Sali Berisha pretendoi se ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako është emëruar këshilltar në Presidencë. Komentet, kreu i PD i bëri gjatë konferencës për shtyp në seli, ndërsa akuzonte se arrestimi i Ergys Agasit u bë i negociuar për t’i mbyllur dosjen.

“Bëhet një proces si në rastin e Ilir Beqajt, që i thonë ke ngrënë një drekë me paratë e evropianëve në restorantin tënd dhe dënohesh me kaq, paçka se në anën tjetër janë 300 milionë koncesionet e shëndetësisë dhe nuk thuhet një fjalë. Madje edhe ai zëvendësministri, që e kishte si kushëri ky, u lirua fare.

Pra, kemi të bëjmë me një rast ku Edi Rama arrin nëpërmjet kontrollit që ka me SPAK-un ta ripërsërisë... apo të bëjë siç bënë me Alqi Bllakon. A e di ku është sot Alqi Bllako? Është këshilltar i Haram Begajt, i dënuar me burg për vjedhjet që ka bërë në djegësat, tani është këshilltar i Bajramit.

Kush paguan më shumë, shkon më lart. Nuk ka këtu. Prit ti, Oltion Bistri, kur ta shohësh ndonjë ditë në funksionet më të rëndësishme”, tha Berisha.

Reagimi i Presidencës ishte i menjëhreshëm pas pretendimit të Berishës. Zyra e shtypit të Presidencës e përgenjështroi kryedemokratin duke thënë se Bllako nuk ka qenë dhe nuk është këshilltar i këtij institucioni.

“Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me pretendimin se zoti Alqi Bllako është këshilltar i Presidentit të Republikës, saktësojmë se zoti Alqi Bllako nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është këshilltar i Presidentit të Republikës dhe nuk ka asnjë marrëdhënie me këtë institucion.

Zyra e Shtypit e Presidencës e bën këtë sqarim për të shmangur çdo keqinformim lidhur me përbërjen e kabinetit të Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratën e Presidencës.