Në këtë konferencë është lançuar publikimi i përgatitur nga BCSP dhe i monitoruar nga QKSS me titull "E ardhmja e 'mbrojtjes civile' në pjesën veriore të Kosovës."
Në konferencë u tha se, procesi i shpërbërjes së "Mbrojtjes Civile" në veri të vendit ndërthur një mungesë transparence nga ana e qeverisë së Kosovës, qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të BE-së.
Studimi ka identifikuar një personel prej 751 pjesëtarësh të formacionit "Mbrojtja Civile" pjesa kryesore e së cilit ishte mbipopulluar gjatë dy viteve të fundit. Edhe pse hulumtimi ka gjetur që marrëveshja e arritur pasqyron premtim të qeverisë së Kosovës për integrimin e 483 pjesëtarëve në institucionet e Kosovës në institucionet publike, ende nuk është e qartë se ku dhe si do të sistemohen pjesa më e madhe e tyre.
Po ashtu, studimi vëren se mungon një plan për ri-integrimin e pjesëtarëve të mbetur (268) në jetë, civilë apo biznese, bazuar në modelet e ngjashme në të kaluarën. Mungesa e një plani ri-integrues mund të ketë reagime sociale e të sigurisë nga grupe të pakënaqura.
Ekipi hulumtues ka dhënë një varg rekomandimesh dhe alternativash në funksion të zbatimit sa më të shpejtë dhe më të mirë të marrëveshjes për "Mbrojtjen Civile".
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se ishte arritur marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës "Mbrojtja civile" me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Me këtë rast ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, "arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur, ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur 'Mbrojtja Civile' dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Procesi i bisedimeve ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm për gati dy vjet, ndërsa në periudhën e fundit shkurt-mars të këtij viti negociatat janë zhvilluar në mënyrë bilaterale, mes BE-së dhe dy shteteve dhe fundi ishte i suksesshëm, rezultoi me marrëveshje të nënshkruar nga tre palët".
Marrëveshja parashikon procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja përmban mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015.