PRISHTINE-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një takimi me Bushatin, ka kërkuar që Shqipëria të jetë prezente në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se pala shqiptare të mos rrijë duarkryq.

Kam kërkuar nga pala shqiptare të mos rrijë duarkryq, por duhet të jetë pjesë e synimit tonë, synim kemi dialogun me Serbinë ose në publik, ose pas kurrizit, të jenë aty. Nëse mundet Bashkimi Europian dhe SHBA të jenë prezent aty, pse të mos jetë edhe Shqipëria? Shqipëria mund të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh.

Behgjet Pacolli

Dialogu mes dy vendeve vijon në Bruksel, ndërsa në muajt e fundit është debatuar shumë për idenë e shkëmbimit të territoreve. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Por gjatë vizitës në Kosovë ai u shpreh se ‘nuk është e vërtetë se dua të ndryshoj kufijtë’.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.