Zyrtarizimi i Kristjan Asllanit te Inter ka ardhur prej ditësh, por klubi zikaltër prezantoi sot me një video spektakolare të denjë për një ‘yll’ futbolli djaloshin shqiptar, i cili erdhi nga Empoli.
“Të lëvizësh gjithnjë, të mos ndalosh kurrë. Nga një shtëpi, në një shtëpi tjetër. Në fushë dhe jashtë sajë, gjithnjë. Pa u lodhur, duke përshkruar kilometra e kilometra, me topin në këmbë dhe kokë, vetëm kështu mund të ngjitem gjithnjë e më lart. Jam Kristjan, jam Inter,”- ishin fjalët e Asllanit në video.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare kaloi nga Empoli te Interi me formulën e huazimit me të drejtën e blerjes për shifrën e 14 milionë eurove dhe duke firmosur një kontratë 5-vjeçare me zikaltërit nga Milano.
Në sezonin e fundit me fanellën e Empolit në Serinë A, Kristjan Asllani u aktivizua gjithsej në 23 ndeshje duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar gjithashtu edhe 1 asist.