Problematikat mediatike/ Zyrat e
shtypit, burim apo 'filtrim' informacioni?

Problematikat mediatike/ Zyrat e<br />shtypit, burim apo 'filtrim' informacioni?
Kohët e fundit ka dalë në skenë një “media” e re, tërësisht zyrtare, duke qenë se kontrollohet nga Kryeministria. Fjala është për sajtin online Transparence.al. Ky sajt është krijuar enkas për të dhënë varjantin zyrtar nga të gjitha dikasteret, në përgjigje të akuzave apo lajmeve që përhapen nga mediat e tjera jozyrtare (nga opozita politike) mbi aktivitetin e qeverisë. Përqendrimi i zyrave të shtypit në një faqe të vetme interneti është kështu një gjetje e re, që duhet të lehtësojë punën e të interesuarve për informacion nga qeveria. Megjithatë, zyrat e shtypit të dikastereve do të vijojnë të luajnë rolin e tyre, theksojnë burime zyrtare.

Dalja në skenë e kësaj super-zyre shtypi nuk parashikohet, megjithatë, të japë ndonjë ndihmesë të re në furnizimin e gazetarëve shqiptarë me lajme të rëndësishme, pasi ajo qendon në një pasivitet pritës. E thënë me fjalë të tjera, ky sajt u përgjigjet akuzave, ndërkohë që zëdhënësit e veçantë kanë detyrën për të informuar në kohë reale lidhur me aktivitetin qeveritar, pra në një qendrim aktiv ndaj medias.

Po, a mund të thuhet se nga qeveria rrjedh në mënyrë normale dhe në mënyrë të vazhdueshme informacioni i kërkuar nga një opinion gjithnjë e më kërkues ndaj të rejave, që kanë të bëjnë direkt me jetën dhe interesat e njerëzve?

Asnjë nga zyrat e shtypit, në asnjë rast, ndërkohë që përmenden nga letargjia vetëm kur bëhet fjalë për të shpallur suksese, nuk është marrë me shifrat dhe përmasat e fenomenit të largimit të mijëra shqiptarëve jashtë vendit, në kërkim të kushteve më të mira për jetesë dhe punë. Këtë informacion shqiptarët mund ta gjejnë vetëm në median e huaj, konkretisht atë që pasqyron shifrat e ministrisë se brendshme të Gjermanisë, e cila jep statistika tejet të hollësishme lidhur me personat e regjistruar, që mbajnë pasaportë shqiptare.

Ndërkohë, askush nuk jep një informacion se si është puna që nga Shqipëria po largohen kapitale të çmuara, pikërisht në kohën kur ekonomia ka më shumë se kurrë nevojë për një gjë të tillë. Ndërsa kredia për ekonominë e brendshme është rrudhur, bankat shqiptare kanë dhënë gati 500 milionë dollarë kredi për bizneset e huaja, kryesisht në vendet fqinje. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se tregu financiar është duke u përballur së fundmi me rritjen e shpejtë të financimeve që bankat shqiptare janë duke dhënë për bizneset jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Maqedoni, Kosovë dhe vendet e tjera fqinje.

Sipas Bankës së Shqipërisë nga 30 miliardë lekë që ishte në qershor të vitit të kaluar, kredia për bizneset e huaja gati u dyfishua duke arritur me 58 miliardë lekë në fund të qershorit të këtij viti. Kjo do të thotë se shtesa e kredisë për bizneset jashtë Shqipërisë në harkun kohor të një viti ishte 7 herë më e lartë se sa kredia që u dha për ekonominë e brendshme. Por, qendrimet zyrtare të qeverisë nuk japin informacione të tilla.
Ndërkohë, disa zyra shtypi, për më tepër, në vend që të furnizojnë median me informacionin që kërkohet, ofrojnë komente të stërzgjatura e të gatshme, duke kërkuar në treg gazetarë të plogët, që janë të gatshëm t’i botojnë vetëm sa të plotësojnë faqet apo kronikat e kërkuara nga drejtuesit e tyre, pa u lodhur shumë.  
logo observatori per arkiv*Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio dei Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja. com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit