2022 13:56

    Hajd se po mblidhen , po te pd ska kush te mblidhet se ato jane kokrra kokrra

    Përgjigju
  • Klevi: 18/05/2022 13:55

    Shpresojme te vije nje president i hajrit dhe te mos kemi ndonje budall si likja .

    Përgjigju
  • DORDOLEC KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 18/05/2022 13:52

    O LUÇJANO POÇI shuar po ça do ti da vem Präsidentin me urdhër e non gratën tate o LUÇJANO surat patate. Po hikni mor njerëz ordiner se e keni qelbur keq ktë vën e keni bo vënd të pa durushëm. Në një koh që ky vënd është një vënd prall i bukur e i begat mor lugat të pa din e iman Ore katran A që popullit jetën ja keni nxi.

    Përgjigju
  • Aldi: 18/05/2022 13:36

    Po kerkohet qe presidenti i ri te jete i denje per postin dhe mbi palet. Shpresoj te behet zgjedhja e duhur.

    Përgjigju
  • aldo: 18/05/2022 13:33

    po pse m alibeaj a ska qene vete rama qe ju ka ofruar dialog dhe mundesine per te dhene kandidature

    Përgjigju
  • Jorgo: 18/05/2022 13:33

    Aman me keto raundet e keni bere si ndeshje boksi ,ishallah po vjen ne pushtet nje president qe ka cfar ti jape popullit te tij vetem nje si likja mos vij me

    Përgjigju
  • Eris: 18/05/2022 13:32

    Partia socialiste gjithmone i ka menduar gjerat mire dhe mendoj qe edhe kete here do beje zgjedhjen e duhur

    Përgjigju
  • goni: 18/05/2022 13:32

    Dua shume qe te jene zgjedhjet pa konflikte dhe te zgjidhet nje president i sakte jo ndonje se ilir meta

    Përgjigju
  • Klejd: 18/05/2022 13:24

    PS gjithmone i ka menduar me shume nga te gjithe gjerat dhe nuk jane nxituar. Prandaj jam i sigurt se do te bejne zgjedhjen e duhur dhe presidenti qe do te vendoset do te jete i denje per te mbajtur ate post per gjithe popullin.

    Përgjigju
  • tiku: 18/05/2022 13:21

    hahah kuper ta ngrit rama sepse vetem ai e meriton.Te ngelet ne doren e pd do na marr lumi

    Përgjigju
  • redi: 18/05/2022 13:19

    kupen ka per ta ngrit ai qe e meriton dhe jo nje i paafte...shpresoj te zgjidhet president nje njeri i duhur

    Përgjigju
  • Megi: 18/05/2022 12:55

    Besoj qe do behen zgjedhjet e duhuraa????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Nuk u shpall fituese e Festivalit të Këngës, reagimi i Elvana Gjatës: 10 herë bie, 11 do ngrihem

Nuk u shpall fituese e Festivalit të Këngës, reagimi i Elvana Gjatës: 10 herë bie, 11 do ngrihem