Qytetarët shqiptarë po shpenzojnë më shumë para për të blerë po të njëjtën sasi mallrash, që vjet e blinin me më pak lekë. Për t'u dhënë mundësi konsumatorëve të gjejnë ku shiten më lirë produktet, qeveria synon të bëjë gati brenda 30 shtatorit platformën online “Price Watch Albania”, ku do të pasqyrohen çmimet e produkteve të shportës në supermarkete të ndryshme.
Deri më tani vetëm një rrjet supermarketesh ka dorëzuar listat e kërkuara. Në një takim me përfaqësuesit e bizneseve dhe furnitorët, kryeministri Edi Rama i kritikoi për mungesën e bashkëpunimit dhe për çmimet e larta të produkteve, duke theksuar se marzhet e fitimit janë të papranueshme.
“Vetëm 1 aktor u përgjigj, të tjerët u zhdukën. Unë besoj se ju jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se çfarë mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina dhe as Amerika, dhe kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë. Qëllimi është që ti lehtësojmë njerëzit nga kjo mbingarkesë me marzhe të papranueshme fitimi të papranueshme”, tha Rama.
Qeveria beson se kjo nismë që do të rrisë konkurrencën mes rrjeteve të supermarketeve dhe të nxisë uljen e çmimeve. Rama kërkoi bashkëpunim, në të kundërt paralajmëroi ditë të vështira për ta.
“Do thoni ca i hapëm vetes, në djall ato që po i fitojmë në mënyrë të padrejtë. Nuk mendoj se po kërkojmë ndonjë gjë të padrejtë, as ndonjë sakrificë, as të ktheheni në organizata bamirësie, po ju themi fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë. Çmimet këtu janë mbi të tërë të tjerët. Ajo që është edhe më e tmerrshme është që shifrat e BSH thonë e para që zhvlerësimi i euros duhet të sillte ulje çmimesh në produkte që lidhen me euron, inflacioni i importuar ka rënë dhe me produkte të brendshme këtu bëhet nami me çmim. Çdo gjë e ka një kufi, po flasim për produkte jetike, të shportës. Për njerëzit që maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë më shumë”, tha Rama.
Përmes platformës, qytetarët do të mund të krahasojnë çmimet e produkteve sipas supermarketeve. Rrjeteve të shitjes u kërkohet të dorëzojnë listat e produkteve me barkod, markë dhe gramaturë, si dhe të përditësojnë çmimet sipas një standardi që do të përcaktohet.
"Të angazhohemi bashkërisht, jo në parim, por konkretisht, që ju të konfirmoni rrjetin e pikave tuaja të shitjes për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot dhe të niset transmetimi i të dhënave. Të dorëzohet lista e produkteve që përputhen me kategoritë e kësaj faze, me barkod, me markë, gramaturë, përshkrimi etj, që produktet të jenë të krahasueshme. Të ekspozohet lista e plotë e të gjithë dyqaneve dhe adresave, që gjithëkush të shohë çmimin. Të përcaktohet një standard për sa shpesh përditësohen çmimet dhe sa shpesh përditësohet çmimi në platformë. Të përcaktohet nëse [platforma do të tregojë nëse produkti nuk është në stok. Çdo operator të caktojë një teknik për ta zbatuar këtë. Për qytetarin ka ardhur koha të jetë e thjeshtë, të shikoj, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga dhe të mos ketë edhe një pasqyrë konkurrence ku ai që është më i shkathëti dhe ai që është më i shpejtoi në adaptimin e çmimeve më konkurruese të fitojë më shumë. Do ishte marrëzi që ne të përcaktonim çmimet, askush nuk iu thotë që ju nuk duhet të nxirrni fitim, por ka ardhur një moment që duhet ta shohim njëri tjetrin në sy", vijoi Rama.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se qeveria u ka propozuar supermarketeve edhe një listë produktesh bazë që të shiten me fitim minimal ose zero, me çmime të fiksuara deri në fund të vitit.
“Në takime të tjera që kemi pasur me një numër më të reduktuar të marketeve që kanë ardhur në takim, kemi diskutuar edhe për një nismë tjetër, duke ndjekur shembullin e Greqisë, për të përcaktuar një listë produktesh të cilat janë me vlerë të ulët, të cilat i dedikohen shtresave në nevojë, të cilat do të angazhoheshin supermarketet t’i shisnin me një fitim minimal ose zero dhe do të fiksonim këto çmime për një periudhë deri në fund të vitit”, tha Ibrahimaj.
Ministri i Financave Petrit Malaj e konsideroi këtë nismë si një ushtrim për të kuptuar se cilat janë marzhet e fitimit të kompanive dhe nëse ato janë apo jo abuzuese në kurriz të qytetarëve. Në rast se bizneset nuk do të tregohen bashkëpunuese, Malaj tha se ky proces do të realizohet nga vetë Ministria përmes inspektimeve pranë subjektive.
-
Conadi ze vendin e pare per çmimet e larta. Shpesh degjoj turist te huaj qe diskutojne te habitur kur shikojne çmimet. Jane dyfish - trefish me te larta se ne Itali. P.sh. eshte nje produkt Fileto pule e cila ne amballazh ka çmimin 23.99 Euro kg , Conadi ne Tirane e shet 42 mije Leke . Euro bie çmimet rriten. Me kete kurs kembimi qe ka Euro - Leke. Twk Conadi çdo dite rriten çmimet.
Përgjigju -
Shume heret je kujtuar Ka gati 10 vjet qe po ndodh kjo histori Importusit kane bere miliona mos te themi miliarda. Dhe jana ata qe marrin dhe tendera dhe procuring me status te investitorit strategjik Merru me pasqyren strategjike jo me ate besnike
Përgjigju











Komente
Komento