Lezha ka prezantuar ofertën turistike të këtij sezoni veror, që pritet të nisë në Maj. Takimi promovues u organizua në bregdetin e Shëngjinit me pjesëmarrjen e operatorëve turistikë, drejtues të pushtetit lokal.Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu u shpreh se është krijuar një platformë online me qëllim promovimin dhe thithjen e sa më shumë turistëve.
"Po e konkludojmë si ide. Ndërkohë që po përgatitim një platformë digjitale, ku çdo element deri në imtësi që ofron Lezha do të jetë online”, tha Ndreu.
Ndreu foli edhe për punimet në infrastrukturë që do të realizohen për ta pasur një sezon suksesshëm.
“Do merren edhe masat për realizimin e një plazhi në një pastërti shembullore, më mirë se vitin e kaluar duke ndërhyrë e duke kuruar disa pjesë të territorit që ndonëse vjet nuk i kapëm dot por që sivjet do të jenë gati. Mund të përmendim ndriçimin e rrugës që është një gangrenë nga Lezha në Shëngjin mendoj se do i japim një tjetër cilësi zhvillimit të plazhit sivjet”, tha Ndreu.
Numri i pushuesve në bregdetin e Lezhës ka ardhur gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, duke i dhënë një zhvillim të jashtëzakonshme sektorit të turizmit nga e cila është e varur ekonomisë së kësaj zone.