Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Lartë, dosjen penale me tre të pandehurit e akuzuar për masakrën e “Çoles” në Vlorë. Në një vendim ku gjyqtarët janë ndarë 5 pro dhe dy kundër (Vitore Tushaj dhe Altina Xhoxhaj), Kushtetuesja ka urdhëruar që të dënuarit Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Alliaj, të rigjykohen edhe një herë tjetër në Gjykatën e Lartë, duke i lënë detyra kësaj gjykate që në vendimin e saj, të këte parasysh dhe konkluzjonet përfundimtare të prokurorit Artur Selmani, i cili kërkoi në kolegjin penal ndryshimin e akuzës së vrasjes për Aleksandër Llanaj dhe dënimin e tij me 4 vjet burg, për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Mirëpo pavarëisht kësaj pretence në vendimin e saj, Gjykata e Lartë, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe shkallës së parë Vlorë, që dënonte me 35 vite burgim Aleksandër Llanaj, 35 vite burgim Bertil Alliaj dhe 35 vite burg Ani Begaj. Sipas prokurori Artur Selmani akuzat për vrasje me dashje, në dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj duhet të pushoheshin, duke lënë në fuqi vetëm fajësinë dhe dënimet përkatëse të tyre për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Letra tek Nishani e pezullimi i prokurorëve
Kjo pretencë është pritur me shumë optimizëm nga familjarët e të pandehurve, ndërsa të afërmit e viktimave i ka shkruar presidentit Nishani, se pas pretencës që kishte kërkuar prokurori, djemtë e tyrë ndiheshin të vrarë për herë të dytë. Pasi nëse Gjykata e Lartë do të pranonte këtë pretencë, atëherë shumë shpejt njëri nga autorët, pasi dy janë në kërkim, do të lirohej menjëherë nga burgu.

Letra është administruar nga Presidenti dhe më pas, me përmbajtjes e saj është njohur dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Për shkak të pretencës, Llalla urdhëroi pezullimin e prokurorit Artur Selmani dhe Alma Muçës, ndaj të cilëve inicio dhe një procedim penal për korrupsion. Por pas verifikimeve të bëra, ky hetim u pushua dhe tashmë të dy prokurorët janë me detyrë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjykata: Prokuroria ndryshoi qëndrimin
Por Gjykata Kushtetuese argumenton se në rastin në shqyrtim, nga materialet bashkëlidhur kërkesës, Gjykata konstaton se Prokuroria e Përgjithshme në konkluzionet e paraqitura gjatë shqyrtimit të çështjes gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Lartë ka ndryshuar qëndrim lidhur me akuzat në ngarkim të kërkuesve. Prokuroria, mbështetur në vendimin unifikuar nr.4, datë 15 prill 2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka argumentuar se pretendimet e kërkuesve Bertil Alliaj dhe Ani Begaj për mosekzistencën e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe kërkuesit Aleksandër Llanaj, janë të bazuara.

Sipas prokurorisë, nga materialet e administruara në gjykim asnjë provë, fakt apo indicie nuk tregon me siguri se të gjykuarit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë ditur qëllimet e të gjykuarit Aleksandër Llanaj. Si përfundim, prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për kërkuesit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj vetëm për fajësinë dhe dënimet përkatëse të tyre për kryerjen e veprës penale të armëmbajtjes pa leje të parashikuar nga neni 278 i KP-së.

Ndërsa për kërkuesin Aleksandër Llanaj, prokuroria ka kërkuar që të deklarohet fajtor për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia, të parashikuar nga neni 85 i KP-së. Gjykata Kushtetuese sjell në vëmendje të Gjykatës së Lartë se edhe referuar jurisprudencës së saj, kjo gjykatë (Gjykata e Lartë) ka konsideruar shkelje kur gjykatat më të ulëta kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e përgjithshme apo të posaçme procedurale në rastin e tërheqjes së akuzës nga prokurori i çështjes.

Gjykata e Lartë s’dëgjoi prokurorin
Gjykata Kushtetuese, vëren se pretendimi i kërkuesve se Gjykata e Lartë duke mos mbajtur asnjë lloj qëndrimi të shprehur lidhur me konkluzionet e reja të paraqitura nga prokuroria ka cënuar parimin e paanshmërisë në gjykim, është i drejtë dhe duhet pranuar.

Gjykata vlerëson gjithashtu se në rastin konkret tërheqja e akuzave nga ana e prokurorisë lidhet drejtpërdrejt me pretendimet e parashtruara nga të pandehurit, rrjedhimisht Gjykata e Lartë për të rritur aksesin dhe transparencën në vendimin e saj duhet t’u kishte dhënë përgjigje konkluzioneve të Prokurorisë me vendim të arsyetuar.

Gjykata vlerëson se  mosdhënia në asnjë rresht të vendimit përgjigje konkluzioneve të reja të prokurorisë, e bën këtë vendim të cenueshëm dhe jo të arsyetuar. Gjykata vëren se kërkuesit mbi të njëjtin fakt (mosarsyetim për qëndrimin e ri të prokurorisë) kanë pretenduar se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka cenuar edhe të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën e mbrojtjes, parimin e prezumimit të pafajësisë, parimin e sigurisë juridike, si dhe të drejtën e aksesit.

d.c./shqiptarja.com