TIRANE - Plotësimi i vendeve vakante në Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar konsiderohet si hapi i parë në kuadër të një procesi të gjatë e të thelluar të reformës në mjetet e informimit publik në Shqipëri. 

Ligji "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë", i miratuar në Kuvend në 4 mars të këtij viti, në kreun e XII-të të tij përcakton funksionimin e KD-së së RTSH-së. 

Sipas nenit 93 të ligjit Këshilli Drejtues përbëhet nga Kryetari dhe nga 10 anëtarë. Pika 2 e këtij neni përcakton që kandidat për t’u zgjedhur anëtar i KDRTSH-së mund të jetë çdo person, i cili ka përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushat e: a) medias në përgjithësi; b) transmetimeve audiovizive të shërbimit publik, tregtar ose jotregtar; c) prodhimit të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive; ç) teknologjive të medias; etj.

Në nenin 94 të ligjit parashikohet zgjedhja e anëtarëve të KDRTSH-së. Sipas tij anëtarët e Këshillit zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Komisioni i Medias, brenda 30 ditëve nga krijimi i një vendi vakant, fton me anë të mjeteve të informimit publik për paraqitjen e kandidaturave, subjektet e mëposhtme: a) shoqatat dhe grupimet e mediave elektronike; b) shoqatat e medias së shkruar; c) profesoratin dhe shoqatat e inxhinierisë elektrike dhe elektronike; ç) profesoratin e së drejtës, gazetari-komunikimit dhe ekonomisë, shoqatat e juristëve dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë; etj.Subjektet e mësipërme propozojnë kandidaturat brenda 30 ditëve nga marrja e ftesës. 

Më pas, komisioni i Medias bën përzgjedhjen sipas përcaktimeve të neneve 93 dhe 97 të këtij ligji, mes të paktën 4 kandidaturave për çdo vend anëtari të KDRTSH-së. 

Sipas ligjit , për përzgjedhjen e kandidaturave alternative për çdo vend anëtari të KDRTSH-së, komisioni i Medias zbaton procedurën e mëposhtme:

a) shqyrton të gjitha kandidaturat e paraqitura nga subjektet propozuese;

b) kandidaturat e administruara, në bazë të propozimeve të mësipërme, i nënshtrohen përjashtimit një nga një. 

Procedura e përjashtimit zbatohet sipas radhës: një nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe një nga përfaqësuesit e opozitës. Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës, pesë kandidatë të mbështetur nga maxhoranca, pesë të mbështetur nga opozita. Kandidatët për anëtarë të KDRTSH-së i propozohen për miratim seancës plenare. 

Përjashtimi i çdo kandidature duhet të argumentohet duke garantuar respektimin e parimit të moscënimit të integritetit personal dhe profesional të kandidatëve. Pas përfundimit të mandatit, anëtari i KDRTSH-së, qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e anëtarit të ri. 
Neni 95 i ligjit parashikon zgjedhjen e kryetarit të KDRTSH-së. Sipas tij, anëtari i njëmbëdhjetë është njëkohësisht Kryetari i KDRTSH-së.



(Marrë nga ATSH)
(v.gj/shqiptarja.com)