Që prej qershorit të vitit 2024, pedagogëve të Universitetit të Arteve u janë njohur tituj të rinj akademikë. Por ky akt duket të ketë mbetur vetëm në letër, pasi praktikisht, thonë se për ta nuk ka ndryshuar asgjë, as pagesat dhe as statusi administrativ.

“Kjo është një çështje që e kemi diskutuar disa herë si komision. Ka vite që premtohet zgjidhje, por ende nuk ka asnjë rezultat konkret.”, tha deputetja e PD-së, Ina Zhupa.

Pedagogët e arteve theksuan gjatë seancës dëgjimore në Kuvend se Universiteti i Arteve ka specifika të veçanta.

“Ne nuk kemi auditorë me 50 apo 100 studentë. Orët tona janë individuale dhe Universiteti i Arteve duhet të kishte prej kohësh një trajtim të veçantë financiar dhe akademik.”, tha pedagogu Josif Gjipali.

Artistët deklaruan se për vite me radhë procesi i doktoraturave ka qenë i bllokuar, ndërsa karriera artistike dhe kontributi në skenë nuk janë vlerësuar si duhet nga pikëpamja akademike.

“Studenti duhet të dijë me kë po bën mësim. Me një artist që ka dhënë kontribut real në skenë dhe në jetën artistike të vendit.”, tha pedagogia Manjola Nallbani.

Sipas pedagogëve, mungesa e njohjes së titujve akademikë po krijon vështirësi edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të artistëve shqiptarë dhe rrezikon vazhdimësinë e programeve të studimit.

“Kjo nuk është thjesht një çështje personale. Ka të bëjë me mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe me të ardhmen e programeve të Universitetit të Arteve.”, tha Genc Përmeti.

Në seancën dëgjimore munguan përfaqësuesit e rektoratit të Universitetit të Arteve, ndërsa Komisioni Parlamentar kërkoi gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë institucionale për t’i dhënë fund ngërçit që prej vitesh prek komunitetin artistik dhe akademik.