Ne fjalën e tij ministri Koka theksoi, se "moratoriumi 2-vjeçar i gjuetisë ka dhënë rezultate të suksesshme në ndalimin e shfarosjes së mëtejshme të faunës së egër. Ne kemi si qëllim të rigjenerojmë faunën e egër dhe të marrim masat e nevojshme duke planifikuar një plan kombëtar, i cili do të vihet në zbatim pas moratoriumit. Kjo është një punë paraprake në mënyrë që institucionet qëndrore dhe lokale të jenë të përgatitura me struktura kontrolli dhe menaxhuese funksionale dhe njëkohësisht kuadri ligjor te jetë i plotë dhe mos të lerë hapësira për keqinterpretim".
Në Planin Kombëtar të Zhvillimit të Gjuetisë parashikohen disa ndryshime si, ngritja e një strukture ndërinstitucionale pranë Ministrisë së Mjedisit, e cila do të ketë një rol konsultativ për vendimmarrjen në lidhje me menaxhimin e aktivitetit të gjuetisë, rialokimi i stafit në zyrat e shërbimit pyjor në rrethe, por edhe jashtë saj, për të bërë të mundur angazhimin e personelit të nevojshëm për mbarevajtjen e aktivitetit të gjuetisë; krijimi i një database, i cili do të bëj të mundur vendosjen nën kontroll të aktivitetit dhe të armëve të gjuetisë, si dhe dixhitalizimi i hartave të zonave të gjuetisë.
Gjithashtu, në kuadrin ligjor do të realizohet amendimi i ligjit të gjuetisë duke përcaktuar rolin e një bordi konsultativ për aktivitetin e gjuetisë si dhe duke përjashtuar zonat e mbrojtura nga aktiviteti i gjuetisë. Mbi bazën e të dhënave që dalin nga inventarizimi vjetor, në ligjin "Për gjuetinë" është sanksionuar që, kuota e planifikuar për t'u gjuajtur në sezonin e ardhshëm të gjuetisë nuk mund të jetë më shumë se 10 % e shtesës natyrale të popullatës për secilin prej llojeve të faunës së egër objekt gjuetie.
Për ripopullimin e zonave të gjuetisë, planifikohet që nëpërmjet financimeve nga buxheti, por edhe atyre të huaja të ngrihen dy ferma për kultivimin e specieve objekt gjuetie deri më 2018 si pjesë e projekteve të fushës së natyrës, për të bërë të mundur planifikimin e rritjes dhe mbarështimit të llojeve objekt gjuetie me synim lëshimin e tyre në zonat e gjuetisë, veçanërisht në ato që kanë nevojë për ripopullim. Zbatimi i këtij programi në praktikë për 10 vitet e ardhshme do të mundësojë një planifikim dhe kontroll më të mirë të aktivitetit të gjuetisë, të bazuar mbi parimet e përdorimit të qëndrueshëm të llojeve të faunës së egër objekt gjuetie, por jo vetëm.
Plani Kombëtar i zhvillimit të Gjuetisë është dokumenti kryesor që shërben për realizimin e aktivitetit të gjuetisë së qëndrueshme, në përputhje me objektivat e politikave shtetërore për mjedisin, natyrën e biodiversitetin në mënyrë më specifike. Ai hartohet për herë të parë nga Ministria e Mjedisit, që me shpalljen e Ligjit 'Për gjuetinë' dt. 11.03.2010. /ATSH/