PRISHTINË, 18 Gusht /ATSH-B.Jashari/.-Seminari XXXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare çeli sot punimet në Prishtinë, ndërsa do të zhvillohet deri në datën 30 gusht, me pjesëmarrjen e rreth 100 studentëve e studiuesve nga bota.
Seminari ka si temë "Gjuha shqipe dhe ideologjia" dhe "Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha" ku përfshin dhe një axhendë të larmishme si, kurse intensive të mësimit të shqipes (tri shkallë), ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore dhe ligjërata të përgjithshme, tryezë e rrumbullakët dhe program kulturor plotësues.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.
Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari deri tani ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e dy sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./i.v/ /m.m/











