Qeveria ka njoftuar ligj të ri, dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, pritet që brenda kësaj vere të finalizojë ligjin e ri për "Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë", me argumentin se “mbaron afati i ligjit aktual, dhe me synim për përmirësimin e shërbimeve për investitorët”.  Por nuk është e qartë ende se çfarë ndryshimesh do të sjellë nisma e re, nëse do të ketë një zgjerim të lehtësirave apo kufizim të tyre.

E paqartë është po ashtu nëse nisma e re, ashtu siç dhe është deklaruar, do të përfshijë në një dokument të vetëm, edhe ligjin për investimet e huaja.

Nga ana tjetër Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve thotë se ky ligj ka ndikuar pozitivisht në ekonomi pasi ka shtuar investimet në vend, dhe sugjeron duhet të mbetet në fuqi pa kufizuar kohështrirjen e tij.

“Me ligjin nr. 8/2025, për një ndryshim në ligjin e investimeve strategjike nr.55/2015, u ndryshua afati i paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” , duke parashikuar si afat datën 31 dhjetor 2026. Duke parë ecurinë e zhvillimit që po merr së fundmi Shqipëria dhe kërkesat për investime në fushën e investimeve strategjike sipas parashikimeve të ligjit nr.55/2015, vlerësojmë si domosdoshmëri ndryshime ligjore në mënyrë që të mos kemi kufizime në afate aplikimi, por të jetë në vazhdimësi”, thekson AIDA.

Për herë të fundit afati i investimeve strategjike u shty në dhjetor të 2024-ës, për në dhjetor të 2026-ës.

Deri më tani, në një dekadë, sektori më i preferuar për investimet strategjike, rezulton të ketë qenë turizmi, me një numër të lartë objektesh kryesisht në vijën bregdetare të vendit.

Vetëm gjatë vitit 2025 u trajtuan 7 projekte strategjike, nga të cilat vetëm njëri nuk u aprovua. AIDA thotë se vjet u miratuan 4 projekte në sektorin e turizmit, 1 në sektorin e energjisë, dhe 1 projekt ka përfituar statusin “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” , me vlerë investimi mbi 100 milion euro.

Ky ligj u miratua në vitin 2015, me një afat 3-vjeçar, me në fokus investimet në sektorë prioritar si turizmi, energjia, transporti, bujqësia apo zonat teknologjike, dhe afati i tij është shtyrë 6 herë, me argumentin se ka interes nga investitorët vendas dhe të huaj.

Komisioni Evropian i ka kritikuar në progres raportet për Shqipërinë zgjatjet e afatit të këtij ligji, për shkak të shqetësimeve për ndikimet e mundshme negative mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura.