Brenda vitit 2027 një sërë ndërmarrjesh shtetërore pa aktivitet dhe që kanë më shumë se 2 dekada në proces likuidimi do të mbyllen, dhe asetet e tyre të kalojnë tek një operator i vetëm shtetëror.
Nisma ligjore e hartuar nga Ministria e Ekonomisë, që ka kaluar procesin e konsultimit, është miratuar në qeveri, dhe tashmë pret shqyrtimin në komisionet parlamentare.
Dhjetëra ndërmarrje me detyrime të mbartura ndër vite e me proces likuidimi të zvarritur, edhe pse pa aktivitet kanë shumë pasuri si troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa rrethe të vendit. Ndaj “Operatori Shtetëror” që do t’i administrojë të gjitha pasuritë/asetet, do të ketë të drejtë t’i shesë ose t’i japë për privatizim.
“Shoqëria shtetërore pasuese “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., ka për detyrë të kryejë shitjen apo privatizimin e aseteve, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim shlyerjen e kreditorëve. Pas shlyerjes së kreditorëve, kjo shoqëri do t’i nënshtrohet procedurës së likuidimit, sipas legjislacionit në fuqi. Në përfundim të kësaj procedure, vlera e mbetur e aseteve do të të rezultojë si e ardhur në buxhetin e shtetit, në një kohë sa më të shkurtër të mundshme”, thuhet në relacion.
Kapitali i operatorit që do të krijohet do të jetë 100 milionë lekë, fond që është akorduar që me aktin normativ të buxhetit të këtij viti.
Janë një sërë shoqërish me emër e që dikur kanë pasur ndikim në jetën sociale dhe ekonomike të vendit. Albkontrolli i Durrësit që dikur ka shërbyer për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave kimiko-fizike të mallrave të eksport-importit, që ndodhet fare pranë portit detar, pranë bulevardit kryesor që përfundon me Velierën dhe vetëm 200 m larg shëtitores në bregdet, do të mbyllet.
Po kështu uzinat e dikurshme të Superfosfatit të Laçit, sot të amortizuara e ku gërmohet skrap gjithashtu do të likuidohen. E po kështu edhe ish-uzina e fermentimit të duhanit në Shkodër me sipërfaqe totale 42 mijë metra katrorë, ku kanë mbetur vetëm rrënojat.
Kurse një pjesë e ish-ndërmarrjeve që janë në Tiranë, si Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., ekzistojnë vetëm në letër pa funksion, emri i të cilave gjendet vetëm nëpër tabela apartamentesh.
Në projektligj thuhet se përfundimi i procedurave të mbylljes dhe çregjistrimit të shoqërive ekzistuese në likuidim, synohet të bëhet brenda 6 muajsh nga miratimi i akteve nënligjore.
Komente











