Kompanitë e sigurimit janë futur në një tjetër garë këtë fundvit, duke shitur primin e sigurimit motorik të detyrueshëm për klientët e tyre në nivele të reja të ulëta, por kjo, me sa duket, po ndodh informalisht. Dje, më datën 27 dhjetor, madje rënia ka qenë edhe më e theksuar, krahasuar me ditët e mëparshme. 

Deklarimi i primit në sistem është rreth 19 mijë lekë, nëse, si shembull, i referohemi një modeli, që ka kapacitet motorik nga 1.600 centimetër kub, deri në 2.500 centimetër kub, por në të vërtetë qytetari paguan 13.500 lekë.

Burime pranë kompanive të sigurimeve shprehen se, edhe pse dëshira e tyre nuk është për të shitur në këtë formë, në fakt ka dy-tri kompani, të cilat po i prishin ekuilibrat dhe ndërhyjnë duke ulur çmimet, çka detyron të tjerat që t’i ndjekin.

Por çështja e çmimit është disi më e komplikuar, nëse në analizë marrim edhe faktin që, nga 13.500 lekëshi, zbriten 10 për qind komision për brokerat. Pra, në këtë rast, kemi edhe 1.350 lekë të tjera, që hiqen nga totali i primit.

Nëse do të llogarisim edhe taksën, që është 10 për qind e primit të shkruar bruto, pra 1.900 lekë, nisur nga shifra sa është primi i deklaruar në system, atëherë vlera finale e arkëtuar nga kompania arrin në 10 mijë lekë. Ky është primi real për kompanitë, i cili supozohet të mbulojë shpenzimet fikse, ato të tjera, si dhe riskun.

Për kategori të ndryshme mjetesh ulja është e ndryshme, por vetëm për klientin çmimet ulen nga 25-30 për qind, ku, së bashku me komisionet, shkon në 40 për qind ulje. Nga kjo po përfiton klienti.


dy.b/shqiptarja.com