Deputeti i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi, është shprehur gjatë fjalës në Kuvend se do ta votonte draftin e PS për hartën e re territoriale, pavarësisht se sipas tij, ka marrë mbrapsht shije të hidhur zhgënjimi të shumë banorëve që nuk janë dakord me ndarjen e re.

Nasufi tha gjithashtu se dilema e tij ishte se përse drafti nuk parashikon edhe bashkimin me njësitë më të mëdha të qeverisjes vendore, të disa bashkive me performancë më të ulët se Dimali e Poliçani, që do i bashkohen Beratit.

"Këto 11 vite të reformës administrative kanë konfirmuar suksesin dhe rrugën e pakthyeshme të kësaj reforme. Por vazhdon hendeku i projekteve mes qytetit dhe fshatit dhe mes qendrës e periferisë. Unë si deputet i Beratit i kam ndjekur reagimet, refuzimet dhe argumentet kundërshtuese të bashkisë Dimal e Poliçan që do i bashkohen Beratit. Prisja nja hartë që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose të ish-rretheve. Nëse kam një dilemë, nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie dhe performance ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina, Peqini apo të tjera.

Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur, zhgënjim dhe papëlqyeshmëri të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative. Por unë jam i bindur se kush investohet më shpejtë në këtë qasje të kësaj reforme, do të shtrojë rrugën e suksesit dhe të promotorit të zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit. Kush rri peng i vëzhgimit brenda kufijve të zonës ku banon dhe ndihet mirë në bashkinë që i shton hallet edhe më shumë, duhet të zgjohet edhe të reflektojë", tha mes të tjerash Nasufi.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - ‘Territorialja’, seancë maratonë në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet! ‘Pendohet’ Sinaj, kritika Braçe! Mbërrin Rama