Në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" u shfaq premiera e pjesës "Radio Iliria ... ose shtatë lëkurat e kavjes".

Në regjinë e Erand Sojlit, as/regjisore Flonja Kodheli, muzikën e Elina Dunit, skenografinë e Arian Risvanit, kostumet e Eri Dakës, si dhe Design Grafik të Ada Seferit, aktorët  Arben Bajraktaraj, Mërkur Bozgo dhe Erjeta Cufaj intepretuan pjesën, e cila është përkufizuar si "një histori e kaluar, për të sotmen që jetohet, e një udhëtim brenda qënies njerëzore dhe memories kolektive".

"Radio Iliria" gjihashtu paraqiti edhe një punë hulumtuese dhe kërkimore, e cila vjen pas një kërkimi të gjatë në historitë njerëzore, metodologjinë skenike, gjuhën e shprehjes dhe hapësirën skenike.
Shfaqja e parë në publik në Teatrin Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli" prezantoi një pjesë, të cilën autorët e kanë cilësuar si "work in progress", duke tentuar të ndryshojnë parametrat tradicionalë të hapësirës, gjuhës së simbolit, lëvizjes, interpretimit.

Historia e intepretuar nga trupa e aktorëvë fliste për Palin, një të moshuari të vetmuar në ditët e sotme, i cili ndodhej në shtëpinë e tij, me shoqërinë e lajmeve që i sjell radio e tij e vjetër. Një djalë i ri, i sapodalë nga torturat e hetuesisë komuniste, vjen për t'i thyer vetminë. Të dy bashkë përshkojnë 25 vite persekutimi duke thyer çdo kufi të fajit dhe pafajësisë, kujtimit dhe harresës, realitetit dhe imagjinatës, kohës dhe hapësirës. Rreth tyre, si një re e shpërbërë, qëndron dashuria dhe rrugëtimi i saj i çalë. /ATSH/