Prezantohet në Kuvend projektbuxheti 2025, nuk ka ndryshim taksash! Malaj: Presim rritje ekonomike 3.9%, ulje të borxhit publik dhe më shumë investime

Ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi në konferencën e Kryetarëve draftin e buxhetit rekord të 2025 ku projektohet të shpenzohen 822.7 miliardë lekë dhe të ardhurat të arrijnë 754.6 miliardë lekë. Malaj tha se këto shifra i përgjigjen dhe parashikimeve për rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm.

“Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%, me një konvergjencë graduale drejt normës potenciale prej 3.9% në periudhën afatmesme. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit”, tha Malaj.

Teksa bëri një prezantim të të ardhurave tatimore, doganore dhe të kontributeve, Malaj tha se ky projektbuxhet nuk shoqërohet me ndryshime taksash, pasi pritet të miratohet Strategjia e të Ardhurave fillimisht.

“Për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjeneronte të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025 përtej atyre që shpjegova pak më sipër”, tha Malaj.

Sa i takon shpenzimeve ministri theksoi se do të ketë rritje të fortë të investimeve publike në kuadër edhe të integrimit të vendit.

“Do të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB përgjatë 2025-2027 të cilat përqendrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me Planin e Rritjes së BE”, tha Ministri.

Në rritje me 13.2% është edhe buxheti për pushtetin vendor, ku shpenzimet planifikuara për bashkitë arrijnë në 89.8 miliardë lekë. Veç transfertës së përvitshme Malaj tha se bashkitë do marrin para ekstra për performancën.

“Një risi në buxhetin vendor 2025 do të jetë edhe financimi i grantit të performancës në shumën 200 milion lekë me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar performancën e tyre në qeverisje, menaxhimin më të mirë të financave publike vendore dhe rritjen e transparencës”, tha Malaj.

Në këtë prezantim të projektbuxhetit Ministri i Financave njoftoi se janë rritur pritshmëritë për rritjen ekonomike edhe të këtij viti nga 3.7% që pritej në 3.9%.

“Kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.9% nga 3.7% që parashikonim fillimisht rreth një vit më parë”, tha Malaj.

Sa i takon financimit të skemës së pensioneve ministri tha se ato do të arrijnë në 7.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët”, tha ministri.

Ndër të tjera ministri tha se për vitin 2025 planifikohen 800 milionë lekë shpenzime për pagesën e papunësisë, 23.7 miliardë lekë për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar, 1.4 miliardë lekë për ish të përndjekurit dhe 2.25 miliardë lekë për bonusin e bebeve.

E.Gj/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Fox News: Donald Trump mund Kamala Harris, fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA! Nis festa e republikanëve

Fox News: Donald Trump mund Kamala Harris, fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA! Nis festa e republikanëve