Një fëmijë i cili gjendet përkohësisht pa kujdes prindëror, i braktisur, viktimë e dhunës, abuzimit apo trafikimit, i huaj i pashoqëruar apo pa shtetësi, një fëmijë me prindër të dënuar apo me aftësi të kufizuara për të cilin prindërit nuk mund të ofrojnë kujdesin e duhur, shteti do të mendojë akomodimin e duhur në një familje dhe jo direkt në institucione rezidenciale.

Për të rregulluar të gjithë procesin apo përcaktuar standardet dhe mbrojtjen e nevojshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hodhi për konsultim publik një projektligji të ri.

Drafti ligjor “Për kujdesin alternvativ në familje”, parashikon dy mënyra se si do t’u vihet në ndihmë të vegjëlve të vetëm: Profesional, që do të bëhet nga familje të trajnuara e të licencuara dhe te familjet Vullnetare, që do të jenë kryesisht të afërmit.

Kujdesi Alternativ Profesional do të shpërblehet me një pagesë mujore, sigurime shoqërore e shëndetësore ndërsa do u njihet vjetërsia në punë. Kujdesi Alternativ Vullnetar, që do ofrohet nga familjarë të afërt, ose nga të afërm pa lidhje gjaku, të cilët do të marrin një pagesë mujore për shpenzimet bazë të fëmijës.

Procedurat administrohen në nivel vendor, ndërsa aplikimet e familjeve të interesuara kryhen pranë bashkive ose online në e-Albania. Strukturat përgjegjëse kryejnë vlerësimin paraprak të familjeve, ndërsa vendimi për vendosjen dhe kohëzgjatjen merret nga Komisioni Shumëdisiplinar i Bashkisë.

Më pas, njësia e mbrojtjes së fëmijës paraqet kërkesën në gjykatë, e cila duhet të vendosë brenda 10 ditëve. Fëmijëve 6-10 vjeç u merret mendimi verbalisht, ndërsa atyre mbi 10 vjeç me shkrim, gjithmonë në prani të psikologut. Të gjitha rregullat drafti thotë se përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Një familje nuk mund të ketë më shumë se tre fëmijë në kujdes, përfshi ato biologjikë apo të birësuar. Pra dy prindër të 2 fëmijëve biologjikë nuk mund të marrim më shumë se një fëmijë në kujdes alternativ. Në këtë rast mund të ketë përjashtimi por duhet vërtetuar interesi më i lartë i të vegjëlve. Prioritet ligji i jep vendosjes pranë një gjiri familjar fëmijëve kur janë motra dhe vëllezër me njëri-tjetrin

Pas vendosjes, monitorimi bëhet çdo dy javë gjatë tre muajve të parë dhe më pas çdo muaj. Çdo dyshim për abuzim, neglizhencë apo shkelje të të drejtave të fëmijës raportohet menjëherë dhe, në rast konfirmimi, kujdestaria ndërpritet menjëherë, shoqëruar me masa administrative dhe procedim penal kur është e nevojshme.

Konsultimi publik tashmë ka përfunduar dhe pas rregullimeve projektligji të kalojë në qeveri e më pas të depozitohet në Kuvend.

Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë