Prezantimi i Buxhetit 2016 për Ministrinë e Zhvillimit Urban

Jam sot para jush për të prezantuar projektbuxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Zhvillimit Urban, i cili është në linjë me të gjithë premtimet dhe angazhimet e ndërmarra në Programin tonë qeverisës 2013 - 2017. 

Më lejoni shkurtimit t’iu informoj mbi mënyrën se si ne kemi planifikuar të shpenzojmë fondin prej dy miliard e katërqind e pesëdhjetë e një milionë Lekë të alokuar për vitin 2016 për Ministrinë e Zhvillimit Urban ose 26.3% më shumë se fondi i alokuar në 2015, sipas fushave të përgjegjësisë që mbulon.

2015 ka qenë një vit i mirë në arritjen e disa prej objektivave kryesore të vendosura nga Ministria që unë drejtoj dhe 2016 do të jetë viti i rezultateve konkrete veçanërisht në fushën e planifikimit të qëndrueshëm, vazhdimit të procesit të legalizimit të banesave kryesisht në zonat informale dhe përfshirjes në skemat e financimit të më shumë shtresave në nevojë që nuk përballojnë dot strehim me çmimet e tregut.
Të nderuar deputetë,

Nisma e ndërmarrë nga Qeveria për ofrimin e asistencës teknike dhe financiare në vlerën pesëqind e gjashtëdhjetë milionë Lekë për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore në 26 bashki të vendit përkatësisht Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër shënon një moment të rëndësishëm në garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të territorit në vend.

Më duhet të theksoj se kjo përzgjedhje nuk ka qenë aspak e diktuar politikisht, por i vetmi kriter i përdorur ka qënë territori gjeografik dhe potencialet ekonomike që këto bashki mbartin për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar ekonomiko - social dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Të udhëhequr nga parimet e konkurencës së ndershme dhe transparencës që lejonte përfshirjen e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë dhe lokalë në hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 6 Gusht të këtij viti, ne hapëm procedurat e prokurimit publik me objekt “Hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor për 26 bashki” i ndarë në 10 lote.
Duke qenë se jemi në fazat përfundimtare të përzgjedhjes së studiove dhe ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendas, jam besimplotë se brenda Janarit të vitit 2016 do të fillojë puna për hartimin e 26 Planeve të Përgjithshme Vendore.


Viti 2016 është viti i miratimit dhe implementimit, përmes projekteve të 3 planeve kombëtare strategjike: Planit të Përgjithshëm Kombëtar, Planit të Integruar Ndërsektorial të Bregdetit (PINS Bregdeti) dhe Planit  të Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës (DURANA), për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të territorit të vendit.

Brenda vitit 2016, 31 bashki të vendit nga 61 do të kenë të hartuar Planet e Përgjithshme Vendore që përveç se janë një detyrim ligjor janë instrumentë të rëndësishëm planifikues mbi bazën e të cilave garantohet zhvillimi i qëndrueshëm i territorit dhe mirëmenaxhimi i burimeve natyrore duke shmangur kaosin urban, ndërtimet vend e pa vend dhe keqmenaxhimin e resurseve ekonomike.Përveç hartimit dhe miratimit të planeve për vitin 2016 me fondin e alokuar për zhvillimin urban me vlerë 137 milionë Lekë  do të hartojmë dhe zbatojmë projektet si më poshtë vijon:

Studim-projektim për zhvillimin urban të zonave pronë shtetërore, me vlerë 15 milionë lekë me qëllim identifikimin e zonave ku ne mund të ngremë blloqe banesash apo qendra urbane në funksion të strehimit social.

Projektin pilot për rikualifikimin urban të një lagjeje, me vlerë 42 milionë lekë, falë zbatimit të të cilit do të përfitojnë rreth 3,500 qytetarë.
Rikonstruksionin e një varreze publike sipas standardeve ligjore të përmirësuara, me vlerë 38 milionë lekë;
Restaurimin arkitektonik dhe rivlerësimin nga pikpamja e trashëgimisë të një blloku banesash qytetare në një nga qendrat urbane, me vlerë 42 milionë lekë, falë zbatimit të të cilit do të përfitojnë 3,000 qytetarë.Të nderuar deputetë.

Gjatë vitit 2015, në fushën e ndërtimit, janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të standardeve të ndërtimit me rishikimin e normativave të projektimit dhe ndërtimit si fillim, për banesat dhe çerdhet, të cilat i kemi përfunduar brenda vitit 2015 me një vlerë investimi 3 milionë Lekë.

Ndërkohë që për vitin 2016, me fondin e alokuar në vlerën 8 milionë Lekë në fushën e standardeve urbane do të mundësojmë identifikimin, shqyrtimin dhe hartimin e standardeve të reja në projektim, për shkollat dhe kopshtet, si dhe do të mundësojmë përshtatjen e Eurokodeve 4 dhe 5 si dhe anekset kombëtare.
Hartimi i standardeve të reja në projektim dhe ndërtim për kopshtet dhe shkollat si dhe përshtatja e Eurokodeve i shërbejnë rritjes së kontrollit dhe sigurisë të cilësisë urbane në projektim dhe ndërtim.

Projektbuxheti i vitit 2016 me fondin e alokuar prej 80 milionë Lekë siguron funksionimin e plotë të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, si dhe ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit (One Stop Shop).
Aktualisht së bashku me AKSHIN, jemi duke punuar për ngritjen e sistemit One Stop Shop për lejet e ndërtimit, sistem ky që do të bëjë të mundur aplikimin për leje ndërtimi të qytetarëve drejtpërdrejtë nga kompjuteri i shtëpisë apo i zyrës, me një lidhje të thjeshtë interneti, duke eleminuar hallkat pafund, shkresat administrative dhe  ndalesat në zyrat shtetërore.

Për ngritjen e softëare jemi duke punuar edhe me vendet e rajonit për të marrë modelet më të mira në kuadër të platformës rajonale për thjeshtimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve dhe lejeve të ndërtimit në kuadër të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.
Agjencia e re dhe sistemi elektronik i lejeve do të jenë një instrument më shumë në dispozicion të qytetarëve, investitorëve dhe firmave të ndërtimit jo vetëm për përshpejtimin dhe transparencën e procedurave për shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit por edhe për të garantuar një zhvillim të kontrolluar dhe mirëadministruar të territorit.

Sigurisht 2015 ka qenë një vit sfidues edhe në fushën e legalizimit dhe urbanizimit të ndërtimeve informale.
Falë një pune dhe angazhimi nga të gjithë strukturat për vitin 2015 arritëm të mbyllim praktikat e legalizimit për 22,000 objekte nga ku 81% e tyre objekte me funksion banimi dhe vetëm 19% objekte  me funksion biznesi, duke e  çuar kështu numrin e objekteve të legalizuara në këto dy vite qeverisje në rreth 37,000 objekte.
Falë ndryshimeve ligjore dhe angazhimit tonë si qeveri, Sot, procesi i legalizimit të banesës për çdo qytetar është kthyer:

Nga një proces tërësisht i korruptuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe ku qytetari paguan zero detyrime administrative,
Për vitin 2016 me fondin e parashikuar në vlerën rreth 513.2 milionë lekë do të mundësojmë kryerjen e procesit të legalizimit dhe të përpunimit të informacionit tekniko ligjor për rreth 50 mijë praktika legalizmi (legalizimi i 50 mijë objekteve) për ndërtime kryesisht në zona informale.
Paralelisht me procesin e legalizimit jemi duke punuar edhe për urbanizimin e zonave informale.
Për vitin 2015 investuam 404 milionë Lekë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për urbanizimin e tre zonave informale përkatësisht Lagjia Kushtrimi në Vlorë, në Kënetë të Durrësit dhe Lagjia 18 tetori në Lushnjë nga ku përfituan rreth 20,000 banorë.
Projektet për urbanizimin e zonave informale do të vijojnë edhe përgjatë vitit 2016 me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve apo dhe donatorë.
Të nderuar anëtarë të komisionit,
Projektbuxhetit i vitit 2016 parashikon për strehimin fondin prej 478.9 milionë Lekë dhe krahasuar me vitin 2015 fondi i alokuar është 16% më i lartë.
Për vitin 2016 fondi i alokuar 308 milionë lekë, do të shkojë për subvencionimin e interesave të kredive për 3811 familje, që kanë përfituar nga procedurat e kreditimit për kredi me 0 dhe 3% interes, që prej vitit  2009, si dhe për subvencionimin e qirasë apo Bonusit të Strehimit.
Bonusi i Strehimit përfaqëson ndihmë nga shteti në masën 50% të qirasë më të ulët në tregun e lirë, i cili mbulon shpenzimet e familjeve në nevojë për strehim.
Bonusi i strehimit jepet me miratim të Këshillave Bashkiak  nëpërmjet fondeve të bashkise për çdo familje në nevojë për bonus.
Prioritet bashkia u jep kategorive te meposhtme.
a)Personat me statusin e jetimit;
b)Personat me aftësi të kufizuara, në përputhje me përcaktimet e bëra me vendim të Këshillit të Ministrave për këto kategori;
c)Familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç)  Emigrantët e rikthyer;
d)  Punëtori emigrant;
dh) Familjet e komunitetit rom;
e)   Punonjësit e Policisë së Shtetit.”
Bonusi me fondet e buxhetit të shtetit planifikohet në PBA bazuar në kërkest e paraqitura çdo vit nga bashkitë.
Në projektbuxhetin e vitit 2016, 10 milionë Lekë janë parashikuar për tu përdorur për Bonusin e Strehimit.   

Të dy këto instrumente financiarë që parashikohen edhe në Ligjin aktual për Strehimin do të përdoren për të mbështetur financiarisht familjet në nevojë.
Gjithashtu me fondin e planifikuar në projektbuxhetin e vitit 2016 parashikohet për herë të parë, subvencionimi i interesave të kredive dhe qirave financiare për 25 familje një prindërore dhe gra të dhunuara, në kuadër të përfshirjes në procesin e buxhetit edhe buxhetimin gjinor.

Nga Programi Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga kjo qeveri, dedikuar kësaj kategorie shumë në nevojë, për vitin 2016 fondi i alokuar në vlerë 113.8 milionë lekë  për këtë program është rritur me 25% dhe i gjithi do të shkojë për investimin dhe zbatimin e projekteve për  përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjyptiane, në disa bashki të vendit.

Ndërkohë që për vitin 2016 fondi i alokuar për zbatimin e projekteve në fushën e efiçencës së energjisë, është 37.1milionë lekë ose sa dyfishi i buxhetit të planifikuar në 2015 do të mundësojë rinovimin e banesave në bashkëpronësi për rreth 64 apartamente.
Në vitin 2016 vlera e alokuar prej 20 milionë lekë do të shkojë për pagesat e qirasë për 40 familje në qytetin e Vlorës, që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike, me superstradën Fier Vlorë” dhe 103 familje në qytetin e Tiranës, që preken nga realizimi i projektit “Unaza e Madhe e Tiranës, segmenti “Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”.

Më duhet të ritheksoj se për herë të parë është aplikuar skema e pagesës së qirasë për dy vite për të gjitha ato familje banesat e të cilave prekeshin nga zbatimi i projekteve madhore me interes publik por që nuk përfitonin nga fondi i shpronësimit.
Për periudhën 2013-2017 Enti Kombëtar i Banesave ka programuar të dedikojë rreth 900 milionë lekë për ndërtimin e 350 apartamenteve në 6-7 qytete të vendit në marrëveshje me kryetarët e bashkive.
Ky është niveli më i lartë i investimeve të realizuara ndonjëherë nga Enti me të ardhurat e veta.
Konkretisht:

Në periudhën 2013-2014 u investuan 79 milionë lekë për përfundimin e një objekti me 35 apartmante në qytetin e Fierit, si edhe për fillimin e punës në objektin e dytë me 540 apartamente në Fier dhe një objekt të ri në Berat.

Objekti me 35 apartamente në Fier është përfunduar dhe është në pritje të miratimit të listës së përfituesve nga këshilli bashkiak. Në të njëjtën situatë është edhe objekti i ndërtuar më parë në qytetin e Kavajës, ku priten të strehohen 35 familje .
Gjate vitit 2014 u nënshkruan 5 marrëveshje me kryetarët e bashkive Berat, Fier, Lushnje, Korçë dhe Librazhd dhe u realizuan procedurat e prokurimit për ndërtimin e 150 apartamenteve me vlerë totale prej 374 milion lekë dhe është në proces prokurimi objekti me 70 apartamente në qytetin e Korçës.
Katër objektet e para (në Fier, Berat, Librazhd e Lushnje) përfundojnë në periudhën Janar-Qershor 2016.
Gjatë vitit 2016 do të investohet:
-       në përfundimin e objekteve me 150 apartamente, të filluara në 2015,
-       fillimin e investimit në objektin me 70 apartamente në Korçë
-       objektin e dytë të banimit me 38 apartamente në Lushnje, sipas projektit dhe marrëveshjes së nënshkruar; si dhe
-       do të investohet në disa projekte alternative, të cilat do të pilotohen për herë të parë, duke përdorur skema të pa-realizuara më parë si përdorimi i kontejnerëve të adaptuar në banesa, dhe rehabilitimi i objekteve jo banimi për ti ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, kryesisht në Pukë dhe Bulqizë
Këto investime janë duke u realizuar në Bashki, të cilat kanë treguar interes për ndërtimin e banesave me kosto të ulët dhe kanë vënë në dispozicion të Entit truallin për realizimin e këtyre investimeve.

Në kuadër të projekteve me financim të huaj për vitin 2016 janë parashikuar projektet si më poshtë vijon:
Me një fond 84 milionë Lekë nga ku 70 milionë Lekë financim i Qeverisë Gjermane dhe 14 milionë Lekë TVSH do të zbatohet projekti për Zhvillimin e Integruar dhe të Qëndrueshëm të Zonës Bregdetare, i cli synon krijimin e një qasjeje të re të integruar, duke mbështetur bregdetin jugor të Shqipërisë në përputhje me nismat e ndërmara nga MZHU, në kuadër të krijimit të modeleve të reja të zhvillimit të territorit.Falë zbatimit të këtij projekti do të kemi brenda vitit 2016 një plan veprimi të integruar për menaxhimin e zonës së bregdetit, i cili do të parashikojë ndërhyrjet për investime me qëllim rritjen e potencialit turisik, modele të partneritetit publik privat dhe masa në mbrojtje të burimeve natyrore.
Me një fond financimi 60 milionë Lekë nga  ku 50 milionë Lekë financuar nga Banka Evropian Qëndrore (CEB) dhe 10 milionë Lekë TVSH, do të përfundojë ndërtimi i 88 apartamenteve të fundit në kuadër të projektit “Banesat  Sociale me Qira” në qytetin e Durrësit. Falë zbatimit të këtij projekti, 88 familje të reja në nevojë do të përfitojnë banesa sociale.Në mbyllje të fjalës time nuk dua të lë pa përmendur projektet e zbatuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në kuadër të programit madhor “Rilindja Urbane“, i cili filloi për herë të parë në vitin 2014 me synimin e vetëm  zhvillimin urban të qyteteve tona dhe krijimit të më shumë hapësirave publike për qytetarët në të gjithë vendin.
Ky program vjen si një risi në procesin e ndërhyrjes në territor, si një përpjekje për të formësuar një kulturë dhe qasje të re ndaj zhvillimit të qendrave urbane, përmes vitalizimit të jetës komunitare dhe rigjenerimit urban të qyteteve dhe fshatrave tona, rigjallërimit të zonave të dëmtuara mjedisore dhe zonave informale.
Ne sot kemi një mekanizëm financimi të rimodeluar duke orientuar ndërhyrjet jo më drejt qasjes sektoriale për t’ju përgjigjur nevojave bazë, por drejt qasjes së integruar për zhvillimin e territorit, për t’i dhënë vlerë investimit.

Në dy vite Programi i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve u transformua në një mekanizëm dinamik  duke administruar një portofol prej rreth njëzetë miliard Lekësh, përmes të cilit:financoi rreth njëqind e nëntëdhjetë e shtatë projekte të reja zhvillimore. me nje shtrirje gjeografike nga veriu ne jug, me perhapje në të gjitha qarqet e vendit dhe duke kthyer vëmendjen, jo vetëm në qytetet e mëdha por edhe ato të vogla, të cilat ishin të harruara prej kohësh ai (Kukësi, Burreli, Kavaja, Kruja, Divjaka, Velipoja, Gramshi, Orikumi, Selenica, etj.) si dhe shlyem “borxhet” e trashëguara nga vendime të qeverisë së mëparshme, me një vlerë borxhi të akumuluar prej pesë pikë tre miliard Lekësh.Për Projekte për rehabilitimin e qendrave urbane, shesheve, shëtitoreve  vetëm për vitin 2014 – 2015 investuam dhe zbatuam dyzetë e shtatë projekte të kësaj kategorie, duke mundësuar transformimin rrënjësor të qyteteve në të gjithë vendin, nëpërmjet financimit dhe zbatimit të projekteve madhore, të cilat nuk ishin realizuar në 25 vite, ndërkohë që për vitin 2012 – 2013 fondi i investuar nga qeveria e mëparshme ishte 0 Lekë.

Investuam dhe realizuam gjashtëmbëdhjetë projekte për rehabilitimin e hapësirave të gjelbërta & kënde lojrash për fëmijët ndërkohë që nga qeveria e mëparshme në vitet 2012 – 2013 ishin alokuar zero fonde dhe zbatuar zero projekte.

Investuam dhe realizuam dymbëdhjetë Projekte në zonat turistike ndërkohë që nga qeveria e mëparshme në vitet 2012 – 2013 ishin alokuar zero fonde dhe zbatuar zero projekte.
Nga Programi Shqipëria Dixhitale, i cili vjen si një risi dhe aplikohet për herë të parë në vend arritëm që brenda dy viteve të zbatonim 28 projekte me një vlerë investimi 2.1 miliard Lekë.
Për vitin 2014 dhe 2015 kemi investuar dhe zbatuar
358 PROJEKTE NË UJËSJELLËS - KANALIZIME
370 PROJEKTE NË TRANSPORTIN RRUGOR
Si dhe arritëm të investonim dhe zbatonin projektet kombëtare me një impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët të realizuara në kohë dhe brenda standardeve nga ku do të veçoja:
NDËRTIMIN E 2 BYPASS-eve NË FIER DHE VLORË
NDËRTIMIN E RRUGËS LUSHNJË – BERAT
NDËRTIMIN E RRUGËS QUKËS –  QAFË PLLOÇËPër vitin 2016 nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve është planifikuar financimi i 105 projekteve të miratuara në vitin 2015, për infrastrukturën vendore dhe rajonale, me vlerë totale financimi, prej rreth 5.5 miliardë lekë, nga të cilat  75 projekte do të monitorohen nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe 30 projekte nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, LZHK kërkon rikthimin e dënimit me vdekje: Derisa të anëtarësohemi në BE! Do të ndikojë në uljen e kriminalitetit