Shqipëria merr pjesë në  Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, Udhëtimeve dhe Hotelerisë "Travel Fair 2014" që u hap dje në Prishtinë.  
 
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panair ka një rëndësi të veçantë nisur nga faktin që numri i turistëve nga Kosova renditet në vendin e parë  të atyre që e vizitojnë.  
 
Imazhi i ri që Shqipëria turistike kërkon të promovojë është jo vetëm diell dhe det për pushuesit e saj, por edhe kulturë e histori duke filluar me prezantimin e Beratit, Gjirokastrës e Butrintit si trashëgimi botërore për t’u ngjitur në alpet e mrekullueshme të Thethit, Vermoshit e Valbonës në Shkodër e Tropojë e për të vazhduar me rrjetin kombëtar të muzeve.
 
Agjensia Kombëtare e Turizmit u përfaqësua me stendën e saj, duke prezantuar ofertën e këtij sezoni veror të vendit tonë. 
 
Drejtorja e Agjensisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame, në fjalën e saj prezantuese në çelje të panairit njohu të pranishmit me  masat që Shqipëria ka ndërmarrë për të pritur vizitorët e këtij sezoni. Ajo theksoi se, krahas investimeve rrugore që lidhin qytetet me destinacionet turistike, është ndërrmarrë për herë të parë një aksion kombëtar për pastrimin e zonave bregdetare, ku malet e plehrave do të mbeten veçse një kujtim.
 
Gjithashtu masa janë marrë në drejtim të instalimit të kolektorëve të ujit dhe trajtimit të ujrave të zeza në mënyre që të garantohet një cilësi e lartë e ujrave detare në shumë segmente të bregdetit shqiptar.
 
Njëkohësisht, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka ndërmarrë një nismë për të trajnuar personelet e hoteleve dhe restoranteve bregdetare, në mënyrë që turistët  kosovarë dhe jo vetëm, të kenë një shërbim sa më të kulturuar dhe cilësor.
 
Drejtoresha   AKT-së Dhame në fjalën e saj vuri theksin tek rëndësia që ka konsolidimi i ardhjeve të turistëve nga Kosova, duke bërë që të nxisë edhe rritjen e shkëmbimeve të ndërsjellta turistike midis dy vendeve tona.
 
Krahas projekteve të përbashkëta, tashmë të njohura, siç është ai i “Majave te Ballkanit”, gjatë këtij viti Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar në datë 6 shkurt një marrëveshje bashkëpunimi midis Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Republikës së Shqipërise dhe Ministrisë së Industrisë dhe Tregëtisë së Kosovës.
 
Hapjen e këtij panairi e përshëndeten me fjalën e tyre gjatë ceremonisë Bekim Xhafa, Drejtor i CEO-s, Brenard Nikaj, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës.. Z. Fatmir Gjeka, Kryetar i Komunës së Ulqinit,  Mentor Bytyqi, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit. 

panairi turistik kosove
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)