Pas prezantimit të pr.ligjit për ngritjen e një Fondi Kombëtar të Mjedisit, nga Sofjan Jaupaj, deputetja Ina Zhupa ironizoi se vetëm në raste të tilla e shohin ministrin në seancën plenare. Zhupa kundërshtoi deklaratat e Jaupajt se pr.ligji është në përputhje me direktivat europiane pasi BE ka kërkuar së pari shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
Deputetja tha se ngritja e një fondi të tillë është vetëm për “qoka klienteliste” dhe interesat e qeverisë e nuk parashikon asnjë mbrojtje të veçantë për mjedisin.
“Shyqyr që kemi pr.ligje të tilla që shikojmë ministrin e Mjedisit që vjen para Kuvendit. Kur flet për BE mirë është të kujtosh rezolutën e BE që thotë shfuqizoni ligjin për zonat e mbrojtura. Filloje që këtu. Filloje duke dhënë një vendim për atë që kërkon BE, pastaj për të tjerat. Ju jeni ata që po i shkatërroni zonat e mbrojtura, jeni ata që keni futur fadromat në zonat e mbrojtura, keni vënë kufi vetëm qiellin, kudo mund të ndërtohet, mjafton firma e Edi Ramës. Gënjeu z. Ministër kur tha e kemi sipas standardeve të BE. Nuk është asgjë më shumë e më pak sesa ngritja e një instrumenti për qoka klienteliste dhe për të ndarë milionat e mjedisit në grupin që zgjedhin vetë. Ngrihet një komision që duhet të vendosë për projekte ku konkurron vetë Ministria e Mjedisit përmes agjencive dhe të tjerë. Kush tha që ky është instrument që garanton pavarësi? E njihni konceptin e konfliktit të interesit? Si mund të kandidoni ju përballë të tretëve, OJF-ve, kur jeni ju? Ky është modeli klientelist i Edi Ramës që vendos vetë se ku do t’i japë fondet e mjedisit.Z. Jaupaj, ju kam bërë disa herë thirrje që të silleni si ministër i Mjedisit. E dini që në çdo nen jeni kundër asaj që kërkon BE? Është ligj i paplotë, keni marrë 2-3 koncepte të BE dhe keni futur brenda hallet e interesat tuaja, si të ndani fondet dhe jo si të ndihmoni që të kemi një mjedis më të shëndetshëm”, tha Zhupa.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Kuvend/ Votohet me 85 vota propozimi i PS për Reformën Territoriale, opozita bllokon foltoren! Opozita dhunë e kaos në sallë



