Prishtinë, nis festivali ndërkombëtar
i filmit, “Kosova-Hyjnesha në Fron”

Prishtinë, nis festivali ndërkombëtar<br />i filmit, “Kosova-Hyjnesha në Fron”
PRISHTINË - Rreth 40 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër do të marrin pjesë në edicionin e gjashtë të festivalit ndërkombëtar të filmit “Fest Film Kosova-Hyjnesha në Fron”, i cili do të fillojë sot në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 5 shtator.

Filmat pjesëmarrës janë kryesisht nga Ballkani, por dhe nga vende të ndryshme të botës.

Drejtor i festivalit, Besim Ajeti ka thënë se këto do të jenë pesë ditë të rëndësishme për kryeqytetin tonë dhe se këtë herë është një pjesëmarrje e mirë e filmave në këtë festival.

“Besoj që me programin tonë dhe të ftuarit specialë, që kanë ardhur do të kemi pesë ditë shumë të rëndësishme në kryeqytetin tonë. Do të fillojë shtatori i filmit, i cili besoj se do të zgjasë dhe me prezantimin e filmave dhe nëpër festivale të tjera, që do të jenë këtë muaj", tha Ajeti.

Sipas tij, 'Hyjnesha në Fron’ këtë vit e fillon shtatorin me filma me një pjesëmarrje shumë të mirë. Ky edicion e ndryshon ciklin e lëvizjes së hyjneshës, e cila kohë më parë është mbajtur nëpër vende të ndryshme të Kosovës dhe tani jemi në Prishtinë dhe do të na çojë në një rrugë tjetër. Këtë vit kemi njerëz shumë të rëndësishëm të kinematografisë dhe besoj se do të përdorim dhe ndihmën e tyre, që në të ardhmen ‘Hyjnesha në Fron’ të kalojë në nivele dhe më të larta në pjesëmarrje dhe në kohë.

Ndërsa Philip Bergson, kritik filmi nga Anglia, anëtar jurie në këtë festival, i cili foli dhe për teknologjinë e re, e cila ka pushtuar tashmë botën, ka thënë se "kinemaja duhet të ketë shije dhe se nëse filmi nuk ka histori apo karakter, atëherë teknologjia nuk ka fare rëndësi. Ai, po ashtu, ka folur dhe për përvojat e tij si anëtar jurie në Kosovë dhe Shqipëri, duke pohuar se ka shumë potencial sa i përket prurjeve, në Ballkan.

“Tani në kohën e festivalit të telefonave dhe internetit të gjithë mund të bëjnë filma, por unë s’dua t’i shoh ato filma. Teknologjia e është si një lloj ushqimi i shpejtë, por nuk është ajo çfarë në të vërtetë duam të hamë. Kinemaja duhet të ketë shije”, ka thënë ai.

Ndërsa Mike Sarne, anëtar i jurisë së festivalit, i pyetur se a kanë në plan ndonjë film me aktorë dhe tema për Ballkanin, ka pohuar se në këtë rajon ka shumë romancë dhe dashuri dhe se ata mund të bëjnë kërkime për tema interesante dhe të bëjnë ndonjë film në Prishtinë apo dhe në vende tjera.

“Do të kisha pasur shumë dëshirë. Deri tani kemi qenë të përjashtuar nga blloku lindor dhe jam shumë i interesuar për legjendat dhe historitë e këtij vendi, që tash ka filluar të hapet. Ka një rrjedhë të jashtëzakonshme të romancës, sentimentalitetit dhe dashurisë, që ne gjejmë këtu, e që është duke u zhdukur nga pjesa e botës ku jetojmë ne. Ne mund të bëjmë kërkime për storie interesante dhe të bëjmë film ndoshta në Prishtinë apo dhe në vendet tjera”.

Filmi i metrazhit të gjatë nga Sllovenia “Shanghai Gypsi” do të bëjë sot çeljen e festivalit. Në këtë film luan dhe Visar Vishka, aktor shqiptar nga Maqedonia. Ky është filmi më i shtrenjtë, që është bërë në Slloveni ndonjëherë, e i cili konsiderohet shumë i përshtatshëm për këtë festival, pasi paraqet një panoramë të Ballkanit.

Filmat në këtë festival të filmit do të konkurrojnë në dy kategori, filmat e gjatë dhe të shkurtër. Filmi i shkurtër do të konkurrojë për dy çmime; "filmi i shkurtër ndërkombëtar më i mirë" dhe çmimi "kinemaja e të ardhmes". Ndërsa në konkurrencën e filmit të gjatë, çmimet do të ndahen për aktorin dhe aktoren më të mirë në rol dytësor, për fotografi, për skenar dhe filmi më i mirë i festivalit. Filmat janë prodhime të dy viteve të fundit dhe janë premierë për Kosovën.

Marrë nga Kosovapress

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024