TIRANE - Reinald Prespa është një nga futbollistët shqiptarë që po spikat me talentin e tij në Greqi duke tërhequr vëmendjen e shumë menaxherëve brenda dhe jashtë shtetit helen për ta përvetësuar. 18-vjeçari shqiptar premton shumë shpejt për një të ardhme të suksesshme, pasi performanca në ekipet e moshave ka qenë mjaft pozitive.

Prespa luan si mesfushor me tipare organizative duke qenë determinant në rolin e tij në ekip, pavarësisht se idhulli i tij është sulmuesi Didier Drogba. Nga drejtuesit e ekipit të Krisopulit në Greqi, Prespa shikohet me perspektivë për nga stili që luan.

Edicionin e kaluar, mesfushori me një teknikë fine tërhoqi vëmendjen e menaxherëve nga Premier League të Çelsit dhe Totenhemit duke e përzgjedhur të riun shqiptar mes 4 zbulimeve të vitit.

Shefi i menaxherëve nga Premier League, që ka objektiv zbulimin e talenteve në Evropën Lindore, Trevor Bejli nuk nguroi aspak që të fliste me nota superlative për 18-vjeçarin duke vlerësuar si pikën më të fortë të Prespës pasimet gjeometrike duke lehtësuar shumë punën e sulmesve me topat e saktë.

Ëndrra e talentit shqiptar është që në të ardhmen ti bashkohet një ekipi në Premier League, i cili është Çelsi i Londrës dhe jo më kot, idhulli i tij është Drogba, pasi ky i fundit ka kaluar një periudhë të artë në ‘Stamford Brigde’.

Shumë shpejt në Premier League pas kosovarit Veseli dhe Januzaj mund të luajë edhe i riu Prespa. Aktualisht mesfushori është në vëzhgimin e trajnerit të kombëtares U-19, Foto Strakosha.

Legjenda e portës shqiptare që ka luajtur për shumë vite në Greqi, por edhe menaxherët e FSHF e kanë piksuar Prespën në Greqi duke e ftuar në kombëtare për ta ndjekur nga afër.

Vetë mesfushori shprehet se ëndrrat e tij janë që të luajë në një nga kampionatet më të fortë në botë si Premier League dhe të jetë pjesë e kombëtares kuqezi.

Kujtojmë që FSHF pas një neglizhence disa vjeçare të talenteve me origjinë shqiptare që luajnë jashtë ka rikthyer vëmendjen maksimale duke vendosur në monitorim shumë futbollistë. Një fakt të tillë e tregojnë edhe afrimet e fundit të De Biasit që pothuajse kanë rinovuar plotësisht kombëtaren.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)