Në shërbim larg vendit” rikthen në Tiranë Christopher Hill, ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e librit të ish-diplomatit amerikan, ndërsa kujtoi kohën kur ai shërbeu në Shqipëri dhe njohjen me të.

Kreu i qeverisë theksoi se dëgjoi për Chris Hill si personi që burgosi Fatos Nanon, por shtoi se kur iu desh ta takonte vite më vonë, mendoi se nuk ishte nga ato persona që burgos njerëz të opozitës. Duke vlerësuar figurën e tij, kryeministri Rama tha se është një “mjeshtër pëshpëritës”.

Rama thotë se i la më shumë mbresë fakti që Hill të dëgjonte, një virtyt, që sipas kryeministrit, nuk e kanë zakonisht ambasadorët amerikanë, duke marrë parasysh se janë diplomatë të një superfuqie si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Më duhet të them që kur dëgjova për herë të parë për Chris Hill ishte kur më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg.  Ishte mënyrë shumë mbresëlënëse për të lënë pas emrin pasi sapo kishe hyrë në Shqipëri dhe thjesht nuk ishte angazhuar në asnjë reformë apo transformin, thjesht kishe çuar në burg dikë dhe ishte larguar. Por ka diçka që mund ta them me siguri dhe mendoj që jam i sigurt kur e them se Chris hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon që nuk e kupton Ballkanin nga distanca por e kupton atë nga brenda. Sepse ai e ka jetuar Ballkanin në të gjitha këndet e tij, praktikisht e ka përshkruar të gjithë hartën e tij dhe çuditshëm kurrë nuk ka shfaqur ndonjë tundim për të folur me zë të lartë e bërë ndikues. Për t’u shfaqur nëpër foto nga majat e maleve dhe brigjet e deteve të këtij rajoni. Ka qenë gjithmonë i pranishëm si mjeshtër pëshpëritës. S’di çfarë u ka pëshpëritur kryeministrave dhe vendeve ku ka shërbyer, por di me siguri që kur e kam takuar për herë të parë më la shumë mbresë. Së pari nuk më dukej si njeri burgosës i njerëzve të opozitës dhe së dyti më la mbresë mënyra me të cilën dëgjonte. Nuk është virtyt ky i ambasadorëve amerikanë. Janë të mirë për të folur e dhënë leksion, por nuk shqyhen për të dëgjuar. Pra vjen si një superfuqi, nuk ka asgjë për t’u ankuar e thënë se kur vjen nga një superfuqi nuk dëgjon se ke luks që të tjerët nuk e kanë. E ke luksin që ta dreqosësh dhe të thuash zhduku.”, u shpreh kryeministri. 

Më tej, nuk kurseu batutat teksa tha se për vite ambasadori amerikan, kushdo të ishte ai, ishte personi më i fuqishëm në Shqipëri. Në krahasim me vendet e tjera, tha Rama, ambasadori i SHBA shihet si ‘perëndi’ në vendin tonë. Kujtoi gjithashtu edhe kohën kur Hill shërbeu si ambasador në Serbi. 

“Pyes gjithmonë veten si mund ta bëjë dikush punën e të qenit personi më i rëndësishëm në vend, se nuk ka dyshim që personi më i rëndësishëm në këtë vend për shumë vite ka qenë kushdo që ka qenë ambasador amerikan. Të jesh ambasador amerikan në Shqipëri është puna e dytë më e mirë  e dikujt që është amerikan pas të qenit president se këtu është të jesh perëndi. Përgjigja qëndron te personaliteti, dhe mënyra se si Chris e bën këtë punë, me distancë, mjaft kujdes kur dëgjon dhe me shumë zë të ulët. Kam pasur mundësi ta njoh shumë më vonë sesa ai më njihte mua. Kjo është gjëja e mirë e amerikanëve, mund mos t’i njohësh ti po ata të njohin ty. Më pas patëm mundësi të shiheshim në një sërë rastesh kur ai shërbente në vendin më të vështirë për një ambasador amerikan në Ballkan, se nuk është kudo e lehtë si në Shqipëri. Në Beograd. Për mua ishte e jashtëzakonshme mënyra se si ai u mor me atë vend dhe mundi të formësonte në një farë mënyrë rrjedhën e ngjarjeve në atë vend, në të cilin ai vend iu afrua më shumë se kurrë asaj që nga këndvështrimi i një amerikani nuk do të ishte dëshiruar. “, shtoi Rama mes të tjerash.