Prezantimi i projektit nga ministri Tahiri

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për pjesëmarrjen,
shpresoj shumë prej jush ju kujtohet prezantimi i para dy javëve, lidhur me domosdoshmërinë që kemi ne për bashkimin e Shqipërisë në letër me Shqipërinë në realitet.
Dhe, jo pa shkak, dy foto tregojnë më së miri atë që ka ndodhur në thuajse dy dekada.

E para, zhvillimi intensiv urban - me lëvizjen e pakontrolluar të qytetarëve, me urbanizimin kaotik nga njëra anë dhe nga ana tjetër me pamundësinë e institucioneve për t’i shkuar pas zhvillimit intensiv të shoqërisë. Kjo ka bërë që qytetarët të mos marrin shërbimin, kjo ka bërë që të jetë e vështirë për institucionet të bëjnë atë që duhet të bëjnë për të dhënë shërbim cilësor ndaj qytetarit mundësisht pa adresë.

Dhe nga ana tjetër fluksi i qytetarëve shqiptarë që në dy dekada kanë dalë jashtë kufijve, për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Kjo ka ndodhur sigurisht në kohë, duke dhënë një tjetër dëshmi se si shoqëria ka ecur përpara me hapa intensivë, ndërkohë që shteti e ka pasur pothuaj të pamundur t’i shkojë pas.
Dhe gjendemi sot me të dy realitetet që thashë, ku është thuajse e vështirë për të kuptuar sa jemi, ku banojmë dhe, mbi të gjitha, për të bërë atë që duhet të bëjmë ndaj qytetarëve: për të dhënë shërbime cilësore që duhet të japim dhe e kemi detyrim.

Shqipëria në letër është shumë ndryshe nga ajo që njohim përditë. Nëse u referohemi shifrave, janë mbi 4.4 milionë qytetarë të regjistruar - që nuk janë të gjithë në Shqipëri. Këtë e dimë dhe e marrim për të dhënë të sigurt. Nuk janë të gjithë në Shqipëri për arsyet që dimë. Pra nga njëra anë nuk dimë sa janë këtu dhe ku – nga ana tjetër sa janë jashtë dhe ku. Pra dimë që ka shqiptarë që mbajnë lidhje aktive me shtetin, me Shqipërinë. Dimë që shteti  e ka shumë të vështirë t’u shkojë pas, për të bërë detyrën shtetërore dhe institucionale ndaj qytetarëve të vet: do të thotë t’u japë shërbimet dhe të garantojë cilësinë e tyre për qytetarët, qofshin këtu apo jashtë Shqipërisë.

Është kjo arsyeja që iniciativa e parë e MPB ka qenë popullimi nëpërmjet  një regjistri të vetëm dhe integral, për t’i dhënë adresën çdo qytetari. Që ne më në fund të dimë kush banon ku, ku jemi dhe të vëmë në pozitën detyruese institucionet që t’i përgjigjen qytetarit edhe në banesë me cilësi shërbimesh. Për t’i dhënë mundësi politikë-bërjes të parashikojë. Për t’i dhënë mundësi vendim-marrjes institucionale që të shkojë deri te qytetari për të bërë detyrën që mezi ose afërsisht ka bërë në thuajse më shumë se dy dekada.

Përfitimet janë të panumërta nga procesi i riverifikimit derë më derë brenda kufijve të Shqipërisë të çdo qytetari (do të thotë Regjistri i Gjendjes Civile dhe Regjistri i Adresave bashkuar në një regjistër të vetëm). Për të ditur më në fund sa jemi dhe ku banojmë në Republikën e Shqipërisë. Për të përputhur një herë e mirë atë që ka ndodhur në 20 e kusur vjet. Dhe për të bashkuar Shqipërinë në letër me Shqipërinë në realitet.

Ndërkohë kjo sjell më shumë siguri, përfitime të panumërta, duke filluar nga sistemi postar (për të mos pasur më adresa konvencionalisht të njohura të tipit “banor i Pallatit me Shigjeta” apo “banor i pas Fabrikës së Miellit”), deri tek shërbimi ndaj turistëve, për të mos folur për shërbimin ndaj qytetarëve, për përfitimin në sistemin fiskal, për rakordimin dhe zgjidhjen përfundimtare të sistemit të pasurisë, për të gjithë korpusin e shërbimeve që institucionet kanë me qytetarin dhe për të gjithë marrëdhënien që duhet të ketë qytetari me institucionet dhe anasjelltas.

Pra është një gamë e tërë përfitimesh të jetës së përditshme që shkojnë deri te qytetari dhe të cilat garantojnë cilësi, shpejtësi, transparencë (në mungesë të korrupsionit), por garantojnë mbi të gjitha lidhjen e domosdoshme, të detyrueshme ndërmjet shtetit, institucioneve dhe qytetarit.

Nga ana tjetër dimë që janë shqiptarët jashtë Shqipërisë. Dimë që janë qytetarë aktivë - por nuk dimë sa, nuk dimë ku. Dimë që Shqipëria ka emigrantë – po nuk dimë sa, nuk dimë ku. Regjistri i Gjendjes Civile sot ka një të dhënë: fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë të regjistruar në Shqipëri nga viti 1990, janë 275.500 shtetas shqiptarë që kanë lindur jashtë Shqipërisë. Pra sot ne dimë një shifër minimale, që mbi 275.500 fëmijë kanë lindur kufijve tanë. Janë fëmijë shqiptarë, kanë familjet e tyre, janë të vetmit të regjistruar në regjistrin tonë, dhe vetëm kaq dimë. Pra, shifra më minimale që ne dimë për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Nuk dimë asgjë tjetër. Eshtë errësirë Shqipëria jashtë Shqipërisë! Dhe me Shqipëria jashtë Shqipërisë, kam përshtypjen, të gjithë ndajmë të njëjtën bindje, kemi parasysh shqiptarët që jetojnë jashtë vendit tonë! Që kanë mbi dy dekada që kanë ndërtuar jetën e tyre, pse jo dhe të ardhmen, jashtë vendit tonë. Dhe po flasim këtu, ne e dimë të gjithë, për shtetas aktivë, të cilët, pavarësisht se Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë emigracion, po flasim për shtetas që mbajnë në mënyrë konstante dhe intensive lidhjet e tyre me vendin! Pra për shqiptarë që jetojnë prej më shumë se dy dekadash jashtë Shqipërisë, por ndërkohë mbeten intensivisht të lidhur me vendin e tyre. Duke filluar nga nevoja për arsimim, dhe Ministria e Arsimit po bën punën e saj për të dhënë arsim në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që lindin jashtë Shqipërisë; duke filluar nga shërbimet konsullore dhe të gjendjes civile; duke vazhduar tek domosdoshmëria për të pasur mundësi, qoftë edhe televizorin shqip, pra programet televizive në shqip, duke shkuar deri tek nevoja për të pasur një lidhje konstante me vendin tënd! Dhe ky është patriotizmi real, pra kjo është dashuria reale për vendin. Ky është shembulli më i mirë se si një qytetar, qoftë edhe 1 ndër ata 275 mijë fëmijë të lindur jashtë Shqipërisë, mëson shqip dhe mban lidhje konstante me vendin e tij. Për të mos folur pastaj për ata që janë edhe me aktivë se kaq, pra që marrin mundimin çdo zgjedhje, vijnë në Shqipëri për të votuar, pra për të ndikuar në fatin e vendit të vet. Pavarësisht se jeton jashtë, pavarësisht se fatin dhe të ardhmen e ka lidhur me një vend që nuk është Shqipëria. Pra po flasim për shqiptarët aktivë jashtë vendi tonë të cilët kontribuojnë për vendin edhe nëpërmjet remitancave, që shkojnë në të gjitha rastet dhe në çdo vit mbi 500 milionë euro, në vit! Dhe që është shumë marramendëse në raport me mundësitë e tyre dhe në raport edhe me vendin.

Ne mendojmë që me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, duhet të lidhim një kontratë të re patriotike. Ne besojmë që shteti ka detyrë të garantojë shërbime për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, pra për emigrantët në shtëpinë e tyre. Ne mendojmë që borxhi që u kemi emigrantëve në mbi dy dekada për t’u dhënë shërbimin që meritojnë, pa i bezdisur më shumë dhe për t’i kthyer mbrapsht respektin dhe dashurinë që ata kanë për vendin e tyre, është t’u shërbejmë emigrantëve në shtëpinë e tyre. Dhe kjo do të thotë që nëpërmjet kësaj kontrate të re patriotike me emigrantët, të bëjmë regjistrimin e tyre dhe mbrapsht t’u japim shërbimet në shtëpinë ku banojnë, kudo qoftë kjo, në çdo cep të botës.

Ndaj është kjo arsyeja pse Ministria e Brendshme ka hartuar një ligj për të regjistruar vendbanimin e çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë Republikës së Shqipërisë, pra e çdo emigranti! Nga janari dhe viti që vjen ne fillojmë regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë. Sepse ne mendojmë kjo duhet të jetë ura jonë e komunikimit, e shtetit shqiptar me shtetasit jashtë Shqipërisë, dhe ky është detyrimi ynë patriotik për t’i dhënë çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë, shërbimin aty ku ai banon. Kjo është një sipërmarrje që kthen pas borxhin që u kemi emigrantëve në 25 vjet! Kjo është një sipërmarrje që në 25 vitet e kaluara kthen mbrapsht kohën, rikuperon atë që kemi humbur, duke na dhënë mundësi, shqiptarëve këtu, shtetit, institucioneve e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, mundësinë për të qenë bashkë dhe për t’u konsideruar shqiptarë dhe Shqipëri çdo banesë ku ata jetojnë. Qoftë kjo në Amerikë, qoftë kjo në çdo vend tjetër të botës sado afër apo larg me Shqipërinë.

Eshtë kjo arsyeja pse hartimi i këtij ligji do të prodhojë një dritare të veçantë komunikimi me shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë, nëpërmjet regjistrit të shqiptarëve që nuk jetojnë këtu, pra regjistrit të emigrantëve.

Dhe sigurisht përfitimet janë të shumta, më së pari, vetë emigrantët, të cilët marrin mbrapsht shërbimet nga shteti i tyre në shtëpinë ku banojnë. Përfitimi është i shtetit, përfitimi është i shoqërisë, përfitimi është i individit qoftë banues në Shqipëri, qoftë banues jashtë Shqipërisë, sepse në fund të këtij procesi, nga njëra anë nëpërmjet riregjistrimit apo popullimit brenda kufijve dhe nga ana tjetër, regjistrimit të emigrantëve, kemi më në fund një llogari themelore për shtetin shqiptar. Të dimë sa jemi dhe ku jemi dhe pyetjes sa shqiptarë jemi, të mos i përgjigjemi përafërsisht aq e kaq, por të kemi dhe llogari për ku banojnë! Në mënyrë që shteti shqiptar të dorëzojë apo të japë shërbime për qytetarët në adresë. Dhe sigurisht për emigrantët sepse ndërtohet një urë permanente komunikimi ndërmjet institucionit, ndërmjet shtetit të tyre dhe qytetarit, pra emigrantit, duke bërë të mundur që të heqim rropatjet e vazhdueshme apo humbjen e kohës të vazhdueshme, humbjen e parave në mënyrë të vazhdueshme për të shkuar me mijëra kilometra  për të marrë shërbime apo në të shumtën e rasteve edhe për të ardhur në Shqipëri. Nuk janë të vogla e as të pakta as shpenzimet as koha e humbur dhe as rastet kur emigrantët shqiptarë detyrohen të vijnë në Shqipëri për të marrë shërbimet që iu takojnë duke filluar nga një certifikatë, e duke mbaruar me një vulë. Shpesh në konsullatë por jo dhe në pak raste duke ardhur në Shqipëri.

Ky sistem nëpërmjet regjistrimit të emigrantëve na lejon që këtë shërbim t’ia çojmë në shtëpi. Kjo na lejon që t’u shërbejmë emigrantëve aty ku banojnë duke bërë të mundur pa lëvizur nga shtëpia dhe të marrin mbrapsht po shërbimet që u takojnë pa lëvizur nga shtëpia. Unë besoj se ky është shembulli më i mirë i marrëdhënies patriotike që mund të ndërtojnë shqiptarët me shqiptarët, qofshin banues në Shqipëri dhe qofshin banues jashtë Shqipërisë. Unë mendoj se kjo është platforma më e mirë për dashurinë për vendin dhe dashurisë për njëri-tjetrin për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët në mënyrë të ndërsjellë, pa u kërkuar impenjim spektakolar atyre që jetojnë jashtë dhe duke vënë institucionet që t’u përgjigjen shtetasve shqiptarë në adresën ku banojnë. Eshtë kjo arsyeja që po e nisim nga themeli; dhe themeli është regjistrimi i tyre aty ku banojnë. Do të thotë, mesazhi themelor për emigrantët është: në qoftë se e do vendin tënd regjistrohu, regjistro adresën ku banon, shtetin ku banon, dhe ne kemi detyrimin të shërbejmë aty ku banon!

Në qoftë se je emigrant do të marrësh një çertifikatë, do të marrësh një vulë, do të shërbehesh nga shteti yt pa u dashur të vish këtu apo pa u dashur të shkosh në konsullatë mijëra kilometra larg,regjistro banesën ku banon, sepse shteti ka detyrimin të të shërbejë. Do të thotë që je emigrant dhe jeton prej shumë vitesh jashtë Shqipërisë dhe nuk e ke harruar vendin tënd dhe vjen vit për vit të kalosh pushimet apo të takosh familjen tënde, je emigrant që e do vendin tënd, regjistrohu, sepse kjo është kontrata e re patriotike që kemi ne me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Kjo është Shqipëria që jeton jashtë Shqipërisë dhe kemi detyrimin të gjithë bashkë, shteti, institucionet, shoqëria dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, të bëjnë çfarë është e mundur që nëpërmjet regjistrimit të kemi mundësinë t’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë, t’u shërbejmë aty ku janë, qoftë kjo në Greqi, Itali, qoftë kjo në çdo vend të BE, qoftë kjo edhe në kontinent tjetër.

Kjo është sipërmarrje që ndryshon një herë e mirë marrëdhënien me emigrantët, ndryshon përfundimisht marrëdhënien e institucioneve me  qytetarët shqiptarë, që  kanë shkuar jashtë Shqipërisë. Ndriçon errësirën historike për shqiptarët që kanë jetuar jashtë Shqipërisë dhe kjo nëpërmjet regjistrimit.

Lëshimi i çertifikatave për emigrantët, shtrirja e rrjetit të zyrave për pajisje me dokumente konsullore, janë disa nga shërbimet kryesoreose parësore që do të jepen menjëherë. Të tilla ka pafund dhe Ministri i Jashtëm do t’i shpjegojë pasi gama e shërbimeve që mund t’u jepen qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë është e pafundme; për të kursyer kohën, për të kursyer para për qytetarët shqiptarë dhe për  të bërë të mundur që kjo platformë solide e komunikimit me ta dhe e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë, të shërbejë si dritarja e re patriotike mes shtetit, institucioneve dhe emigrantëve shqiptarë, që kanë dhënë kaq shumë për vendin dhe me të drejtë presin që të shërbehen në shtëpi.

Ne kemi menduar që regjistrimi për emigrantët shqiptarë duhet të jetë shumë i kollajtë aspak i bezdisur dhe jo impenjativ dhe mbi të gjitha barrë e institucionit, jo barrë e individit. Kjo do të thotë që, nëse je emigrant që jeton në Itali apo Amerikë, kjo nuk ka rëndësi, nga një kompjuter në shtëpinë tënde ti mund të regjistrohesh. Dhe shteti Shqipëria, do të komunikojë mbrapsht me ty, në adresën që deklaron për të konfirmuar të dhënat dhe për të pasur këtë rrugë preferenciale nëpërmjet shtetit, institucioneve dhe qytetarit shqiptar.

Pra për të patur mundësinë që shteti shqiptar të komunikojë me emigrantin aty ku ndodhet. Do të thotë që regjistrimin ta bëjmë mjaft thjeshtë. Ekzistojnë dy mënyra për t’u regjistruar, sigurisht mënyra e sigurimit fizik që do të thotë që ti paraqitesh në një sportel, qoftë kjo konsullata apo ambasada qoftë ky një institucion në Shqipëri, por sigurisht ne kërkojmë ta bëjmë më të thjeshtë se kaq dhe ne mendojmë se dixhitalizimi, pra rruga e regjistrimit nëpërmjet internetit, pra nëpërmjet kompjuterit të shtëpisë, të mjafton për t’u regjistruar. Në qoftë se je emigrant që ndjek lajmet nëpër portale, madje komenton edhe në portale, merr pesë minuta kohë nga koha jote për t’u regjistruar dhe për të ndriçuar Shqipërinë jashtë Shqipërisë.

Kjo është mjaft e kollajtë dhe është barrë e shtetit shqiptar për të ardhur dhe trokitur derë më derë në çdo mënyrë për të konfirmuar të dhënat e tyre dhe për t’i dhënë vlefshmërinë ligjore regjistrimit tënd. Kjo është mënyra më e kollajtë dhe pastaj është regjistrimi fizik në një sportel në konsullatë, në ambasadë apo në shtetin shqiptar, kur vjen për pushime dhe për t’i dhënë vlerë regjistrimit të qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Sigurisht që regjistrimi është falas dhe  është një detyrë patriotike dhe një detyrim i institucioneve për të dhënë mbrapsht shërbimet në adresën që deklaron. Sigurisht që kjo ndihmon të vëmë baza themeli në republikën tonë, nga njëra anë duke populluar qytetarët dhe adresat  në Republikën e Shqipërisë dhe, më në fund, të dimë ku dhe sa jemi dhe, nga ana tjetër, të ndriçojmë Shqipërinë jashtë Shqipërisë!

Janë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe nëpërmjet regjistrimit dhe mjafton regjistrimi, për të vënë institucionet pra shtetin shqiptar, në detyrimin për të të shërbyer në shtëpinë tënde. Regjistrimi ka një afat që nuk është vetëm indikativ, por është detyrues që do të thotë qytetarët shqiptarë, sot emigrantë, marrin  shërbime në konsullata, në ambasada apo duke ardhur këtu, edhe pa u regjistruar, por regjistrimi kërkohet domosdoshmërisht pas një afati të caktuar, do të jetë e domosdoshme regjistrimi në mënyrë që të vijë dhe shërbimi automatikisht.

Pra ne kërkojmë këtë kontratë të re patriotike me qytetarët shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë për të na dhënë ne mundësinë t’u kthejmë mbrapsht borxhin që kemi, për të na të dhënë mundësinë që t’iu shërbejmë në shtëpi duke iu kërkuar vetëm një kontribut të vogël patiotik, regjistrimin. Dhe kjo është rruga më e mirë për të bërë atë që ne duam për të bërë, atë që ëndërrojnë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë për vendin e tyre dhe për të ardhmen e familjeve të tyre!
Faleminderit!

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës