Ndërtimi i ujësjellësit të ri në Lezhës ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm, por nga ana tjetër ka sjellë dëmtimin e shumë akseve rrugore. I tillë është edhe segmenti rrugor në Ishull-Shëngjin i cili deri një vit më parë ka qenë i asfaltuar, por tashme rruga është e shkatërruar. Prej 1 viti, 150 familje të kësaj lagjeje duhet të lëvizin në një rrugë që amortizohet çdo ditë, në kohe me shi bëhet vështirësisht e kalueshme për shkak të prezencës së ujit.

“Rruga ka qenë e shtruar, ka qenë e rregullt dhe tani e kanë prishur, dhe nuk kemi ku të ankohemi. E ka prish Ujësjellësi që na ka sjellë ujin. Erdhën punëtorët e ujit dhe u prish.
U bë një investim shumë i mirë për ujin por u prish rruga dhe këtij investimi i ra vlera.”,
shprehen banorët e zonës.

Në Bashkinë e Lezhës deklarohet se është e pakuptimtë që ndërmarrja e ujësjellësit e ka marrë investimin në dorëzim pa u realizuar kontrata.

“Firma kontraktuese e këtij investimi, e ka të përcaktuar më kontratë që për çdo prishje të rrugës duhet ta rregullojnë. Dhe firmosjen e marrjes në dorëzim e ka pasur në dorë Ndërmarrja e Ujësjellësit, e cila me marrjen në dorëzim duhet të kishte parë edhe infrastrukturën e dëmtuar. Megjithatë ne do të insistojmë që rruga të bëhet riparimi i këtij segmenti”, thotë Ndue Lushi, Drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë.

Ky nuk është rasti i parë që firma që ka ndërtuar Ujësjellësin e ri të Lezhës i ka dëmtuar rrugët dhe nuk i ka kthyer në gjendjen e mëparshme, siç është e parashikuar në kontrate.

Er.K/Shqiptajra.com