Takimi në Bruksel, sekretari i NATO-s, Stoltenberg: Shmangni retorikën nxitëse! Osmani: Veriu është dhe do jetë pjesë e Kosovës! BE të ketë qasje të balancuar

NATO i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të largohen nga retorika që nxit tensione në veri. Në një konferencë të përbashkët për mediat në Bruksel, pas takimit me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mirëpret hapat për përsëritjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.

‘U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ikin retorikës nxitëse dhe të përmbahen, në linjë me zotimet e tyre. I mirëpresim hapat e fundit të marra nga Kosova për të ulur tensionet duke përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave speciale në veri, dhe planet për mbajtjen e zgjedhjeve. Është esenciale që të shmangen çfarëdo lloj eskalimi me tej, inkurajojmë të gjitha palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO e mbështet procesin e dialogut, e mirëpresim edhe takimin e ardhshëm në Bruksel.’- tha Stoltenberg.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se për shkak të Serbisë, rajoni rrezikon të bëhet pikë ndezjeje konflikti.

“Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës”.- tha Vjosa Osmani, president e Kosovës.

Osmani para Stoltenberg, kërkoi qasje më të balancuar të Bashkimit europian duke thënë se në disa momente ka munguar.

‘Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëjë thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon.’- u shpreh Osmani.

Ky takim i Osmanit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s vjen vetëm një javë para takimit të radhës për dialogun që do të mbahet në Bruksel më 14 shtator.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
Osmani: Kosova është sukses i NATO-s, forcat keqdashëse duan ta sfidojnë dhe rrënojnë atë

1694094365_os.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova është sukses historik i aleancës ushtarake, NATO, dhe se sipas saj, forcat keqdashëse duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë.

Gjatë konferencës për media në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, Osmani ka thënë se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Osmani tha se ka dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga Serbia. Ajo tha “Ne jemi për integrimin e veriut”.

“Jam këtu si dëshmi e orientimit strategjik të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës. Sukseset e Kosovës janë suksese të NATO-s dhe për këtë jemi krenar që kemi demokracinë më të gjallë në rajon. Duhet të jemi krenar për këto arritje. Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonall. Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendimet tona janë me ushtarët e lënduar”, tha Osmani, duke falenderuar Stoltenbergun për “pritje të ngrohtë”.

Osmani në emër të institucioneve shprehi gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit.

“Nëse ka pandëshkueshmëri ndaj sulmeve, kryesit ka rrezik që do të trimërohen për të përsëritur aktet e dhunës. Si presidente dhe në emër të institucioneve, i ofrojmë NATO-s bashkëpunim të plotë për t’i sjellë kryesit e atyre veprave para drejtësisë. Shpresoj që të punojmë së bashku për të përforcuar marrëdhëniet tona me KFOR-in, partnerin tonë më të rëndësishëm të sigurisë”, tha Osmani.

Presidentja ka përsëritur se orientimi i Kosovës mbetet i qartë, synimi është anëtarësimi në NATO. Ajo tha se Kosova nuk do shmanget nga rrugëtimi i NATO-s.

Si përfundim ajo tha “Na duhet NATO-ja si garantuese e paqes dhe demokracisë”.

“Objektivi strategjik i Kosovës është t’i bashkohet NATO-s. Kosova nuk do shmanget nga rrugëtimi euroatlantik në asnjë rrethanë. Ky është zotimi që i kemi dhënë gjeneratave të reja. Do të ofrojmë modalitetet më të mira për të avancuar partneritetin tonë dhe qëllimin tonë për anëtarësim në NATO. NATO-ja dhe Kosova janë përherë të lidhura mes vete. Na duhet NATO-ja si garantuese e paqes dhe demokracisë”, tha Osmani.

Ora 15:35
Stoltenberg: Esenciale të shmanget eskalimi i mëtejmë, KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin duke ofruar siguri për të gjithë

1694092404_jensstoltenberg.webp

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij duke ofruar siguri për të gjithë.

Në një konferencë për media së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun, Stoltenberg ka deklaruar se NATO-ja po vazhdon ta monitorojë situatën në Kosovës nga afër.

“Në bazë të zhvillimeve të fundit, NATO-ja ka zbarkuar trupat e saj në Kosovë dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën afërsisht dhe vazhdojmë të veprojmë për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për të ruajtur sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. Komanda në Kosovë është në kontakt të afërt me të dyja organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe shefin e mbrojtjes në Serbi”, ka deklaruar ai.

Stoltenberg ka mirëpritur hapat e marrë nga pala kosovare e dialogut për të ulur tensionet, gjersa theksoi se dialogu Kosovë-Serbi ka mbështetjen e plotë të NATO-s.

“I mirëpresim hapat e ndërmarrë nga Prishtina për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave speciale të Policisë në veri dhe për të mundësuar zgjedhjet e reja. Por, është esenciale të shmanget çdo eskalim i mëtejmë dhe i inkurajojmë të dyja palët të veprojnë në përmbajtje dhe të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Stoltenberg.

Ky i fundit ka komentuar edhe takimin e javës së ardhshme në Bruksel.

“Ne mirëpresim takimin e javës së ardhshme që është shpallur, si e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje të reja dhe për të zgjidhur zgjidhjen që respekton të drejtat e komuniteteve. Kjo kërkon durim, insistim dhe kompromis”, ka deklaruar Stoltenberg.

Këtë të enjte, Osmani u prit nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral pasditen e së enjtes. Javën e ardhshme pritet të rinisë proçesi i dialogut.

Ora 15:31
Osmani: Veriu ka qenë dhe do të jetë pjesë e Kosovës, rajoni rrezikon të bëhet pikë ndezjeje si shkak i Rusisë

1694093487_ikjfd.jpg

Gjatë konferencës së sotme mes Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, e cila u zhvillua në Bruksel, i tha atij se Kosova ka forca keqdashëse të cilat janë të vendosura ta rrënojnë suksesin historik të saj.

Osmani tha se Kosova bashkë me rajonin rrezikojnë të bëhen pikë e ndezjes së konflikteve për shkak të keqdashjes ruse dhe agjendës destablizuese të duarve të zgjatura, duke aluduar në Serbinë.

“Kosova po përjeton ndërhyrje të paligjshme të huaja dhe obstruksion të autoritetit legjitimit në veri dhe në shumë raste kjo ka sjellur edhe agresion. Që të jem e qartë, veriu i Kosovës ka qenë dhe do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës. Nuk do të lejojmë që veriu të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë”, tha Osmani.

Ora 15:31
Dialogu me Serbinë, Osmani para Stoltenberg: Shpresojmë që BE-ja të ketë qasje të balancuar, në disa momente ka munguar

1694093802_vjosa1694091625.webp

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës që pati me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar që  Bashkimi Evropian të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë – Serbi, duke cekur se në disa raste sipas sa nuk e ka pasur.

“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëjë thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon”, tha Osmani.

Ora 15:06
Shefi i NATO-s thirrje Kosovës dhe Serbisë: Mbështesim procesin e dialogut, përmbajuni zotimeve tuaja

1694092404_jensstoltenberg.webp

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë me presidenten Vjosa Osmani ka deklaruar se i mirëpret hapat e fundit të Kosovës që i ka marrë për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai, theksoi se e mbështet edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ka rëndësi prezenca e KFOR-it në Kosovë. Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar këtë vit duke lënë 93 prej tyre të lënduar, disa në masë serioze, kjo është plotësisht e papranueshme, stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varen nga të gjitha palët që i respektojnë betimet ekzistuese. NATO-ja e konsideron këtë të ketë rëndësinë më të lartë dhe kërkon këto të respektohen. Në përputhje me zotimet e Prishtinës nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i FSK-së kërkon pajtimin e KFOR-it dhe presim konsultime me kohë dhe kuptimplotë në çfarëdo lloj zbarkimi që mund të ndikojë në siguri. Për situatën e fundit në veri të Kosovës NATO ka zbarkuar qindra trupa dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të rregullt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.

Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”. Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’u përmbahen zotimeve të tyre.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”.

Ai këtu tregoi se në reagim ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, NATO ka zbarkuar qindra trupa shtesë në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon ta vëzhgojë situatën nga afër dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse kërkohet për ta përmbushur mandatin e Kombeve të Bashkuara, për të garantuar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur