Personalisht jam e bindur se direkt apo indirekt, rezultati final i gjendjes ekonomike, sociale, kulturore, politike në një vend është shumë i ndërlidhur me rrugëtimin personal, pozitiv apo negativ, që bën çdo individ. Tërësia e qytetarëve ndikon në krijimin e standardeve të larta të jetës së një populli dhe të mbarëvajtjes e mirëqenies në përgjithësi. Sa më lart në ngrihemi shpirtërisht, aq më pozitiv është rezultati për të gjithë.
Por, a kemi krijuar në të vërtetë ne shqiptarët një shoqëri të lirë dhe të drejtë, për të pasur më pas një shtet të mirë dhe shërbyes për të gjithë?
Unë mendoj se si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë ne jemi ende larg krijimit të parametrave optimale të vlerave më të mira njerëzore, por me optimizëm them se si popull i ri, vital dhe me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe prirje natyrale ndaj të mirës dhe të pasurës, po bëjmë hapa epokale.
Në këtë periudhë të gjatë tranzicioni për ne në Shqipëri, e për shqiptarët e Kosovës, kanë ndodhur aq shumë ngjarje, rrënime e zhvillime, saqë mendoj se ende njerëzit, si pas një tërmeti ekzistencial, nuk kanë pasur kohë as të mendojnë se kush janë, nga vijnë, dhe ku kërkojnë të shkojnë. Shoqëria jonë është ende në plazmim e sipër të ëndrrave, dëshirave, karakterit, vlerave dhe askush – mendoj – nuk e ka tagërin të bëhet gjykuesi dhe moralizuesi i të tjerëve në këto kohë.
Vlerat e vërteta, totale dhe të sinqerta, janë lehtësisht të kuptueshme nga të gjithë dhe moralizuesit apo gjykatësit e improvizuar nuk kanë efektin e duhur në përmirësimin e një vendi, përkundrazi. Në Kosovë e Shqipëri këto kohë ka vend për këdo, veç për gënjeshtarët jo.
Në një shoqëri vërtetë të lirë dhe demokratike, shqetësimi i njerëzve, por sidomos i mendjeve më të ndriçuara që prodhon një komb, është të krijohen rregulla të barabarta për të gjithë, standarde të vërteta për individë të lirë. Vetëm në krijimin kushteve reale të pavarësisë dhe respektit të pushteteve që mbajnë në jetë një model shoqërie, siç është dhe kjo e jona, mund të krijohet humusi i përshtatshëm për një lulëzim barazie dhe meritokracie për të pasur pastaj njerëz të drejtë dhe të mirë.
Në Tiranë, prej më shumë se një viti ka nisur epoka e Edi Ramës dhe për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e më gjerë është një shans për të pretenduar vlerat më të mira të një shoqërie të përparuar, përmes shpirtit të një artisti dhe aureolës së tij.
Në Tiranë, opozita protestoi në qindra mijëra për ta thënë e lirë, në shesh, mendimin ndryshe. Në Beograd, kryeministri Rama tha se Kosova është e Pavarur dhe ky është një realitet i pakundërshtueshëm.
Sërish në Tiranë, ashtu siç e shkruaja për PS në opozitë, PD-ja duhet t’i kthehet Kuvendit për të kryer misionin më fisnik që ka një opozitë: Thënia në sy e me guxim e gabimeve që bëjnë të votuarit e shumicës. Edhe Tirana është pjesë e Universit, ku asgjë nuk ndalet e bllokohet.
Unë vetë thellësisht besoj se arti, kultura, etika, estetika dhe dashuria për të vërtetën e të drejtën çojnë në arritjen e më të mirës. Kjo ngritje shpirtërore, ky përmirësim etik dhe estetik, do të ishin shërbimi më i mirë që Edi Rama artist do t’u bënte shqiptarëve gjatë drejtimit të shtetit prej tij.