Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, zhvillon sot raundin e gjashtë të takimeve të veçanta me drejtuesit e partive parlamentare për të diskutuar gjetjen e një zgjidhje për ngërçin politik të pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Në takimin e nisur, PDK-ja është e përfaqësuar nga kreu i saj Hashim Thaçi dhe nënkryetarët Kadri Veseli e Hajredin Kuçi.
Pas takimit të kaluar Jahjaga theksonte se, "Kosova ka hyrë në një fazë kritike të saj dhe moskrijimi i shpejtë i institucioneve do ta vështirësojë jetën e qytetarëve dhe do ta pengojë funksionimin e përgjithshëm të shtetit".
Ky ishte raundi i pestë i takimeve të ndara të liderëve te Presidentja, i dyti pas shtyrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, me axhendë për të tretën herë zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve, të thirrur për 2 tetor, por të shtyyrë, pas ndërprerjeve dy herë në 17 korrik e 18 shtator.
Deputetë nga radhët e LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së, Nismës dhe të disa komuniteteve pakicë joserbe, janë mbledhur dje në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në të cilën kanë debatuar lidhur me gjendjen aktuale në vend.
Në deklaratën e përbashkët ata theksuan angazhimet për "konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t'i hapet rruga krijimit të Qeverisë së re duke respektuar parimet themelore të demokracisë parlamentare" dhe "zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare e cila kërkohet në Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e organeve të Kuvendit"./ATSH/








