Presidenti Topi bëhet
“Qytetar Nderi” i Burrelit

Presidenti Topi bëhet <br />“Qytetar Nderi” i Burrelit
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot një vizitë pune në kryeqendrën e rrethit të Matit, në Burrel, ku u mikprit ngrohtësisht nga Kryetarja e Bashkisë, Adelina Farrici, deputeti i zonës, Qemal Minxhozi, këshilltarë bashkiakë, drejtues të strukturave vendore, personalitete të jetës intelektuale e kulturore si dhe banorë të shumtë vendas, me të cilët u përshëndet përzemërsisht.

Kreu i Shtetit zhvilloi fillimisht një takim në zyrën e Kryetares së Bashkisë, ku zonja Farrici, pasi bëri një panoramë shumëplanëshe të zhvillimit të qytetit, e njohu gjithashtu Presidentin me prioritetet kryesore të punës për të ardhmen. Një takim të veçantë, Presidenti Topi e zhvilloi më tej dhe me këshilltarë dhe përfaqësues të tjerë të strukturave vendore, të cilëve u shprehu emocionin e veçantë për mikpritjen me respekt e bujari.

“Ju siguroj që do të jem gjithmonë shumë bashkëpunues me ju në funksion të një të mire të përbashkët: në funksion të shtetit tonë, të standardeve më të mira të demokracisë për qytetarët e këtij vendi. Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për qytetarët. Shembulli që ju jepni në këtë Bashki duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojë edhe bashkëpunimi i mirë që gëzoni duke e mbështetur njëri-tjetrin. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe atij qendror duhet të komunikojnë në mënyrë shumë racionale, sepse demokracia është respekt, komunikim dhe debat, është vendimmarrje dhe në fund fare, është dhe rotacion. Të bashkojmë forcat për të realizuar hartimin e politikave të perspektivës së ndërtimit dhe të funksionimit të këtij qyteti. I kemi të gjitha shanset që, duke bashkërenduar forcat, të bëjmë vepra të mira. Ju përgëzoj për frymën e bashkëpunimit që ekziston mes jush në të mirë të qytetarëve”, - theksoi Kryetari i Shtetit gjatë këtij takimi.

Në vijim, në mjediset e Pallatit të Kulturës, në një atmosferë festive, u zhvillua ceremonia e nderimit të Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi me titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Si intelektual i shquar, mbartës i vlerave qytetare të trevës që e lindi, shtetar i ekuilibruar, korrekt e i paanshëm, dhe për dashamirësinë e treguar për Matin dhe matjanët”. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjer Jensen, intelektualë dhe banorë të shumtë të qytetit të Burrelit. Titulli i është akorduar Kryetarit të Shtetit nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me vota unanime. Gjatë ceremonisë, motivacioni u lexua nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë Këshill Bashkiak, Hysen Kuka, ndërsa titulli iu dorëzua Presidentit nga Kryetarja e Bashkisë së Burrelit, Adelina Farrici.

Në fjalën e tij me këtë rast, Presidenti Topi u shpreh:

“E nderuar zonja Kryetare e Bashkisë së Burrelit,
I nderuar zoti Ambasador,
I nderuar zoti deputet,
Të nderuar bashkëqytetarët e mi!

Natyrisht që njeriu në jetë ka shumë raste gëzimesh edhe hidhërimesh, por, ju siguroj që ky është një ndër çastet më të gëzuara të jetës sime, sepse duke ardhur edhe një herë në Mat, duke ardhur edhe një herë në Burrel, pavarësisht se kam ardhur edhe shumë herë të tjera, kam gjetur ekzaktësisht të njëjtën mikpritje, të njëjtën bujari, të njëjtën dashamirësi, të njëjtën qytetari dhe kjo do të thotë shumë. Sigurisht që nuk ka lidhje me mua personalisht, por ka lidhje me ju dhe me traditën e hershme të kësaj treve. Kjo trevë patriote, kjo trevë arsimdashëse ka nxjerrë figura të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Unë dëshiroj t’i bëj homazh të gjitha figurave historike që kanë dalë nga kjo trevë. Dëshiroj të citoj Ahmet Zogun, i cili doli nga kjo trevë, u bë mbreti i shqiptarëve dhe diti të themeloj vërtet një administratë, e cila respektohet edhe në ditët e sotme. Por, patjetër që kjo figurë dhe shumë figura të tjera janë në zemrën tuaj, janë në zemrën e shqiptarëve, sepse i kanë dhënë, e ne krenohemi me atë që kanë dhënë ata për historinë e kombit shqiptar.

Unë dëshiroj ta vlerësoj shumë këtë ditë! Kjo ditë për mua është e veçantë jo sepse unë nuk jam respektuar dhe në vende të tjera, por, ajo që tha zonja Kryetare e Bashkisë, është për t’u marrë si model në këtë qytet. Kjo shikohet tek mënyra e reagimit të qytetarëve, ata, të cilët nuk venë politikën në radhë të parë, por venë pikërisht atë element, që është element i traditës, i qytetarisë edhe i vlerave moderne që ka kjo trevë: mikpritja, bujaria, respekti. Dëshiroj që, nëpërmjet jush, nëpërmjet përfaqësuesve, Kryetares së Bashkisë, nëpërmjet këshilltarëve, t’i falënderoj të gjithë ata që ishin në shesh, ata që nuk patën mundësinë të ishin pjesëmarrës sot, por me zemër e di që kanë qenë shumë të vëmendshëm për këtë vizitë dhe që natyrisht kjo sallë nuk mund t’i mbledhë të gjithë! Jam i bindur që ju jeni koncentrati i vlerave më të mira të trevës matjane.

Dëshiroj që, nga ky mjedis të jap edhe një mesazh, një mesazh i cili i kalon kufijtë e këtij auditori të nderuar! Ky është një mesazh për të gjithë. Është mesazhi i unitetit, i komunikimit, mesazhi i vlerave njerëzore që është në zemrën e çdo shqiptari, pavarësisht bindjeve politike. Të gjithë duhet të punojmë së bashku, duhet të punojmë për Shqipërinë, pavarësisht se dikush jeton në Burrel, jeton në Tiranë, në Konispol, në Vermosh, në Shkodër, në Korçë, në Vlorë, në Dibër, të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për Shqipërinë, ta forcojmë Shqipërinë, ta bëjmë atë dinjitoze për të qenë realisht në standardet e familjes evropiane.

Një ndër vlerat më të mira është pjesëmarrja e grave në politikë dhe ky është një mesazh i dhënë nga unë, është dhënë edhe në tribunat politike, është dhënë nga partnerët ndërkombëtarë. Sot në Mat, në Burrel, ne kemi një model, i cili vlen të merret si pikë referimi. Kemi një Kryetare Bashkie grua, por kemi edhe një grua që është e pavarur në Këshillin Bashkiak, që do të thotë që nuk është thjesht një mbështetje për institucionin e Kryetares, por është vërtet një vlerë reale e shoqërisë matjane. Ky është një shembull që duhet të merret nga të gjithë. Unë, që e them këtë, kam pasur rastin të kem në dorë për të dekretuar zonja në krye të institucioneve dhe unë këtë e kam bërë. E kam bërë me dëshirë. E kam bërë, sepse e kam bindje që gratë jo vetëm që janë gjysma e popullsisë, por ju siguroj që janë gjysma e vlerave reale të intelektualëve shqiptarë, të qytetarisë shqiptare. Ne kemi nevojë t’i përkrahim. Këtë model ne e gjejmë këtu dhe unë vlerësoj bashkëpunimin që realizohet midis Kryetares dhe Këshillit Bashkiak. Uroj që ky bashkëpunim të forcohet në të mirë të çdo qytetari matjan, sepse qytetarët, kur duan të marrin shërbimet jetike të tyre, natyrisht që nuk duhet të ndahen as në të majtë, as në të qendrës, as në të djathë. Ka njerëz që nuk janë të angazhuar me politikën, por që të gjithë kanë nevojë për shërbimet jetësore. Dhe organet e pushtetit vendor e kanë këtë detyrim si pushteti më afër qytetarit që ta japin këtë për t’iu përgjigjur pikërisht votës që ka dhënë qytetari për ta. Jam i bindur që modeli i Burrelit do të jetë një model që duhet të shpërndahet si një rreze drite kudo, sepse ky është model harmonie, bashkëpunimi dhe qytetarie.

Së fundmi, duke mos dashur që këtë ditë ta mbush me fjalime, në mënyrë shumë figurative doja të thoja që shpeshherë njeriut i qëllon që duke shkuar edhe në Dibër, edhe në Bulqizë, nga nxitimi ndoshta nuk ndalon për të pirë një kafe në Burrel. Pas kësaj, unë e kam të detyrueshme të ndaloj këtu, sepse realisht ndjehem si ju, pjesë e rëndësishme e këtij qyteti që më nderoi.
Nderi qoftë me ju përjetë! Falemnderit shumë!”

Në përfundim, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi një vizitë në Muzeun Historik Mat, ku vëzhgoi të arkivuara një larmi objektesh historike të rëndësishme të zonës, eksponate interesante që flasin për traditat karakteristike dhe kulturën tipike të saj, si dhe dokumente të hershme që vërtetojnë lashtësinë e vendbanimeve të rrethit të Matit.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS