Partia Demokratike pretendon se prodhimi i automjeteve ushtarake në Shqipëri është një mashtrim nga ana e qeverisë se vendi ka hyrë në këtë industri.

Sipas PD, bilancet e kompanisë Timak Defence, e cila është partnere me KAYO, nuk pasqyrojnë kapacitetin financiar, njerëzor dhe prodhimin.

“Kjo është arsyeja pse Partia Demokratike ngre dyshime serioze se nuk kemi të bëjmë me një histori suksesi industrial, por me një skemë të ndërtuar për të eliminuar konkurrencën dhe për të garantuar fitime të privilegjuara me paratë e qytetarëve. Në vend që ushtria shqiptare të furnizohet përmes tenderëve të hapur ndërkombëtarë, ku kompanitë konkurrojnë për çmimin dhe cilësinë më të mirë, qeveria ka krijuar një mekanizëm ku një kompani e favorizuar shfaqet si ‘prodhues’, ndërkohë që bilancet e saj nuk pasqyrojnë as kapacitetet minimale të një industrie prodhuese”, tha deputeti Klevis Balliu në një deklaratë për shtyp.

Më tej, PD kërkon të publikohen të gjitha kontratat e lidhura mes KAYO, Timak Defence dhe institucioneve shtetërore. Një thirrje shkon edhe për SPAK që të hetojë më tej çdo element të këtij partneriteti.

“Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë këtë skemë deri në fund, të verifikojë mënyrën e dhënies së kontratave, eliminimin e konkurrencës, përdorimin e shoqërisë publike KAYO dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje të ligjit”, përfundoi Balliu.