Konflikti më i fundit mes presidentit dhe mazhorancës për fatin e dekreteve të dy ministrave ishte një debat i kotë jo vetëm politik por edhe juridik. Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë se presidenti ka një afat 7 ditor për të çuar në Kuvend dekretet e ministrave të propozuar nga Kryeministri si në rastin e shkarkimit ashtu edhe në rastin e emërimit.
 
Në këtë kontekst pas propozimit të kryeministrit Rama për shkarkimin e dy ministrave dhe emërimin e dy ministrave të rinj , presidenti kishte thjesht detyrimin kushtetues të çonte në Kuvend 4 dekrete , 2 dekrete të shkarkimit dhe 2 dekrete të emërimit . Të 4 dekretet janë të ndara nga njëra-tjetra dhe 4 dekretet marrin fuqi vetëm kur Parlamenti shprehet për to.
 
Vetë presidenti në kërkesën e tij drejtuar gjykatës Kushtetuese i referohet vendimit nr 6/2002 të gjykatës e cila ka konkluduar se Si akt individual i nxjerrë nga një organ kompetent, ai hyn në fuqi ose shfuqizohet pasi Kuvendi merr një vendim për pranimin ose mospranimin e tij në përfundim të procesit të shqyrtimit.

Po le të shohim nenin 98.1 të Kushtetutës për të cilën ka kërkuar interpretim Presidenti në Gjykatën Kushtetuese. Në të thuhet shprehimisht:

Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 
Në këtë nen flitet mjaft qartë si për emërimin ashtu dhe për shkarkimin si dy procese të cilat Kushtetuta ia ka përcaktuar Presidentit të shprehet me dekrete. Të dy këto akte janë të ndara dhe nuk lidhen me njëra tjetra sepse përndryshe nëse do t’i rrinim strikt nenit në fjalë Presidenti duhet të kishte firmosur fillimisht dekretin e emërimit dhe më pas atë të shkarkimit.

Neni thjesht i jep të drejtën kushtetuese Presidentit të shprehet me dekret si për emërimin ashtu dhe për shkarkimin ë një ministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimeve pavarësisht situatës politike të një qeverie. Nga ana tjetër neni nuk përcakton aspak radhën e votimeve në Kuvend dhe nuk kushtëzon Parlamentin që kë dekret të votojë më parë. Në të vetmin moment ku neni kushtëzon Parlamentin është pika 2 në të cilin thuhet se “Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. ” 

Në këtë kontekst nuk është detyrë e presidentit të kërkojë votimin për shkarkimin e dy ministrave dhe më pas të cojë dekretet për emërimin e dy ministrave të rinj. Në rastin konkret detyra e presidentit ishte të çonte 4 dekrete duke u bazuar në 4 propozime të Kryeministrit brenda afatit 7 ditor. Presidenti e përmbushi sot këtë detyrim kushtetutës një ditë para afatit duke shmangur në këtë mënyrë një shkelje të rëndë pasi Kushtetuta është e qartë dhe nuk lë asnjë hapësirë për interpretim juridik.

Në këtë kontekst edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka nevojë fare të mblidhet sepse neni është i qartë. Për sa i përket merakut të presidentit se në një situatë hipotetike Kuvendi mund të mos pranonte dekretin e Presidentit për shkarkimin e ministrit të propozuar nga kryeministri , kjo është një përgjegjësi që lidhet tërësisht me Kuvendin dhe s’ka lidhje me institucionin e Presidentit.

Për këtë arsye në të gjitha rastet fillimisht Kuvendi ka votuar dekretet e shkarkimit dhe më pas ato të emërimit pavarësisht se kush emri i ministrit. Ky debat i lindur së fundmi me një maskim juridik tregon se pas kësaj maske ndodhet një konflikt politik mes Presidencës dhe mazhorancës. Por në fund e rëndësishme është që presidenti pavarësisht tymnajës juridike që krijoi vetë nuk e shkeli Kushtetutën.

Sic thotë një fjalë ë urtë “më mirë vonë se kurrë” dhe në këtë rast presidenti kishte nevojë më shumë për një fjalë të urtë popullore sesa për një këshillë juridike…